“Chrysler”, është dakord me huanë prej 4.5 miliardë dollarësh
Gjigandi automobilistik “Chrysler” ka marrë dritën jeshile nga gjykata për nisjen e procedurave për marrjen e një huaje prej 4.5 miliardë dollarësh nga ana e qeverisë. Sipas gjykatësit të çështjes, Arthutr Gonzalez, “nuk do të ketë një të nesërme, nëse nuk merret huaja sot”. Aprovimi i kredisë është bërë duke mos marrë parasysh kundërshtimet e grupit të kreditorëve “No-Tarp” (Troubled Asset Relief Program). Tregu i punës në SHBA po pëson goditje të madhe për shkak të krizës financiare. Që prej fillimit të recesionit në këtë vend, më shumë se pesë milionë amerikanë kanë humbur vendet e punës, duke shënuar normën më të lartë të këtij treguesi në SHBA që prej 25 vitesh. Sipas të dhënave, vetëm gjatë muajit mars 663.000 qytetarë në SHBA u regjistruan të papunë dhe mesazhet për papunësinë vijojnë të jenë edhe më të rënda. Në të gjithë sektorët e mëdhenj, nga “Boeing” deri tek “Caterpillar”, janë bërë shkurtime dhe në radhë të parë, janë punëtorët e fabrikave ata që vuajnë nga rënia ekonomike, pa harruar prodhuesin e automjeteve “General Motors”, i cili njoftoi se deri vitin e ardhshëm do të shkurtojë 21.000 vende pune. Sipas të dhënave krahasuese, nëse gjatë dhjetëvjeçarit të kaluar Amerika ka humbur gati pesë milionë vende pune në fabrika, vetëm gjatë muajit të kaluar janë shkurtuar 161.000.
6 Maj 2009