Bashkiakët socialistë: “Ndihmë financiare për zonat e prekura”
Autori i Lajmit: Redaksia
Vendorët socialistë do të ndihmojnë financiarisht banorët e përmbytur. Ky vendim u mor dje nga Shoqata për Mbrojtjen e Autonomisë Vendore, e cila ka zhvilluar një takim me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Pas një takimi rreth 30 minuta, kryetari i kësaj shoqate dhe njëkohësisht kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Artan Shkëmbi, deklaroi se të gjitha bashkitë opozitare, do të ndihmojnë financiarisht, por ndërkohë do të solidarizohen në përpjekjet për të mbledhur ndihma, për familjet e dëmtuara. Anëtarë të tjerë të shoqatës për Mbrojtjen e Autonomisë Vendore akuzuan sërish kryeministrin Berisha për këtë katastrofë, e cila sipas tyre, është rrjedhojë e keqmenaxhimit. “Ne do të jemi krah tyre për të ndihmuar financiarisht, ku kryetarët e bashkive dhe komunave do të japin pjesë nga pagat e tyre, ku biznesmenë, punonjës të administratës dhe qytetarët e qyteteve dhe komunave tona do të sensibilizohen që të kontribuojnë në përmirësimin e situatës”, - tha Artan Shkembi, kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen e Autonomisë Vendore. Ndërsa Rustem Struga, kryetar i Bashkisë së Pukës, pohoi se nga vëzhgimet e bëra në terren, ka parë se si Qeveria ka shkelur ligjin për shkak të interesave korruptive. “Kam parë se çfarë shkakton korrupsioni, babëzia dhe paaftësia e kësaj Qeverie, e cila ka hapur portat pikërisht në kuotat kritike, ku specialistët, drejtuesit, deri në dikastere e deri te Kryeministri, nuk ia kanë idenë se si funksionon sistemi energjetik atje dhe pikërisht u krijua kjo situatë”,- u shpreh ai. Dy ditë më parë, në zonën e Shkodrës, Partia Socialiste ngriti Shtabin e Emergjencës, i cili do të bashkëpunojë me çdo bashki dhe komune, për tu ardhur në ndihmë familjeve të dëmtuara.
Ky lajm është publikuar: 10/01/2010