E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet ligji, konfiskohet toka djerrë



BLEDAR HOTI

Qeveria miraton projektligjin për dhënien me qira të tokës të lëna djerrë nga ana e pronarëve. Në mbledhjen e djeshme, Këshilli i Ministrave miratoi draftin "Për përdorimin dhe shfrytëzimin e tokave bujqësore të pakultivuara", ku përcaktohen mënyrat e marrjes së pronës së pronarëve që nuk e punojnë pronën e tyre për më shumë se dy vite. Kryeministri Berisha në mbledhje deklaroi se Shqipëria ka pak tokë të punueshme dhe se nuk duhej lënë djerrë. Kryeministri, duke shprehur besimin se projektligji do të gjejë mirëkuptimin e pronarëve të tokave, të cilët për arsye të ndryshme nuk mund ta kultivojnë atë, theksoi se do të jenë autoritetet vendore, ato që do të hartojnë skemën dhe vendosin marrëdhëniet me pronarin e tokës. "Kam bindjen se ky ligj do të gjejë mirëkuptimin më të plotë edhe të atyre pronarëve, të cilët, për një arsye apo ndonjë tjetër, nuk i dalin dot zot tokës së tyre. Por toka është si gjallesat, degradon, po nuk iu përkushtove. Toka është krijuar me një përpjekje mbinjerëzore në shumicën e zonave të Shqipërisë. Edhe aty, ku sot është fushë, dikur ka qenë kënetë e kalbëzuar në shumicën e territorit. Nuk mund të pranohet që të humbë as edhe një pëllëmbë tokë", tha Berisha. Ai shtoi se sipas të gjitha rregullave, komunat do të autorizohen të përcaktojnë skema dhe të vendosin marrëdhënie të ndershme me pronarin, të cilit nuk i cenohet asnjë metër katror. Në neni 14 të draftit janë përcaktuar dy mënyra të dhënies së tokës me qira: me ankand ose pa ankand, nëse ka një kërkesë të vetme. Në të është përcaktuar se "çmimi minimal, për dhënien me qira të tokës bujqësore të pakultivuar, të jetë 30% më i ulët se vlera e qirasë vjetore të tokave bujqësore, sipas vendimit të KM-së, për llogaritjen e qirasë së tokës bujqësore". Dhënia e tokës me qira bëhet për një periudhë pesëvjeçare me të drejtë ripërsëritje të kontratës. "Të ardhurat, që krijohen nga qiradhënia e tokave të pakultivuara, ndahen si më poshtë vijon: a) 80 për qind, në dobi të pronarit apo poseduesit të ligjshëm të tokës; nga shuma e së cilës komuna dhe/ose bashkia mban vlerën e taksës vjetore mbi tokën; b) 20 për qind, në dobi të komunës dhe/ose bashkisë për mbulimin e shpenzimeve administrative që lidhen me zbatimin e këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij", thuhet në nenin 17 të draftit. Në draft janë parashikuar dhe gjoba për personat që nuk marrin pjesë në komisionet e verifikimit, që krijohen për të konstatuar tokat e lëna djerrë.

Pikat kryesore të projektligjit

Neni 14
Mënyrat e dhënies me qira tokave bujqësore të pakultivuara
Mënyrat e dhënies me qira tokave bujqësore të pakultivuara janë:
a) pa ankand, në rastin kur paraqitet një kërkesë e vetme;
b) me ankand, në rastin kur paraqitet më shumë se një kërkesë.

Neni 15
çmimi minimal i dhënies së tokës me qira
çmimi minimal, për dhënien me qira të tokës bujqësore të pakultivuar, të jetë 30% më i ulët se vlera e qirasë vjetore të tokave bujqësore, të përcaktuar në pikën 2, të vendimit nr.830, datë 28.12.1998, të Këshillit të Ministrave, "Për kriteret e llogaritjes së vlerës vjetore të qirasë së tokave bujqësore, pyjore, me bimë pyjore, livadheve dhe kullotave, pasuri shtetërore".

Neni 17
Përdorimi i të ardhurave të krijuara nga qiradhënia
Të ardhurat, që krijohen nga qiradhënia e tokave të pakultivuara, ndahen, si më poshtë vijon:
a) 80 për qind, në dobi të pronarit apo poseduesit të ligjshëm të tokës; nga shuma e së cilës komuna dhe/ose bashkia mban vlerën e taksës vjetore mbi tokën;
b) 20 për qind, në dobi të komunës dhe/ose bashkisë për mbulimin e shpenzimeve administrative që lidhen me zbatimin e këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.
Rregullat për administrimin dhe shpërndarjen e këtyre të ardhurave përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Financave.

KUNDëRVAJTJET ADMINISTRATIVE

Neni 21
Kundërvajtjet administrative dhe sanksionet

1. Sipas këtij ligji, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative shkeljet e mëposhtme:
a) mospjesëmarrja në veprimtaritë e komisionit të evidentimit të tokave të pakultivuara, sipas përcaktimit të nenit 4, të këtij ligji.
b) mospërmbushja e rregullt e detyrimeve të përcaktuara në nenin 5, të këtij ligji.
2. Kryetari i komunës dhe/ose bashkisë:
a) vendos gjobë nga 10 000 (dhjetë mijë) - 40 000 (dyzet mijë) lekë për kryetarin e fshatit, për kundërvajtje administrative, të përcaktuara në shkronjën "a" dhe "b" të pikës 1, të këtij neni;
b) i propozon kryetarit të këshillit të qarkut dhe drejtorit të DRBUMK - së vendosjen e gjobës nga 10 000 (dhjetë mijë) - 40 000 (dyzet mijë) lekë ndaj përfaqësuesve të këtyre institucioneve, në përbërje të komisionit të evidentimit të tokave të pakultivuara, për kundërvajtje administrative, të përcaktuara në shkronjën "a" dhe "b", të pikës 1, të këtij neni.
Kryetari i këshillit të qarkut dhe drejtori i DRBUMK janë të detyruar të miratojnë propozimin e kryetarit të komunës dhe /ose bashkisë për vendosjen e gjobës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›