E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkiakët e arrestuar: Jemi pa faj

 

DURRES/ OERD ULQINI

"Në Apel do të marrim pafajësinë". Kështu janë shprehur të arrestuarit "VIP" në Durrës, sipas të cilëve gjithçka është një farsë. Pesë të arrestuarit e operacionit "Zbatica" kundërshtojnë me forcë akuzat e ngritura ndaj tyre. Rexhep Bulku, shef i policisë bashkiake të Durrësit, Bashkim Maloku polic i trupës, Lutfi Dervishi inspektor i njësisë administrative 4, Luan Shaba, administrator i njësisë 4 dhe Fetah Mataj që sipas policisë ishte sekseri i grupit, kanë kundërshtuar njëzëri akuzat e ngritura nga drejtësia, duke i quajtur ato si krejt të pabaza. Pavarësisht se nuk janë marrë akoma në pyetje në paraburgimin e Durrësit, të prangosurit i kanë thënë kolegëve të tyre të Policisë së Shtetit se, arrestimet janë të paligjshme. Për pesë të ndaluarit gjithçka ka qenë e sajuar dhe e kurdisur, pasi sipas tyre ata kanë kryer me devotshmëri detyrën dhe zbatimin e ligjit. Në orën 12:00 të ditës së djeshme, të arrestuarit e operacionit "Zbatica" kanë lënë paraburgimin e Durrësit, për t'u dërguar në burgun e ri, në zonën e ish-Kënetës. Transporti i tyre është kryer nën masa të rrepta sigurie. Mësohet se ata nuk do përballen tashmë me masën e sigurisë për të gjykuar vlefshmërinë e arrestit, pasi një ditë përpara arrestimit Gjykata e Faktit të Durrësit kishte vendosur në mungesë masën shtrënguese "arrest në burg" për pesë të pandehurit. Hetimi 5-mujor që kishte nisur në fshehtësi ka përfunduar me vendimin e marrë po në fshehtësi nga Gjykata, e cila i druhej ndonjë arratisjeje të mundshme të këtyre personave. Rreth orës 08:00 të së enjtes, Gjykata dërgon në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës letër-porosinë mbi çështjen, të shoqëruar edhe me mandat-arrestin për Bulkun, Malokun, Dervishin, Shabën dhe Matajn. Me qëllim moskompromentimin e aksionit policor nga njohjet e shumta që mund të kishin këta persona, është parë e arsyeshme që arrestimi të ekzekutohej nga Tirana. Të arrestuarit nuk janë marrë në pyetje nga hetuesit, pasi tashmë ndaj tyre janë formuluar akuzat. "Do ta apelojmë çështjen dhe do të shihet se asnjë akuzë nuk ka bazë. Ne jemi të pafajshëm", kanë komentuar njëzëri të arrestuarit. Nga ana tjetër, Gjykata e Faktit Durrës shprehet se "vendimi për masën 'arrest në burg' është kryer në bazë të provave të grumbulluara nga hetimi i gjatë". Ndaj tyre rëndon akuza e korrupsionit dhe abuzimeve të rënda, me qëllim përfitimi duke shfrytëzuar pozicionin që kishin në institucionet shtetërore. Nga hetimet ka rezultuar se të pestë personat, bashkëpunonin mes tyre për të përfituar nga biznese të ndryshme shuma në lekë, kundrejt favoreve për të mos u shembur pronat e tyre. Arrestimi i punonjësve të bashkisë u krye në mes të një aksioni që ata po zhvillonin paraditen e së enjtes në qytetin e Durrësit.

Emërimet

Të shkarkuarit

Rexhep Bulku, shef i Policisë Bashkiake
Bashkim Maloku, polic Bashkiak
Luan Shaba, administrator pranë Njësisë Administrative nr. 4
Lutfi Dervishi, inspektor pranë Njësisë Administrative nr. 4
 

Të emëruarit

Adriatik Velaj, shef i Policisë Bashkiake
Denis Omeri, polic Bashkiak
Luan Zeqaj, administrator pranë Njësisë Administrative nr. 4
Suzana Disha, inspektore pranë Njësisë Administrative nr. 4

Dako shkarkon të arrestuarit: Nuk kanë vend më në bashki
DURRES - Nuk ka pritur asnjë ditë më shumë dhe menjëherë kryebashkiaku Vangjush Dako ka emëruar persona të tjerë, që zëvendësojnë në detyrë katërshen e arrestuar për korrupsion. Në këtë mënyrë të prangosurit Rexhep Bulku, Bashkim Maloku, Lutfi Dervishi dhe Luan Shaba janë shkarkuar nga detyra, pavarësisht asaj se çfarë do të ngjasë në procesin gjyqësor. Përmes një konference për shtyp, Dako ka bërë publik vendimin e tij, duke zbardhur njëkohësisht edhe listën e re të personave që marrin detyrat e larta vendore. Ka qenë vetë kryebashkiaku, ai që ka prezantuar zyrtarisht skuadrën e re të bashkisë. Adriatik Velaj, një ish-oficer policie në Gjirokastër, do të zëvendësojë në detyrë Rexhep Bulkun, kreun e dikurshëm të Policisë Bashkiake. Denis Omeri merr detyrën e policit të trupës në Bashkinë e Durrësit, duke zëvendësuar Bashkim Malokun. Luan Zeqajt i besohet detyra e administratorit të njësisë numër 4, funksion të cilin deri dje e ushtronte Luan Shaba, ndërsa Suzana Disha merr detyrën e inspektores në të njëjtën njësi, duke zëvendësuar Lutfi Dervishin. Kryebashkiaku ka shprehur indinjatë për atë se çfarë ndodhi me vartësit e tij, duke kërkuar nga drejtësia që t'i shkojë deri në fund kësaj çështjeje. Sipas Dakos, qyteti i Durrësit meriton të shërbehet nga njerëz të ndershëm dhe të përkushtuar. "Aftësia dhe përkushtimi janë kriteret mbi të cilat unë kam ngritur ekipin e Bashkisë dhe nuk i anashkaloj këto kritere për askënd. U kërkoj organeve të drejtësisë të zbardhin çdo provë dhe fakt në lidhje me këtë çështje. Njëkohësisht i kërkoj këtyre organeve të japin dënime maksimale në rast se provat dhe faktet flasin për fajësinë e katër personave të shkarkuar tashmë nga detyra. Deklaroj gjithashtu se cilido qoftë vendimi i drejtësisë, këta njerëz nuk kanë më vend në Bashkinë e Durrësit, sepse mua nuk më duhen thjesht bashkëpunëtorë të pafajshëm, por më duhen bashkëpunëtorë të paatakueshëm në integritetin dhe punën shembullore", tha Dako në konferencë. "Unë jam i vendosur që të përfaqësoj bashkëqytetarët e mi me dinjitetin tradicional të këtij qyteti dhe me vullnetin e plotë për të pastruar çdo ferrë që mbin në rrugën tonë të bashkëjetesës demokratike apo që kanë mbetur si atavizma të së shkuarës në oborrin e komunitetit tonë", mbylli kreu i bashkisë deklaratën e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›