Vetëvritet me fostoksinë i moshuari
KAVAJE- Një 72-vjeçar i ka dhënë fund jetës duke konsumuar fostoksinë, pasi prej disa vitesh jetonte vetëm. Sipas një njoftimi për shtyp nga policia e Tiranës, bëhet e ditur se ka humbur jetën në spitalin e Rrogozhinës, një i moshuar. I vetëhelmuari quhet Sabri Ballabani dhe banonte në Kavajë. Kanë qenë fqinjët e 72-vjeçarit ata që kanë lajmëruar policinë, pasi kanë parë të shtrirë në dysheme Ballabanin. Burime nga policia bënë të ditur se ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 14:00. Policia ka dërguar të moshuarin në spitalin e Rrogozhinës dhe mjekët kanë konstatuar se ai kishte konsumuar lëndë helmuese, fostoksinë. Ai nuk ka arritur t'i shpëtojë vdekjes edhe pas ndërhyrjes mjekësore. Më pas policia ka marrë në pyetje fqinjët e Sabri Ballabanit, të cilët kanë deklaruar se i moshuari prej disa vitesh jetonte vetëm, pasi fëmijët ishin martuar dhe nuk jetonin me të, ndërkohë bashkëshortja i kishte vdekur vitin e kaluar. Sipas fqinjëve, vetmia mund ta ketë detyruar 72-vjeçarin që t'i jepte fund jetës. Ndërkohë policia po heton për të sqaruar rrethanat e kësaj ngjarje.