Mbërrijnë ekspertët e MIC, Lohan: “Mbështetje në terren”
Autori i Lajmit: Redaksia
Bashkimi Evropian i përgjigjet thirrjes së Shqipërisë për ndihmë pas përmbytjeve në veri të vendit. Në kuadër të menaxhimit të kësaj situate emergjente, zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Selim Belortaja, priti dje ekipin e Misionit të Qendrës së Informimit për Mbrojtjen Civile të Bashkimit Evropian (MIC) i shoqëruar nga kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, ambasadori Helmut Lohan. Zëvendësministri Belortaja theksoi se Qeveria shqiptare është tërësisht e angazhuar dhe në ndjekje të vazhdueshme të situatës në terren. Gjithashtu, ai i informoi ekspertët e MIC mbi zhvillimet më të fundit si dhe për masat që janë marrë nga strukturat e pushtetit qendror dhe lokal, përfshirë edhe organizatat joqeveritare, në përballimin e gjendjes së krijuar si pasojë e përmbytjeve. Belortaja vuri në dukje se rëndësi të madhe në këtë fazë, merr menaxhimi dhe koordinimi i asistencës së ofruar nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Në këtë kontekst, ai i falënderoi ekspertët e ardhur në Tiranë për gatishmërinë dhe reagimin e shpejtë ndaj kërkesës së Qeverisë shqiptare për asistencë. Ekspertët e MIC, pasi paraqitën një përditësim të asistencës së ofruar deri në këtë moment, shprehën gatishmërinë e plotë për të ofruar ekspertizën më të mirë në menaxhimin e mbrojtjes civile dhe në organizimin sa më efikas të shpërndarjes së ndihmave për familjet e prekura nga përmbytjet. Ambasadori Lohan vuri në dukje se ekipi i ekspertëve të MIC iu përgjigj në kohë tepër të shpejtë kërkesës së Qeverisë shqiptare dhe se ata do të jenë plotësisht operativë në terren duke bashkëpunuar ngushtë me autoritetet shqiptare.
Ky lajm është publikuar: 10/01/2010