E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pesë në pranga, u kapën me 500 gr hashash

 

TIRANE- Pesë të rinj kanë përfunduar dje në qeli, të akuzuar për prodhim dhe shitje bimësh narkotike. Bëhet fjalë për dy grupe që janë zbuluar nga Antidroga e Tiranës, në lagjen "Ali Demi" dhe në rrugën "4 Dëshmorët". Sipas një njoftimi për shtyp nga policia e kryeqytetit, bëhet e ditur se janë arrestuar pranë shkollës "Kushtrimi i Lirisë", 35-vjeçari Haki Belaj dhe 28-vjeçari Ervin Qiro, i dënuar më parë për vjedhje me dhunë, pasi fillimisht gjatë kontrollit iu gjet 5.4 gramë kanabis. Më pas hetimet zbuluan se Belaj ia jepte për ta shpërndarë bimën narkotike Qiros. Gjatë një kontrolli në banesën e Haki Belajt u gjet edhe rreth 150 gramë kanabis. Por aksioni i policisë vazhdoi më pas në rrugën "4 Dëshmorët", ku pranë lokalit "Tirpek" u kapën me 7 qese hashash tre persona. Fillimisht policia arrestoi në flagrancë 22-vjeçarin Shpendi Islami, të cilit iu gjet 29 gramë bimë narkotike, më pas u arrestuan edhe Ermal Avduli, 20 vjeç dhe Lulëzim Ajazi, 25 vjeç, të cilët ishin bashkë me të arrestuarin e parë. Gjatë kontrollit në banesën e tyre u gjet edhe rreth 300 gramë bimë narkotike kanabis sativa.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›