E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia zbardh hartën me rrugët që do të ndërtohen nga Fondi i Komunitetit



Emanuela Sako

Bashkia e Tiranës zbardh hartën me emrat e të gjitha rrugëve që do të ndërtohen me Fondin e Komunitetit, që është pjesë e buxhetit për këtë vit. Në listën e plotë të rrugëve që do të rikualifikohen me këtë fond 34 rrugë dytësore dhe tretësore. Kështu, miratimi i buxhetit për vitin 2009 i hapi dritën jeshile Fondit të Komunitetit, një fond prej 300 milionë lekësh, i cili do të bëjë të mundur sistemim-asfaltimin e më shumë se 34 rrugëve, të listuara për ndërhyrje nga vetë qytetarët në dëgjesa publike. I gjithë procesi ka të bëjë me një sërë ndërhyrjesh që Bashkia e Tiranës do të realizojë përgjatë vitit 2009. Këto ndërhyrje, të cilat do të realizohen këtë vit, janë të shtrira nga qendra në periferi.
Projektet
Gjatë vitit 2009, shumë projekte të rëndësishme pritet të ndërtohen në të gjithë kryeqytetin. Kështu, pas përfundimit të akseve kryesore, në qytet do të vijojë ndërhyrja e thellë me mobilimet urbane, ku do të përshihen hapësirat publike dhe do të ndërtohen shumë kënde “Dua të luaj”. Në investimet për 2009-tën, koncepti i Tiranës me shumë qendra do të zgjerohet më tej, me hapësira të tjera urbane që do të rehabilitohen dhe rikualifikohen, për tu bërë kështu qendra të reja atraktive për banorët. Pjesë e rikualifikimeve urbane parashikohet të jenë edhe rrjeti i kanalizimeve, ndriçimi, orientimi i trafikut, parkingjet publike, hapësirat e gjelbra, këndet e lojërave si dhe fasadat e pallateve. Në Tiranë do të vijojë transformimi në disa zona të tilla si tek Parku i Liqenit, tek sheshi “21 Dhjetori”, por nuk do të mungojë edhe rikualifikimi urban i hapësirave midis pallateve tek Materniteti i Ri etj. Njëkohësisht, do të fillojë faza e parë e ndërhyrjes për transformimin e ish-Fushës së Aviacionit.
Fondi
Në fondin e komunitetit, qytetarët e Tiranës kanë shprehur kërkesat për të ndërtuar rrugët pranë banesave të tyre. Ata kanë detajuar zonat më problematike, ku do të ndërhyhet nga punonjësit e bashkisë. Në këto projekte janë përfshirë të 11 njësitë bashkiake, në të cilat janë hasur probleme me rrugët në brendësi të lagjeve. Fondi i Komunitetit përbën 10 për qind të Buxhetit të Bashkisë së Tiranës, i cili u arrit të vendosej nëpërmjet dëgjesave publike me qytetarët.

6 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›