Opozita: “Qeveria, biznes me ujin në kurriz të banorëve”
Autori i Lajmit: Redaksia
Opozita shqiptare akuzon Qeverinë si përgjegjëse kryesore për përmbytjet e ndodhura në veri të vendit. Deputeti socialist, Erjon Braçe, pohoi dje se gjithë kjo situatë nuk është krijuar për shkaqe njerëzore, por për shkak se Qeveria e ka kthyer në biznes edhe ujin. “Katastrofa që po konsumohet është pasojë direkte e paaftësisë kriminale, papërgjegjshmërisë ligjore e administrative, korrupsionit vrasës të Qeverisë së Sali Berishës. Kjo nuk është akuzë politike, por një renditje faktesh zyrtare”, - tha dje Braçe, duke e mbështetur këtë akuzë në një sërë të dhënash. Më tej, ai u bëri apel të gjithë banorëve të evakuojnë zonat që rrezikohen nga përmbytja. Apelit, por dhe akuzave të Braçes, u është bashkuar dhe kreu i G99, Erjon Veliaj. Ai pohoi se Ekzekutivi ka përgjegjësi të madhe në situatën e krijuar, veçanërisht ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, i cili duhet të japë dorëheqjen. Veliaj kërkoi dëmshpërblimin e banorëve.
Braçe
“Largohuni! Kjo është sakrifica juaj! Qeveria ka lënë vetëm një mundësi në këto kushte: Shkarkimin e ujit në sasi të mëdha nga liqenet e hidrocentraleve dhe zgjerimin e zonës së katastrofës nën ujë! Po e përsëris: Largohuni! Kjo është sakrifica juaj për të shpëtuar jetën e mijëra shqiptarëve të tjerë, nga rreziku i thyerjes së digave më të mëdha në Shqipëri, vënë nën këtë rrezik nga Qeveria e Shqipërisë”, - u bëri apel Braçe banorëve të rrezikuar nga përmbytja. Më tej ai renditi dhe akuzat për Qeverinë lidhur me situatën e krijuar, duke pohuar se banorët duhet të ndalin “Gërdecin njerëzor”. Sipas tij, katastrofa që po konsumohet në dëme të mëdha materiale-pronësore e që rrezikon të thellohet, në dëme njerëzore dhe ekonomike nuk është produkt i kushteve atmosferike. Braçe tha se e gjendur në situatë të vështirë ekonomike për shkak të të ardhurave të munguara, Qeveria vendosi të bëjë biznes me ujin në hidrocentrale për të shpëtuar llogaritë e saj. “Prodhimi dhe eksporti i fortë i energjisë elektrike është parë si mundësia reale që Qeveria të rregullojë llogaritë e saj. Për këtë arsye është stimuluar fort mbledhja e ujit në liqenet e hidrocentraleve të kaskadës së Drinit, veçmas në Fierzë. Hidrocentrali atje, në nëntor e dhjetor nuk ka punuar thuajse fare në të gjithë agregatët e tij”, - u shpreh ai. Ky qëllim i Qeverisë, vijoi ligjvënësi socialist, ka detyruar një regjim të fortë importi për OSSH-CEZ, import që vijon edhe tani. Por, në mënyrën më të habitshme, e gjitha kjo ka ndodhur kur të paktën Ministria e Ekonomisë ishte në dijeni të gjendjes së vështirë në liqenet e kaskadës së Drinit. 20-30 ditë më herët, në datën 8 nëntor, ministri i Ekonomisë kishte ngritur një komitet të posaçëm për të menaxhuar situatën hidroenergjetike në vend. Ndërsa Veliaj i kërkoi Qeverisë që të kompensojë në këto ditë të vështira të gjitha familjet e prekura nga përmbytjet, duke propozuar si skemë kompensimi një ndihmë standard prej 10 milionë lekësh për secilën familje, kompensimin me 250 mijë lekë për çdo metër katror ndërtim si dhe kompensimin e plotë për të mbjellat dhe gjënë e gjallë. Veliaj kërkoi dhe dorëheqjen e ministrit të Energjetikës, Dritan Prifti, duke e akuzuar atë për papërgjegjshmëri të plotë. “Papërgjegjshmëria e ministrit Prifti në shkeljen e sigurisë është e mjaftueshme që ai të largohet sa më parë nga qeveria. Është e turpshme për Priftin dhe për kryeministrin Berisha, që ti vënë fajin për këtë situatë Afrikës, ngrohjes globale apo natyrës”,- theksoi Veliaj. Ai i bëri apel kryeprokurores Ina Rama që të nisë një hetim në lidhje me menaxhimin e digës në Fierzë, për të kuptuar se çfarë rregullash të sigurisë janë shkelur dhe për të vënë përgjegjësit para drejtësisë.
Ministria e Energjetikës: Nuk kemi importuar energji elektrike
Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës me anë të zëdhënëses së saj, Matilda Merxhani, ka reaguar dje pas deklaratës së Partisë Socialiste se Qeveria është shkaktare e situatës në Shkodër, pasi ka blerë energji elektrike, ndërkohë që gjendja e liqeneve ka qenë e tejmbushur. Merxhani ka hedhur poshtë akuzat e opozitës duke theksuar se ato janë shpifje para opinionit publik në lidhje me shkaktarët e përmbytjes në zonën e Shkodrës. “Qeveria dhe ndërmarrjet e saj nuk kanë importuar asnjë kilovat-orë energji elektrike që mbas privatizimit të OSSH-së, dhe se importi bëhet vetëm nga ky institucion me fondet e tyre, sipas detyrimeve kontraktore të privatizimit”, - deklaroi ajo.
Përmbytjet, Sejdiu: Trupa të FKS-së në Shqipëri
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, në një bisedë telefonike me kryeministrin Sali Berisha, ka ofruar ndihmë për situatën e krijuar pas përmbytjeve në veri të vendit. Gjatë bisedës, kryeministri Berisha e njohu presidentin Sejdiu me situatën e krijuar në zonat e përmbytura në vend. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e informoi kryeministrin Berisha se Kosova ka vendosur të nisë në Shqipëri Forca të Sigurisë së Kosovës për të ardhur në ndihmë në zonat e përmbytura. Kryeministri Berisha e falënderoi Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, për këtë vendim, si dhe për ofertën e qeverisë së Kosovës për ndihma në varka shpëtimi dhe mjete të tjera. Kryeministri Berisha i shprehu presidentit Sejdiu falënderimin e tij edhe për ndihmën financiare që komuna e Gjakovës ka akorduar për zonat e përmbytura në Shqipëri. Gjatë bisedës telefonike, Presidenti i Kosovës u shpreh se po ndjek me vëmendje situatën në vijimësi, si dhe shprehu vlerësimet e tij për të gjitha përpjekjet e autoriteteve dhe të qeverisë shqiptare për përballimin me eficencë të kësaj situate të vështirë.
PDK: “Prokuroria të hetojë keqmenazhimin e hidrocentraleve”
Partia Demokristiane ka shprehur gjithë solidaritetin e saj me familjet e dëmtuara nga përmbytjet, ndërsa ka fajësuare Qeverinë për situatën e krijuar. “Partia Demokristiane ka ndjekur me shqetësim situatën e rëndë të krijuar nga përmbytjet në qarqet e Shkodrës e të Lezhës dhe shpreh gjithë solidaritetin e saj me familjet e dëmtuara nga vërshimi i ujërave në banesa dhe në tokat bujqësore. PDK, duke e ndjekur nga afër situatën e rëndë të krijuar, vëren se rreziku është ende i lartë dhe se vazhdimi i reshjeve mund të sjellë një katastrofë të vërtetë në zonat e Shkodrës dhe të Lezhës”, - thuhej në deklaratën e PDK-së. PDK kërkoi nga Qeveria Shqiptare dhe institucionet përgjegjëse të marrin të gjitha masat, së pari, për të shpëtuar jetët e rrezikuara të njerëzve në fshatrat e përmbytur dhe, së dyti, ndjekjen me përgjegjësi të situatës orë pas ore, për të kufizuar me sa të jetë e mundur, dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e tanishme dhe të pritshme. “Qeveria shqiptare dhe autoritetet përgjegjëse për menaxhimin e situatës edhe një herë treguan papërgjegjshmërinë dhe paaftësinë e tyre në menaxhimin dhe përballimin e situatës kritike të krijuar nga reshjet e vazhduara, duke u shkaktuar dëmtimin e pronës dhe rrezikimin e jetës, mijëra familjeve shqiptare. PDK i kërkon qeverisë shqiptare të llogarisë dëmin e shkaktuar nga përmbytjet dhe të dëmshpërblejë të gjitha familjet e dëmtuara. PDK i kërkon gjithashtu Qeverisë Shqiptare të marrë përgjegjësitë politike për dëmin e shkaktuar, sepse përmbytjet janë shkaktuar nga paaftësia dhe papërgjegjshmëria e saj qeverisëse”, - deklaroi PDK, duke shtuar se Prokuroria e Përgjithshme duhet të nisë menjëherë hetimet dhe të çojë për ndjekje penale përgjegjësit e keqmenaxhimit të prurjeve dhe depozitimeve ujore në liqenet e hidrocentraleve mbi lumin Drin. PDK ka shtuar se nuk është hera e parë që paratë e taksapaguesve shqiptarë shpenzohen për të dëmshpërblyer dhe asistuar papërgjegjshmërinë dhe paaftësinë administruese të qeverisë së kryeministrit Berisha. “Paratë e taksapaguesve u përdorën për të dëmshpërblyer viktimat e tragjedisë së Gërdecit, po përdorën për të riparuar apo rihapur tunelin e shembur të Kalimashit dhe tani do të përdorën edhe për të dëmshpërblyer familjet e dëmtuara nga përmbytjet, nga papërgjegjshmëritë e qeverisë. Qytetarët shqiptarë nuk mund të paguajnë pambarimisht taksa për të mbushur gropat e zeza që kjo qeveri krijon me papërgjegjshmërinë dhe paaftësinë e saj anekdotike. PDK shpreh bindjen e saj se nuk janë aksidentet teknologjike, strukturat gjeologjike, ngrohja globale apo reshjet e shtuara, po paaftësia e kësaj qeverie që krijon Gërdecë, shembje tunelesh dhe përmbytje, për çka duhet të përgjigjet politikisht dhe penalisht para qytetarëve dhe institucioneve shqiptare”, - përfundon deklarata e PDK-së.
Ky lajm është publikuar: 07/01/2010