E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet në departamentet e fakulteteve



Jonida Tashi

Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Alfred Priftanji ka injoruar Ministrinë e Arsimit dhe Universitetin e Tiranës, duke mos pranuar të realizojë procesin e zgjedhjeve në fakultetin që ai drejton. Kjo shkelje ligjore është bërë e ditur nga drejtuesit e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZI), për institucionet e Arsimit të Lartë. Për rrjedhojë kanë nisur përplasjet mes Ministrisë së Arsimit dhe Universitetit të Tiranës për zgjedhjet e mbajtura më 4 maj për dhjetë departamente fakultetesh. Dekani i Mjekësisë, Alfred Priftanji, ka “thyer” rregulloren e MASH-it, “Për organizimin e zgjedhjeve për organet dhe autoritetet drejtuese në institucionet publike të arsimit të lartë për periudhën 2007-2011”, sipas së cilës, votimi për përgjegjësin e departamentit bëhet brenda departamentit, nën mbikëqyrjen e të dërguarit të këshillit të njësisë kryesore.
Rregullorja
Konkretisht në rregullore përcaktohet që: “Autoritetet drejtuese të institucionit dhe të njësive kryesore të tij, vënë në dispozicion të procesit të zgjedhjeve, personelin dhe mbështetjen e nevojshme administrative e materiale”, veprim që dekani Priftanji nuk ka pranuar ta kryej. “Pasi Fakulteti i Mjekësisë është vënë në dijeni përsa i përket procesit zgjedhor që duhej të mbahej në Këshillin e Fakultetit, sepse ka disa anëtarë të cilët janë të pazgjedhur ose janë vende bosh, dekani i fakultetit, duke u bazuar në atë çfarë parashikon rregullorja ka të vetmin detyrim që duhet të vejë në dispozicion të gjithë infrastrukturën dhe nuk ka të drejtë që të bëjë interpretime që ka zgjedhje apo nuk ka zgjedhje”, - deklaron Demo.
Ndërhyrja
Ndërkohë një shkelje tjetër e hasur gjatë procesit zgjedhor nga drejtuesit e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZI), për institucionet e arsimit të lartë është ajo e bërë nga vetë Ministria e Arsimit. Sipas drejtuesve të KQZI-së, është kompetencë vetëm e ministrit të Arsimit, Fatos Beja, të reagojë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe e asnjë vartësi tjetër në këtë dikaster. “Zonja Elida Hoxha, nuk e ka të drejtën ligjore që të ndërhyjë në procesin e zgjedhjeve. Pse? Sepse është e parashikuar në rregulloren e zgjedhjeve që, autoriteti i cili ndërhyn në zhbllokimin e procesit zgjedhor është ministri i Arsimit me akte nënligjore”, - shprehet drejtor i KQZI-së, Ervin Demo. Duke marrë shkas nga situata e krijuar për zgjedhjet e pjesshme në Universitetin e Tiranës, KQZI do të dërgoj një raport pranë rektorit Dhori Kule në lidhje me procesin zgjedhor dhe më pas pritet vendimi zyrtar.

ANKIMI DHE APELIMI
Në Institucionet publike të Arsimit të Lartë njihet e drejta për ankimim dhe apelim lidhur me zbatimin dhe respektimin e procedurave, kritereve dhe llogaritjen e rezultateve të zgjedhjeve. Ankimet që kanë të bëjnë me procedurat dhe zhvillimin e fushatës së zgjedhjeve si dhe organizimin e votimeve për të gjitha nivelet, i drejtohen me shkrim Komisionit të Apelimit, i cili jep përgjigje brenda tri ditëve nga data e ankimit dhe vendos me shumicë votash për vazhdimin e mëtejshëm të procedurave ose jo. Komisioni i Apelimit njofton senatin akademik, KQZI dhe KZNjK-në e njësisë kryesore në lidhje me vendimin e marrë. Apelimet që kanë të bëjnë me vendimet lidhur me rezultatet e votimit i paraqiten me shkrim Komisionit të Apelimit brenda tri ditëve nga shpallja e rezultatit të votimit.
Komisioni i Apelimit thërret për sqarim Kryetarin dhe zëvendëskryetarin e Komisionit të Zgjedhjeve, nga i cili ka dalë rezultati përkatës, anëtarin ose anëtarët e Komisionit të Zgjedhjeve që kanë qenë me mandat mbikëqyrës në atë proces votimi, si dhe apeluesin. Komisioni i Apelimit bën arsyetim dhe merr vendim brenda tre ditëve me shumicë votash të të gjithë anëtarëve të tij. Vendimi i arsyetuar pasqyron edhe arsyet e votimeve kundra. Në rast konstatimi shkeljesh procedurale dhe kriterale, Komisioni i Apelimit pezullon procedurën e mëtejshme dhe njofton menjëherë Komisionin përkatës të zgjedhjeve dhe KQZI. Vendimi i Komisionit të Apelimit është përfundimtar.

6 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›