E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli lë Aldo Baren në qeli

Autori i Lajmit: Redaksia

“Beteja” e Aldo Bares me drejtësinë shqiptare ka dështuar sërish sot, kësaj here në Gjykatën e Apelit tek Krimet e Rënda. Trupi gjykues në këtë gjykatë, hodhi poshtë kërkesën e Bares për lirim nga burgu, me pretendimin e këtij të fundit se kanë skaduar afatet kohore. Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, duke e mos e ndryshuar masën ndaj Bares, atë me arrest me burg, deri në përfundim të gjykimit. Megjithatë, avokati mbrojtës i Bares ka deklaruar se kërkesa do të dërgohet në Gjykatën e Lartë.
Kërkesa
Aldo Bare kërkon sërish ti rikthehet lirisë me argumentin se i kanë përfunduar afatet e paraburgimit. Tre javë pasi kërkesa e tij fillestare u rrëzua nga Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda, avokati i tij mbrojtës, Vladimir Meçe, i drejtohet Gjykatës së Apelit. Në qëndrimin e tij avokati Meçe kërkoi rrëzimin e vendimit të Krimeve të Rënda me arsyetimin se klientit të tij i kanë përfunduar afatet në kohën që mbahej në qelitë e Turqisë. Sipas avokatit, afatet e paraburgimit nuk mund ti kalojnë caqet për asnjë arsye dhe Aldo Bare është mbajtur sipas mbrojtjes gati dy vjet jashtë afateve.
Në këtë shkresë avokati pohon se paraburgimi për Aldo Baren ka humbur fuqinë dhe duke iu referuar Kushtetutës ai mbahet në mënyrë të kundërligjshme. Në fund të mbrojtjes, avokati i kërkon Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, të urdhërojë lirimin e menjëhershëm të Aldo Bares apo Alfred Shkurtit.
Pretendimet
Mbajtja e Alfred Shkurtit në qeli kapërcen të gjitha afatet ligjore. Me këtë pretendim avokati i tij i kërkoi dje gjykatës lirimin e menjëhershëm të klientit të tij. Sipas avokatit, afatet e paraburgimit për Alfred Shkurtin kanë përfunduar 1 vit e gjysmë më parë. Ndërkohë që gjykata ka administruar kërkesën për shuarje të masës së sigurisë, pritet të hidhet shorti për të përcaktuar gjyqtarin që do të vendosë në lidhje me kërkesën. Në kohën që Prokuroria e Krimeve të Rënda akuzon Baren për 15 vrasje, pala mbrojtëse pretendon lirimin e tij.
Prokuroria
Për më se një dekadë Aldo Bare ka qenë në kërkim, por masat u aktivizuan në vitin 2006, kohë në të cilën Policia e Shtetit arriti të godiste me sukses anëtarët e bandës së tij kriminale, që jetonin e vepronin në Shqipëri. Prokuroria për Krimet e Rënda formuloi akuzën ndaj drejtuesit të kësaj organizate kriminale, Aldo Bare, për krijimin e organizatës kriminale, për më tepër se 20 vrasje, për rrëmbim personi, shkatërrim prone, dhunim varresh, kryerje veprash penale në bashkëpunim nga organizata kriminale. Aldo Bare akuzohet gjithashtu për drejtimin e njërit prej rrjeteve më të fuqishme të trafikut ndërkombëtar të drogës në drejtim të Evropës Perëndimore, për të cilat bashkëpunohet me partnerët tanë perëndimorë. Arrestimi dhe ekstradimi i Aldo Bares përbën një sukses të padiskutueshëm të Policisë Shqiptare, i cili u arrit si rezultat i një pune inteligjente, duke bashkëpunuar edhe me partnerët ndërkombëtarë, nëpërmjet së cilës u finalizua identifikimi i plotë i këtij personi, i cili maskohej me emra të ndryshëm, nëpërmjet pasaportave të falsifikuara, me emrat fals Mikel Kodra, Artur Sallabanda etj. Ekstradimi dhe përballja e tij me drejtësinë shqiptare do të ndikojë pozitivisht për thellimin e hetimit të kësaj organizate kriminale.
Akuzat
Aldo Bare dhe organizata e tij kriminale akuzohen edhe: për vrasjen dhe dekapitimin (prerjen e kokës dhe shëtitjen në publik) të Artur Dajës në qytetin e Lushnjës, vrasjen në qendër të qytetit të shtetasit shqipataro-maqedonas Xhevat Demiri, të vrasjes për shkaqe të cilësive të veçanta, mbetur në tentativë të shefit të Komisariatit të Policisë Lushnjë, Sinan Meta, për vendosjen e lëndës eksplozive me telekomandë në stadiumin e futbollit të qytetit të Lushnjës, për vrasjen në vitin 2000 të inspektorit të Policisë Kriminale, Klejdi Bano, për vendosjen në vitin 2001 të eksplozivit në banesën e inspektorit të Policisë së Rendit, Idriz Shuli, për vrasjen në janar të vitit 2005 të Klodian Haxhiut, për vendosjen në mars të 2005 të eksplozivit në banesën e një punonjësi policie në rrugën “Don Bosko” në Tiranë, për vendosjen e minës me telekomandë në makinën e ish-drejtorit të Policisë Kriminale, Xhavit Shala, për vrasjen në vitin 2005 të biznesmenit Baki Taullau, disa vepra të tjera penale, të cilat janë në hetim, për vrasjen e ish-kryetarit të SHIK-ut, të rrethit Lushnjë, Bashkim Shkurti, për vrasjen e ish-nënkryetarit të Bashkisë të qytetit Lushnjë, Drago Voshtima, vrasje këto të kryera në vitin 1998.

Si e drejtonte bandën Aldo Bare
Prokuroria thotë se si moment i krijimit të organizatës, e ashtuquajtura "Bandë e Lushnjës" apo "Grupi i Alfred Shkurtit" është vrasja dhe dhunimi i kufomës të Ramadan Shkurtit, vëllai i Aldo Bares, në muajin korrik të vitit 1997, në Lushnjë. Kjo vrasje erdhi si pasojë e përballjes me bandën e Tur Dajës. Pas vrasjes, Aldo Bare, me qëllim hakmarrjen ndaj Dajës dhe bashkëpunëtorëve të tij, krijoi bandën. Nga veprimet hetimore rezultoi se Bare kishte një rol dhe autoritet absolut në organizatë, të gjithë anëtarët e organizatës kriminale kanë pasur një disiplinë të fortë të drejtuar dhe të kontrolluar nga Aldo Bare. Në gjithë veprimtarinë e saj, organizata udhëhiqej nga interesat e Bares. Anëtarët e saj i drejtoheshin drejtuesit të tyre me nofka të tilla si: "I madhi", "Profesori", "Kryetari" e të tjera. Akuza thotë se disiplina e fortë dallohej qartë në momentet kur urdhrat e Bares nuk bëheshin të diskutueshëm. Ato zbatoheshin me fanatizëm nga të gjithë anëtarët e saj, të cilët vepronin nëpërmjet ushtrimit të dhunës psikike, fizike si dhe të veprimeve kriminale të tilla si: rrahje, heqje të lirisë, tortura, vrasje. Në vijim të veprimtarisë kriminale, organizata është kujdesur vazhdimisht në drejtim të ushtrimit të veprimtarive ekonomike, ku pjesëtarë të saj ushtronin role të caktuara. Këto veprimtari shtriheshin në lagunën e Karavastasë, në shoqërinë e sport-klub Lushnjës, në bingon e qytetit e të tjera.

Ky lajm është publikuar: 07/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›