PS bën apel për ndihmë ndaj të përmbyturve
Autori i Lajmit: Redaksia
Partia Socialiste ka apeluar përsëri dje për tu solidarizuar dhe për të mbështetur banorët e zonave të përmbytura. Deputetja Englantina Gjermeni tha se kushdo, me një kontribut të vogël e modest, mund të bëjë shumë në këtë katastrofë që ka përfshirë Veriun e vendit, ndërsa shtoi se kjo ndihmë do të jetë edhe më e nevojshme kur çdo i evakuuar do të kthehet në shtëpinë e tij. “U bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të Partisë Socialiste, si dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë që jetojnë brenda Shqipërisë apo në emigracion, të shprehin solidaritetin dhe mbështetjen e tyre për familjet, shtëpitë e pasuria e të cilave janë nën ujë”, - tha ajo. Partia Socialiste ka hapur dy llogari bankare, në dy banka të ndryshme, për të mbledhur ndihma financiare për familjet e përmbytura ndaj Gjermeni ftoi që çdokush të kontribuojë përmes këtyre llogarive. “Jemi të ndërgjegjshëm se vështirësitë me të cilat përballen këto familje, nuk mund të mbarojnë me shmangien e rrezikut të përmbytjes. Ndaj PS do të vazhdojë të insistojë për kompensimin nga ana shtetit të të gjithë të dëmtuarve edhe në të njëjtën kohë për nxjerrjen e përgjegjësive për këtë katastrofë”, - tha ajo.
Ky lajm është publikuar: 10/01/2010