E Diel, 1 Nëntor 2026

Hana: ”Qendrat Shëndetësore po i pajisim me aparatura te reja”



Të ardhurat dytësore që sigurohen nga qendrat shëndetësore, nëpërmjet të pasiguruarve, do të përdoren nga vetë ato. Drejtoresha e Institutit te Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana, u shpreh se pritet vetëm vendimi i Këshillit të Ministrave për vetëfinancimin e këtyre të ardhurave, të cilat mund të përdoren për pajisje apo shpërblime. Drejtoresha e ISKSH-së, Hana, u shpreh se procesi i dixhitalizimit të informacionit në qendrat shëndetësore ka përfunduar në Tiranë e shumë shpejt do të shtrihet në rrethet e tjera të vendit. Ndërkohë që pas dy javësh, qendrat shëndetësore do të përfitojnë pajisjet që kanë kërkuar në sajë të tenderit të zhvilluar. Shumë shpejt do të nisë shpërndarja e pajisjeve me të cilat do të furnizohen të gjitha Qendrat Shëndetësore në Shqipëri, të cilat do të ndihmojnë mjekët e familjes si edhe specialistët në Tiranë që të ofrojnë në mënyrë cilësore të gjitha shërbimet që janë pjesë e paketës së shërbimeve. “Ky është një hap shumë i rëndësishëm për të cilin po punohet prej kohësh dhe më në fund jemi në fazën e konkretizimit, pasi do të arrihet që në të njëjtën kohë, gjithë vendin të jepet një paketë bazë pajisjesh të domosdoshme të cilat nuk do të mungojnë në asnjë qendër shëndetësore”, - u shpreh drejtoresha e ISKSH-së në takimin me mjekët e qendrës shëndetësore nr 10.
Këto pajisje do të ndihmojnë mjekun e familjes që të diagnostikojë më mirë sëmundjet e syve, veshit, përkujdesin ndaj fëmijëve. Po kështu, do të mundësohet ndjekja e sëmundjes për pacientët me sëmundje kronike, duke matur sheqerin në gjak, matjen e tensionit, përkujdesje më e mire për gratë shtatzëna etj. Gjithashtu, qendrat do të pajisen me sterilizator, me qëllim ofrimin e shërbimit me mjete brenda kërkesave të higjienës. Pajisje me frigoriferë do të bëjë të mundur ruajtjen në temperaturën e caktuar të vaksinave që përdoren për fëmijët.
Qendrat shëndetësore të Tiranes do të pajisen edhe me EKG për diagnostikimin e të sëmurëve kardiologjik brenda qendrës, pa qenë nevoja për t’u drejtuar në klinika të tjera. Laboratorët e tyre do të pajisen me fotometër, autoklavë dhe centrifugë për të në numër të madh analizash për pacientët.

6 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›