E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi dhe amnistia fiskale

Fatos Çoçoli

Një pjesë shumë e rëndësishme e paketës së ndihmës për komunitetin e biznesit është amnistia fiskale. Qeveria e nisi, duke vendosur një taksë 10 për qind mbi kapitalet e sipërmarrjes që janë regjistruar, por që nuk kanë deklaruar burimin. Biznesi shqiptar tashmë paraqitet i konsoliduar dhe pa dyshim ka shumë asete që të amnistuara do ta ndihmonin të merrte më shumë kredi dhe përpara partnerëve të huaj të dilte me gjithë potencialin e kapitaleve që zotëron, në përpjekje për bashkëfinancime. Ndryshimi i pak ditëve më parë në Ligjin e Procedurave Tatimore të Shqipërisë, sipas të cilit taksohet me 10 për qind shtesa e kapitalit të shoqërive shqiptare, kur kjo shtesë nuk e ka të deklaruar origjinën, do të gëzonte këdo nga biznesi shqiptar dhe të 60 mijë sipërmarrësit e tij aktivë, nëse niveli i taksës do të ishte simbolik. Në masën dy ose tre për qind. Po pse duhet të jetë simbolik kontributi i biznesit ndaj shoqërisë? Sepse biznesi po kalon një periudhë të vështirë. Tregjet e eksportit janë pakësuar dukshëm, ndërsa kërkesa dhe konsumi brenda vendit janë në nivelet më të ulta të dhjetë viteve të fundit. Qeveria duhet ta kuptojë këtë. Nuk është vetëm ajo në probleme për likuiditete. Dhe Qeveria gjithashtu duhet ta kuptojë se në ekonomi nuk vendos ajo, por biznesi. Pse 80 për qind e ekonomisë është e privatizuar. Kështu që nëse Qeveria ndihmon biznesin, ajo ndihmon veten, ngaqë një sipërmarrje në zhvillim krijon vende të reja pune dhe paguan më shumë taksa. Ja përse është thelbësore që në këto ditë të vështira, Qeveria dhe biznesi të jenë bashkë. Mirëpo veprimi i parë i Qeverisë drejt amnistisë fiskale, aq të dëshiruar nga biznesi, nuk është veprim në unison me sipërmarrësit. Ndryshimi në Ligjin e Procedurave Tatimore u miratua shpejt e shpejt, gati në fshehtësi. Biznesi u vu përpara faktit të kryer. Ndërkohë, ende nuk janë përgatitur procedurat e amnistisë për bizneset që kanë zgjerim kapitali pa iu njohur burimi. Këto zgjerime janë të formave, së pari para ose kapital me burim punën në emigracion, së dyti para ose kapital i vënë duke shfrytëzuar vakuumin ligjor në një fushë të caktuar aktiviteti për një periudhë të caktuar dhe së treti, para ose kapital i vënë duke shmangur qëllimisht detyrimin ligjor për të paguar taksën apo taksat përkatëse. Ka dhe një formë të katërt, forma kriminale, me para të vëna nga tregtia e drogës ose prostitucioni. Vetëm tre format e para mund të jenë objekt i amnistisë fiskale. Këtë dëshiron edhe biznesi, por puna i ngatërrohet me nenet e Ligjit Anti-Mafia të porsamiratuar. Ky ligj ka edhe hapësirë të fortë interpretimi. Ai shprehet se do të sekuestrohen “të gjitha pasuritë për të cilat ka të dhëna që janë vendosur në rrugë të paligjshme”. Atëherë, si ia bëhet me pasuritë, me kapitalet e biznesit që ai i ka shtuar pa e deklaruar burimin? Ato nuk janë legalizuar, pra nuk janë të ligjshme. Por kjo s’do të thotë se janë pasuri kriminale. Do të konsiderohet ky sipërmarrës me para të padeklaruara emigracioni apo devijimi nga taksat si mafioz, edhe pse nuk ka larë para të pista? Kush do ta garantojë biznesin se me Ligjin e Anti-Mafias në dorë, tatimori i papërgjegjshëm dhe që kërkon të peshkojë në ujë të turbullt nuk do t’i afrohet biznesit-viktimë që po kontrollon e nuk do t’i thotë: “Shiko he burrë, këtu ka vend për dyshime të tipit të ardhura mafioze, prandaj më jep kaq lekë ke xhepi i tatës ta mbyll këtë çështje, pse mund edhe të të vendos sekuestron”? Biznesi ndihet i shqetësuar, prandaj dhe nuk është ndjerë e nuk ka shprehur entuziazëm për nisjen e amnistisë. Sigurisht që amnistia ka nevojë për kohë që të piqet si proces. Nuk mund të ngelet te veprimet e izoluara të Qeverisë që më shumë sheh si të vjelë para nga biznesi, jo si të mund ta ndihmojë atë. Duhet një bashkëveprim dhe negociatë e gjatë me biznesin. Ose ndoshta, biznesi dhe shoqatat e tij duhet të marrin iniciativën dhe t’i paraqesin ata Qeverisë një variant projekt-ligji për amnistimin e aseteve të veta problematike. Eksperienca e vendeve të zhvilluara fqinje nuk mungon. Vetë Italia bëri një amnisti për sipërmarrjet e veta që veprojnë jashtë Italisë në dhjetor të vitit të kaluar. Shoqatat e biznesit mund të kërkojnë ndihmë edhe nga komuniteti donator, nga projektet e shumta të USAID-it amerikan, apo të Komisionit Evropian. Biznesi duhet të ngrihet dhe ta kuptojë se vetëm duke lobuar fort mund të detyrojë Qeverinë ta ndihmojë realisht. është biznesi që duhet të nisë të trokasë fort në dyert e ministrive të Financës dhe të Ekonomisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›