E Diel, 1 Nëntor 2026

Nëna shpëton 8-vjeçaren nga përdhunimi i adoleshentit

 

SARANDE - Tenton të përdhunojë 8-vjeçaren, hetohet adoleshenti. Një ngjarje e rëndë mbeti në tentativë për fat mesditën e djeshme, kur 17-vjeçari A.A iu afrua një vajze të mitur. E ëma e fëmijës ka reaguar me shpejtësi, duke ia hequr nga duart vajzën dhe denoncuar në Komisariatin e Sarandës veprimin e adoleshentit. Kjo u shënua në fshatin Gjashtë, 1.5 km larg qytetit të Sarandës. Mësohet se ka qenë e ëma e vajzës së mitur, ajo që ka parë gjithë skenën, kur djali i është afruar të miturës e ka nisur ta ngacmojë. Me shpejtësi ajo ka ndërhyrë, duke bërë që veprimi i të riut të mbetet thjesht një tentativë. Ngjarja ka tronditur opinionin publik në fshatin Gjashtë, por edhe familjen e vajzës, një familje e vuajtur me shumë pjesëtarë. Menjëherë pas kësaj, familjarë të vajzës së mitur kanë bërë denoncimin në Komisariatin e Policisë, Sarandë. Forcat e kësaj të fundit kanë mbërritur në vendngjarje, duke bërë shoqërimin e shtetasit A.A. 17 vjeç, lindur në Sarandë e banues në Gjashtë, si autorin e dyshuar të ngjarjes. Pas shoqërimit të tij në komisariat ku u mor në pyetje dhe veprimeve procedurale, ai është lënë i lirë brenda një periudhe të shkurtër kohore. Sipas policisë, adoleshenti do të ndiqet në gjendje të lirë, për veprën penale, "veprime të turpshme", parashikuar nga neni 108 i Kodit Penal. Familjarë të vajzës së mitur dhe veçanërisht babai i vajzës Q.M, kanë shprehur indinjatën e tyre në lidhje me veprimin që është kryer ndaj fëmijës së tyre, duke e cilësuar të vakët reagimin e strukturave të policisë e prokurorisë, në lirimin e autorit të këtij veprimi. Sipas tyre, autori duhet të çohet në bankën e drejtësisë e të marrë dënimin e merituar e jo të lihet i lirë, pasi veprimi i tij dhe rrezikshmëria shoqërore, nuk justifikojnë asgjë.                     sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›