Krimet e komunizmit, PD ligj për hapjen e dosjeve të sigurimit
Projektligji "Për krijimin e institutit të studimeve të krimit të krimeve dhe të pasojave të komunizmit në Shqipëri" do të hapë të gjitha dosjet e vjetra të kohës së periudhës të diktaturës, duke përfshirë edhe ato të Sigurimit të Shtetit. Qeveria me nismën e saj për krijimin e këtij Instituti i ka dhënë të drejtën këtij institucioni të marrë të gjitha arkivat e shtetit që kanë të bëjnë me Sigurimin e Shtetit dhe me dënimet e dhëna ndaj persona të tjerë. Në nenin dy të draftit përcaktohet si objekte hetimi "periudha e komunizmit, krimet e komunizmit, funksionarët e shtetit komunist dhe organet e sigurimit të shtetit". Deputeti i PD-së, Eduart Halimi deklaroi se Instituti do të publikojë të gjitha dosjet mbi krimet e regjimit të komunizmit, por duke ruajtur të drejtën e mbrojtjes së të dhënave të personit, mbi bazën e ligjit në fuqi. Deputetë të maxhorancës ndërkohë kanë bërë të ditur se Instituti nuk mund të publikojë dosjet e cilësuara akoma edhe kësaj dite si "top sekret". Kjo sipas tyre është jo e lejueshme edhe mbi bazën e ligjit. Sipas draftit, Instituti "grumbullon të dhëna, dokumente dhe dëshmi që i shërbejnë ndriçimit të veprimtarisë së organeve dhe strukturave të sigurisë së shtetit, të formave të persekutimit dhe formave të rezistencës kundër tyre, si dhe të gjitha veprimtarive që kanë çuar në dhunimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në vitet e regjimit komunist". Deputetët e maxhorancës u përfshinë në një debat në lidhje me periudhën ku Instituti duhet të studiojë mbi krimet e komunizmit. Në draftin e Qeverisë ishte propozuar që studimin ky institucion e nis që nga 29 nëntori 1944 - 8 dhjetor të vitit 1990. Deputeti i PD-së, Gent Strazimiri propozoi që data të shtrihej përtej 8 dhjetorit, pasi sigurimi i shtetit ka funksionuar përtej kësaj date. Kështu u propozua që data fundore të jetë 22 marsi i vitit 1992, si fundi i periudhës së komunizmit dhe i pushimit të funksionuari i sigurimit të shtetit. Deputeti Halimi u shpreh se "data e fundit e mbarimit të regjimit komunist mund të merret si datë zgjedhjet pluraliste. Mund të merrej data 22 mars e 1992". Por deputeti i LSI-së, Nasip Naço ka dalë kundër caktimit të datës 22 mars 1990 si datë fundore e studimit të krimeve të komunizmit. "Unë mendoj se duhet t'i përmbahemi projektit të ardhura nga Qeveria. Po i hymë datave, propozimi i datës 22 mars 1992 ka brenda dhe Qeverinë e stabilitetit dhe nuk do të dalim kurrë. Me aq sa kam njohuri unë e di që sigurimi i shtetit ka mbaruar së funksionuari më 2 korrik 1990. Përfundimisht futja e njerëzve nëpër ambasada, ditën tjetër është shpërndarë i gjithë sigurimi i shtetit, shihni dhe lexoni arkivat, pavarësisht se po marrim datën simbolike. Po filluam me këto data do të fillojmë me qeveri të tjera. Prandaj do t'i përmbahem dhe do të votoj për këtë projekt të Qeverisë dhe do të votoj për këtë projekt të Qeverisë, 29 nëntor 1994- 8 dhjetor 1990", tha Naço. Ky qëndrim i aleatit të PD-së, bëri që deputetët demokratë të tërhiqen nga propozimet e tyre. b.h