Beja: Provimet e Maturës dhe ato të klasave të nënta, do të korrigjohen me vlerësues të jashtëm
Jonida Tashi
Në ditët e tij të fundit si ministër i Arsimit, Fatos Beja, nuk ka nguruar të bëjë publike arritjet e reformës arsimore për gjashtë muajt e parë të vitit 2009. Ministria e Arsimit organizoi dje në Durrës, Konferencën e Gjashtë për rishikimin 6-mujor të realizimit të programit vjetor të reformës arsimore, projekti “Cilësi dhe Barazi në Arsim”. Megjithëse qëllimi kryesor i kësaj konference ishte rishikimi i reformës arsimore, si për ironi të fatit, kreu i Arsimit ka harruar të flas për të ardhmen e arsimit në vend, duke u fokusuar vetëm tek arritjet e deritanishme.
Gjatë kësaj konference ministri Fatos Beja, përveç investimeve në godina shkollore, përmendi disa nga reformat kryesore që janë ndërmarrë gjatë periudhës dhjetor 2008- prill 2009, siç janë reforma në sistemin parauniversitar, programi e-School, angazhimi i MASH-it për rritjen e cilësisë së mësimdhënies në universitetet publike dhe private.
Beja
Me bindjen se kjo ishte konferenca e fundit për këtë mandat qeverisë, Beja nuk ka reshtur së foluri për zhvillimet në arsim, madje edhe për kohën kur ai nuk ka qenë në krye të dikasterit të Arsimit. “Duke qenë se kjo konferencë është e fundit në këtë legjislaturë qeverisjeje, nuk mund të mos përmendim edhe arritjet e suksesin e pohuar gjerësisht në opinionin publik për sistemin tonë arsimor. Kur institucione monitoruese ndërkombëtare zbulojnë se sot arsimi është pak i prekur nga korrupsioni ne sigurisht e ndjejmë veten të kënaqur që përpjekjet që kemi bërë kanë prurë rezultatin e kërkuar”, - ka pohuar ministri i Arsimit. Ndërkohë një arritje më vete sipas tij, është vlerësimi objektiv i njohurive të nxënësve e studentëve si: vlerësimi i jashtëm nëpërmjet provimeve të Maturës Shtetërore për maturantët, dhe këtë vit edhe për nxënësit që japin provimet e lirimit, vlerësimi me kredite e pajisja me diplomë plus suplement të studentëve. I vetmi lajm i pa dalë nga Ministria e Arsimit, i cili është bërë i ditur në konferencën e djeshme është ai se është parashikuar marrja e një kompanie të huaj konsulence për përcaktimin e standardeve dhe hartimin e programeve të studimit të ciklit të dytë dhe të tretë, doktoraturat nga universitetet si edhe për hartimin e përshkruesve sektorialë në Kuadrin Kombëtar të Kualifikimeve.
Konferenca
Në konferencë, përveç ministrit të Arsimit merrnin pjesë edhe Kamile Nuamah, drejtuesja e zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë, përfaqësues të donatorëve të projekteve, Banka Botërore, Banka e Këshillit të Evropës, Bankës Evropiane e Investimeve, rektorë të universiteteve publike dhe private, drejtorë të Drejtorive Arsimore Rajonale, drejtues të pushtetit vendor në Shqipëri, etj. Projekti “Cilësi dhe Barazi në Arsim” mbështet që nga viti 2006 e deri në 2010 zbatimin e prioriteteve të Strategjisë Kombëtare të Arsimit dhe është një bashkëfinancim i qeverisë Shqiptare, Bankës Botërore, Bankës Europiane për Investime dhe i Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës me vlerë 75 milionë USD. Objektivi i përgjithshëm i projektit është përmirësimi i cilësisë dhe kushteve të mësimnxënies për të gjithë nxënësit dhe rritja e numrit të nxënësve në arsimin e mesëm, të ardhur kryesisht nga shtresat e varfra të shoqërisë.
6 Maj 2009