Bashkim Hoxha: Emisione me antenë borxh në vitin 1997

Bashkim Hoxha
Flet Bashkim Hoxha, gazetari i 4000 emisioneve.
Më 21 mars 1997, në një kioskë pa leje nisi transmetimi i parë i emisionit Koha për tu zgjuar
Emisioni i mëngjesit që transmetohet çdo ditë në televizionin News 24, Koha për tu zgjuar, i gazetarit Bashkim Hoxha, ka shënuar dje 15-vjetorin e tij.
Ishte 21 marsi i vitit 1997, kur në një kioskë të vogël nga Durrësi, teksa jashtë kërcisnin kallashët, nisi të shfaqet një nga programet më jetëgjata në Shqipëri. Mbi 4000 transmetime dhe sërish nuk ka ndër mend të ndalet. Përveçse disa minutave në studion e televizionit Planet, ku Bashkim Hoxha është rrëfyer te gazetari Roland Qafoku, në emisionin Arena…
Sot mbushen 15 vjet në ekran me emisionin Koha për tu zgjuar. Ka ardhur koha që të rrëfeheni, si ndiheni pas një eksperience kaq të gjatë?
Sot jam ndier shumë mirë, kur njerëzit më uronin për emisionin. Më mirë sesa kur më kanë uruar nëpër ditëlindje.
Në këta 15 vjet, a nuk u lodhët? A nuk ka pasur ndonjë moment kur keni dashur edhe të tërhiqeni?
Shpeshherë e kam menduar, por sidoqoftë kam rezistuar dhe duhet rezistuar. Ne nuk kemi thjesht një profesion, gazetarinë, por edhe një mision. Një mision për tu përmbushur. Ndaj jemi gazetarë.
A mund të na tregoni si ju shkoi në mendje të transmetonit një emision më 21 mars 1997, atëherë kur Shqipëria ishte në kulmin e trazirave?
Nuk e di ta them saktë se si ndodhi. Në atë kohë, unë me gjithë kolegun tim kameraman, Gëzim Domi, që më vonë patëm TV Teuta, ishim duke xhiruar disa gjëra artistike për qejfin tonë. Imazhe artistike, që nuk kishin lidhje me ato zhvillimet e tmerrshme të vitit 97. Por, teksa shikonim ato ngjarje të tmerrshme, na shkoi në mendje se mbase njerëzit, ashtu si ne, kishin nevojë për një vend ku të gjejnë prehje, qetësi. Atëherë vendosëm që të hapnim një studio. Kështu, më 13 mars 1997, ne hapëm TV Teuta, në një ndërtesë tip kioskë, me transmetime eksperimentale. Dhe me datë 21 mars startuam emisionin e parë Koha për tu zgjuar. E gjithë kjo iniciativë, me kamera dhe video VHS, me një antenë të marrë borxh dhe kur jashtë kioskës kërcisnin kallashët. Më pas, emisioni nisi të kishte sukses dhe disa biznese shfaqën dëshirën për të na financuar. Kështu arritëm që të blinim dhe vetë një antenë.
Kur e ndjetë se vërtet qytetarët po të ndjekin përmes ekranit?
Që në vitin 97. Në mënyrë figurative, TV Teuta ka qenë vërtet një kioskë. Fëmijët e lagjes vinin te xhami dhe vinin sytë për të parë se çfarë po ndodhte. Ndërkaq, nëpërmjet antenës së Dajtit që shpërndante sinjalin televiziv në Tiranë, Durrës, Fier dhe disa zona të tjera, nisën të vinin reagimet e para. Papritur problematika e përditshme e qytetarëve erdhi në studio, me gazeta, me telefonata dhe me mesazhe. Në rrugëtim e sipër arritëm të kuptonin shumë shpejt se emisioni Koha për tu zgjuar ishte zëri i qytetarit. Unë dilja dhe dal në ekran, por protagonisti i vërtetë është qytetari.
Ju ka shkuar në mendje që tek ajo kioska të vendosësh një monument për emisionin dhe TV Teuta?
Ka qenë kioskë pa leje (qesh). Në momentin që do të mendoj për pasur një monument, atëherë unë e kam mbaruar punën…
Ju vjen keq që nuk është më TV Teuta?
Sigurisht. Por Tv Teuta i takonte një kohe të caktuar. I takonte periudhës së kioskave. Më pas, erdhën kohë të tjera; kioskat u zëvendësuan me godina të mirëfillta, me investime të mëdha teknike etj. Megjithatë, mua më vjen mirë që emisioni Koha për tu zgjuar është perceptuar si pjesë e realitetit shqiptar dhe nga artistë. P.sh., regjisori Sajmir Kumabro, te filmi Ne dhe Lenini u referohet gazetave të Bashkimit.
Deri më sot keni shfaqur rreth 4000 emisione mëngjesi. A keni ndonjë prej tyre që nuk ju hiqet nga mendja?
Ka plot. P.sh. emisionet e vitit 97 janë të gjitha për tu kujtuar. Më vjen në mendje një klithmë e një fëmije, i cili më tha që Xhaxhi Bashkimi, kemi kaq ditë mbyllur dhe unë dua që të shkoj në shkollë. Jeta sociale ishte e paralizuar. Duken gjëra të thjeshta dhe banale, por që nuk janë kështu. Unë kam dashur të fokusohem me koshiencë pikërisht te këto probleme banale, zhvillime jetësore, gjërat e qytetarit të thjeshtë, pasi mbesin të harruara. Këtu, pikërisht te problemet banale, kam gjetur një lloj thesari, pasurie.
Ju keni kandiduar në zgjedhje edhe si deputet. Ju jeni ndier i paragjykuar?
Jo, sepse unë kandidova si i pavarur. Unë bëra një provë dhe qytetarët nuk më votuan. Me sa kuptova, qytetarët më deshën si gazetar dhe jo si deputet.
Thelbi i emisionit tuaj është leximi i gazetave. Si kanë evoluar apo kanë rënë gazetat? Pra, si kanë evoluar nga 21 marsi deri në 21 mars 2012?
Për fat të keq, shtypi i shkruar nuk ka ecur në atë emancipim si gjithë shoqëria shqiptare. Sipas meje, gazetat janë tepër të ngarkuara me politikë, njësoj si në fillimet e pluralizmit. Nëse atëherë kishte etje për të botuar një mendim ndryshe në gazeta, sot kurohen mendime vetëm pro. Te gazetat tona mungon qytetari. Kemi shtyp militant. Mëson sharjet e politikanëve, por jo hallet e qytetarëve. Mungojnë përgjegjësitë e politikanëve për hallet e këtyre qytetarëve. Shtypi i shkuar është i paemancipuar, i mbyllur rreth e rrotull kryeqytetit. Kohët e fundit kemi futur për lexim në emision shtypin kosovar dhe botëror. Besoj e keni vënë re se shtypi botëror është shumë i ndjeshëm ndaj çdo problematike qytetare dhe duket diferenca me shtypin shqiptar.
Gazetat i lexoni për të tjerët. Po për vete, kë lexoni? Cila është e preferuara juaj?
Të gjitha i lexoj para se tua lexoj të tjerëve. Të them të drejtën, nuk është se kam ndonjërën më për zemër se të tjerat.
Keni pasur ndonjë rast që nuk keni dashur të lexoni ndonjë titull?
Po, ndonjë titull me fjalë banale, që nuk mund ta thuash përpara miliona njerëzve. Përgjithësisht i kam evituar këta tituj, edhe pse kanë qenë të rrallë.
Po ndonjë moment që nuk e keni mbajtur dot të qeshurën, kur keni lexuar ndonjë titull?
Ka pasur raste plot. Më kujtohet një titull për kryetarin e PSD-së: Skënder Gjinushi fle me kunatën. Kështu ka qenë titulli i një gazete dhe më kapi e qeshura kur e lexova. Ishte titull i madh dhe, edhe po të mos e lexoja unë, do ta lexonte vetë publiku në ekran.
Ju keni emisionin më të vjetër të pandërprerë, pra të përditshëm. Po nga emisionet e kolegëve, cilin vlerësoni më shumë?
Po e nis nga fundi. Më pëlqen formati i Adi Krastës ose Histori me zhurmues. Përgjithësisht nuk më pëlqejnë emisionet politike, sepse aty nuk bëhet analizë siç pretendohet. Aty ka ose prokurorë, ose avokatë. Aty ka sofizma, që mbrojnë njërën parti ose tjetrën. Edhe vetë ata që flasin si analistë në këto emisione politike, nuk i besojnë ato që thonë.
Ju vetë keni qenë i ftuar në emisione politike?
Po tek emisioni i Rudina Xhungës. Jam përpjekur të them çfarë mendoj, por nuk ndihem rehat në ato emisione.
Me kë është Bashkimi?
Jam me Bashkimin… (qesh)
Nuk e mbarova pyetjen. Politikisht, majtas apo djathtas?
Edhe unë kam bindjet e mia si çdo njeri. Por në emision unë jam moderator. Demokracia nuk është imponim dhe unë përmbahem.
Sa etike është kur ua ndërprisni fjalën dëgjuesve?
Ka shumë njerëz që e shfrytëzojnë telefonin e hapur, për të zbrazur mllefe politike, kështu që jam i detyruar tua ndërpres fjalën.
A ju vë në sik