Të ardhurat doganore, në 3 muajt e parë të vitit bie ndjeshëm niveli
Ervin KOÇI
Doganat shqiptare kanë rezultuar me humbje në bilancin e tyre të arkëtimeve të të ardhurave doganore për tre muajt e parë të vitit 2009. Në bazë të të dhënave të Doganave për muajt e parë të vitit 2009, në krahasim me vitin 2008 zhdoganimet kanë pësuar një rënie të ndjeshme. Kjo vërehet kryesisht tek zhdoganimi i mallrave të forta (mallrave të akcizës), si dhe në nivelin e eksport-importit të mallrave me vendet e rajonit si dhe me ato të BE-së. Një rënie të theksuar vërehet kryesisht tek disa mallra specifike si psh., zhdoganimi i cigareve, të cilat në muajt e fundit kanë shënuar një rënie të ndjeshme. Rënia e ndjeshme ka prekur edhe eksportet që ishte dhe një nga pasojat e para të prekjes së vendit nga kriza. Ashtu siç ishte paralajmëruar edhe nga bizneset, pasojat e krizës nisën të reflektohen në tkurrjen e prodhimit vendas në muajt e parë të vitit 2009, gjë që çoi në rënien e ekonomisë dhe njëkohësisht të eksporteve. Sipas statistikave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, për 3 muajt e parë të 2009-s, rezulton një rënie e theksuar e eksporteve për sa i përket vendeve të marrëveshjes së tregtisë së lirë. Një fakt i tillë dëshmon, për rënie progresive të eksportit me vendet e përfshira në marrëveshje.
Eksporti
Në bazë të të dhënave të Doganave për tregtinë e jashtme, për muajt e parë të vitit 2009 në krahasim me vitin 2008, ka pësuar një rënie të ndjeshme eksporti i mallrave me Serbinë, Malin e Zi dhe vendet e tjera të CEFTA-s. Sipas të dhënave, pesha në total e eksportit me Serbinë për vitin 2009 rezulton 1,523 ton në vlerën 63 milionë lekë, ndërsa për 2008-ën llogaritej në masën 3, 848 ton, me vlerë 236 milionë lekë. Pra, për muajt e parë të këtij viti vetëm me Serbinë llogariten një rënie eksporti në vlerën rreth 170 milionë lekë. Ndërsa me Malin e Zi për vitin 2009 llogariten në peshën 14,362 ton me vlerë 173 milionë lekë, ndërsa një vit më parë pesha në total e mallrave drejt këtij shteti llogaritej 17,034 ton me vlerë 312 milionë lekë. Me këtë vend të ardhurat e eksportit kanë rënë, në krahasim me të njëjtën periudhë një vit më parë, me 139 milionë lekë. Rënie të eksportimit të mallrave është shënuar edhe me Kosovën. Në këtë periudhë, pesha e mallrave të eksportuara në total drejt vendit fqinj llogaritet 13,918 ton me një vlerë prej 627 milionë lekë. Një vit më parë pesha e mallrave shqiptarë të shitur në Kosovë ishte 16,509 ton me vlerë 649 milionë lekë, me një ulje prej 22 milionë lekësh. Ulje drastike në tregtinë e jashtme ka pësuar dhe eksporti me Kroacinë, ku pesha në total e mallrave të importuara për muajt e parë të vitit 2009 ishte 28 ton me vlerë prej 7 milionë lekë, ndërsa një vit më parë Shqipëria eksportoi për të njëjtën periudhë drejt Kroacisë 192 ton mallra me një vlerë në total prej 53 milionë lekë. Eksporti i mallrave është reduktuar edhe drejt Maqedonisë, që është edhe një nga shtet më të predispozuar për shkëmbimet tregtare. Për 2 muajt e parë të vitit 2009 eksporti me Maqedoni llogaritej në masën 13,176 ton me një vlerë prej 206 milionë lekë, ndërsa një vit më parë pesha e mallrave në total të eksportuara drejt Maqedonisë llogaritej 51,199 ton, në vlerën 313 milionë lekë. Drejt Bosnje- Hercegovinës për vitin 2009 është eksportuar një sasi malli prej 17 ton me vlerë 6 milionë lekë, ndërsa një vit më parë pesha totale e mallrave të eksportuara llogaritej 102 ton me vlerë 31 milionë lekë. Sipas këtyre të dhënave vërehet një tendecë rënie e mallrave që eksportohen kryesisht me vendet fqinje. Kjo lidhet edhe me rënien e prodhimit vendas, që u gjenerua nga shkaku i rënies së kërkesës.
Produktet bujqësore
Në bazë të të dhënave të Doganave për muajt janar-mars vihet re një rënie drastike e eksportimit të produkteve bujqësore. Sipas të dhënave për vitin 2009, në të njëjtën periudhë vihet re një rënie e këtyre mallrave në masën 577 ton nga 1,282, që ishte një vit më parë. Po ashtu, duke u bazuar në zërat konkret të mallrave që eksportohen, rënie në sasi ka pësuar edhe grupi i mallrave alkool, në masën 166 ton, nga 215 ton. Në grupin e mallrave, që kanë pësuar reduktim në shitjen e tyre drejt vendeve të tjera janë edhe vajrat e yndyrat, të cilat llogariten në masën 3 ton, ndërsa një vit më parë kanë qenë 48 ton. Në këtë periudhë, sipas statistikave të Doganave vihet re vetëm një rritje e eksportit për mallrat prej druri në masën 5.829 ton, ndërsa një vit më parë për të njëjtën periudhë këto mallra llogariteshin 5.829 ton. Për sa i përket kategorisë armë dhe municione, nuk është eksportuar asnjë produkt, ndërsa në vitin 2008, për këtë periudhë llogaritej një eksport prej 91 tonësh.
6 Maj 2009