Bashkiaku i Ohrit: Kaloni ujin në Shkodër, shpëtoni Ohrin
Liqeni i Ohrit në Maqedoni ka rritur nivelin dhe ka dalë jashtë territorit të tij, për shkak të shirave të forta dhe shkrirjes së dëborës duke rrezikuar përmbytjen e qytetit. Lajmin e konfirmoi për mediat bashkiaku i Ohrit, Aleksandër Petreski, i cili kërkoi hapjen e portave të liqenit për në lumin Drin. Por ekspertët nuk mendojnë se situata është kaq kritike dhe nuk i janë përgjigjur thirrjeve të bashkiakut të Ohrit, pasi nëse realizohet kërkesa e tij, rrezikohet që Shkodra të përmbytet sërish. “I bëj thirrje centralit të hapin portat. Ata nuk e bëjnë këtë për shkak të përmbytjeve në Shkodër, Shqipëri, hidrocentralit, etj. Por unë nuk dua t’ia di për Shkodrën, por për Ohrin”, tha Petreski për agjencinë “Focus”. Ai shtoi se niveli i ujit e ka kapërcyer kapacitetin maksimal. Kanalet, të cilat janë derdhur në liqen kanë nisur të rrjedhin në drejtim të kundërt duke rrezikuar përmbytjen e territoreve ku ato kalojnë. Shkaku kryesor i kësaj situate janë ndryshimet e papritura të motit në Maqedoni. Reshje dëbore dhe papritur shkrirja e shpejtë e tyre. Bashkiaku i Ohrit, Petreski i ka kërkuar drejtorisë së centraleve disa herë të hapin portat e molit në nivelet e ulëta të Drinit. Sipas bashkiakut drejtoria e centraleve e menaxhon liqenin dhe bashkia e tij nuk ka asnjë fuqi apo kompetencë në këtë kontekst. “I kam paralajmëruar mbi nivelet e ujit mbi maksimumin dhe se ata duhet të hapin portat në Drin për të evituar përmbytjen e qytetit. Ne kemi gjithashtu probleme edhe me kanalet dhe lumenjtë, të cilat derdhen në liqen pasi për shkak të nivelit të lartë, është liqeni i Ohrit tani që po derdhet në lumenj dhe kanale”, tha ai.