Shërbimi i Provës, 630 të dënuar lënë qelitë
Autori i Lajmit: Redaksia
Rreth 630 të dënuar, të cilët për shkak të aplikimit të ligjit të Shërbimit të Provës dhe dënimeve alternative, kanë përfituar dhe tashmë e kryejnë këtë dënim jashtë institucioneve të vuajtjes së dënimit. Burime nga Ministria e Drejtësisë bënë të ditur se aplikimi i këtij ligji ka sjellë dhe lehtësimin e ambienteve, duke krijuar më pas mundësinë që për ata që e vuajnë dënimin brenda sistemit të burgjeve, të krijohen kushte akoma më lehtësuese dhe më normale.
Kategoritë
Gratë shtatzëna, të miturit nën 20 vjeç, të moshuarit mbi 60 vjeç dhe nënat me fëmijë të vegjël, të dënuar më pak se dy vjet me vendim të formës së prerë, do të përfitojnë nga dënimet alternative. Në kategorinë e përfituesve janë parashikuar dhe të dënuarit për krime të konsideruara të lehta, dosja e të cilave do të shqyrtohet nga grupet e punës të ngritura për këtë çështje.
Ligji
Burime nga Ministria e Drejtësisë bënë të ditur se paketa ligjore është miratuar që në dhjetor të vitit 2008 dhe tashmë është miratuar dhe struktura e Shërbimit të Provës si dhe organika e saj prej 50 punonjësish. Sipas të njëjtave burime, bëhet e ditur se punohet për rekrutimin dhe trajnimin e stafit të strukturës së Shërbimit të Provës. Mësohet se dënime alternative do të ofrohen sidomos për të miturit, apo njerëz të akuzuar për vepra penale deri në dy vjet burg dhe që nuk paraqesin rrezikshmëri shoqërore, të cilët mund të vuajnë dënimet në shtëpi. Këto dënime do të aplikohen dhe për kategori të tjera, ndër ta individë me fëmijë të vegjël. Ministria e Drejtësisë bën të ditur se, me fillimin e zbatimit të ligjit, sipas kushteve dhe procedurës së përcaktuar në të, mund të përfitojnë dhe afro 400 të dënuar, që aktualisht vuajnë dënimet në burgje.
Projektet
Është pranë finalizimit, krijimi i komitetit shtetëror për ndihmën juridike, pra miratimi i ligjit për dhënien e ndihmës juridike, i cili parashikon tiu ofrohet atyre individëve kryesisht me probleme ekonomike, të cilët nuk kanë mundësi të marrin ndihmën juridike përballë gjykatës dhe është pikërisht shteti, i cili ndërhyn përmes mekanizmave të tij dhe u ofron falas këtë ndihmë juridike. Tashmë komiteti shtetëror është gati për të filluar nga puna.
Punësimi i të miturve
Janë disa qendra të listuara deri tani nga UNICEF-i, me të cilat Gjykata e Tiranës ka filluar bashkëpunimin si YAPPS, qendra "Don Bosko" etj., të cilat kanë paraqitur programet e punëve apo të kurseve profesionale që ato ofrojnë për këto lloj dënimesh, si dhe kapacitetet e pritjes së këtyre të dënuarve. Punët e ofruara dhe që kryhen nga të dënuarit, janë në përputhje me zhvillimin e tyre psiko-social dhe janë sipas standardeve të vendosura si nga legjislacioni ynë i brendshëm, ashtu dhe nga ai ndërkombëtar për punën që mund të kryejnë të miturit. Numri i të miturve që kanë përfituar një dënim të tillë ka arritur deri tani në tetë dhe dënimi i parë me punë në shërbim të komunitetit është dhënë në shtator të 2007-ës. Me aplikimin e këtij dënimi fiton individi, pasi dënimi me burg ka pasoja destruktive për karakterin e tij. Gjithashtu, fiton sistemi i drejtësisë, sepse përveç se kushton më pak, është një drejtësi që është më e mirë për individët, me standarde shumë më të larta lidhur edhe me respektimin e të drejtave të njeriut. Duket se filozofia e këtij trajtimi nuk është puna, por edukimi. Nuk është e rëndësishme dhënia e masës alternative, por zbatimi i kësaj mase, duke pasur në fokus të saj edukimin, vendosjen e urave të komunikimit me familjen, me komunitetin, me shkollën, për formim profesional të tyre.
Ky lajm është publikuar: 07/01/2010