E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sfida pas dy-vjetorit të shtetit: Në BE dhe në NATO



Kosova mbushi dje dy vjet si Republikë e pavarur, duke shënuar 65 njohje si shtet në arenën ndërkombëtare, ndër të cilat 22 në Bashkimin Evropian. Në dy vjet pavarësi Kosova ka arritur të bëhet anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore. Mbetet ende në përpjekje pjesëmarrja në iniciativa rajonale si CEFTA dhe Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, që kanë hasur probleme për shkak të qëndrimit armiqësor të Serbisë dhe mosnjohjes nga Bosnje-Hercegovina. Situata e sigurisë në Kosovë është e qetë. Nuk ka konflikte ndëretnike dhe kjo ka bërë që NATO të vendosë për minimizimin e trupave të KFOR në Kosovë duke konsideruar të suksesshme fushën e sigurisë. Situata e ekonomisë ende mbetet një sfidë e madhe për Kosovën. Krerët e institucioneve morën pjesë në një mbledhje solemne të Kuvendit të Kosovës dje, ku shprehën bindjen se gjatë dy vjetëve të funksionimit të shtetit është arritur të dëshmohet se Kosova e pavarur është faktor stabiliteti dhe paqeje në rajon. Në këtë seancë kishte edhe të ftuar nga Shqipëria e vendet fqinje.
Presidenti Fatmir Sejdiu tha, se në vitin e tretë të shtetësisë synimi kryesor i tyre do të ishte integrimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Ndërsa kryeministri Hashim Thaçi e quajti Republikën e Kosovës pas dy vitesh pavarësi, një vend të konsoliduar, me të cilin secili qytetar duhet të ndihet krenar. Kryeparlamentari Jakup Krasniqi kujtoi se vlera e pavarësisë matet në radhë të parë me përmirësimin praktik të jetës së qytetarëve. Krerët e institucioneve vlerësuan se shpallja e pavarësisë është rezultati i punës se dhe sakrificës së madhe të qytetarëve dhe ndihmës së faktorit ndërkombëtar. Presidenti Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri Hashim Thaçi pritën dje në një takim të përbashkët senatorët amerikanë, George V. Voinovich dhe Jeanne Shaheen, të cilët i falënderuan për përkrahjen e përhershme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë për Kosovën. Presidenti Fatmir Sejdiu, në dy vjetorin e Pavarësisë së vendit, ka bërë homazhe te varri i presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, të cilin e ka quajtur arkitekt dhe ideolog të pavarësisë. Më pas Sejdiu ka dekretuar faljen e dënimit të mbetur apo zvogëlimin e dënimit me burg për 62 persona. Sipas policisë së Kosovës, dita ka kaluar pa incidente. Ndërkohë Beogradi, edhe dy vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, zotohet se do të luftojë ta mbrojë “territorin e saj”, duke mos e njohur shtetin e ri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›