Deficiti tregtar u rrit me 100 milionë euro
Autori i Lajmit: Redaksia
Deficiti i llogarisë korente të Shqipërisë u rrit në 331 milionë euro gjatë tremujorit të tretë të vitit 2009, nga 231 milionë euro që ishte një vit më parë.
Lajmin e ka bërë të ditur Banka e Shqipërisë pasi ka pasqyruar raportin më të fundit për deficitin e llogarisë korente. “Shuma e transaksioneve korente hyrëse dhe dalëse, gjatë tremujorit të tretë të vitit 2009 ishte 2.677 milionë euro ose rreth 7 për qind më e lartë se një vit më parë.
Llogaria korente
Llogaria korente regjistroi një deficit prej 331 milionë eurosh, krahasuar me 231 milionë euro në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”,- thuhet në raportin e BSH-së. Gjatë periudhës janar-shtator 2009, deficiti i llogarisë korente u rrit në 1.035 miliardë euro nga 861 milionë euro që pati qenë në të njëjtën periudhë të vitit 2008. Shqipëria është një nga vendet me deficitin më të lartë të llogarisë korente në Evropë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto dhe ky deficit vijon të rritet. Gjatë vitit të kaluar, deficiti i llogarisë korente u financua pjesërisht nga kreditë në valutë që mori qeveria dhe pjesërisht nga shitja e disa kompanive publike. Deficiti më i lartë u shkaktua nga rënia e të ardhurave nga emigrantët dhe nga puna sezonale, rënia e eksporteve të mallrave etj.
Thellimi i borxhit
Qeveria shqiptare parashikon që për këtë vit të financojë shumicën e deficitit buxhetor me borxh në tregun ndërkombëtar. Ministri i Financave, Ridvan Bode, është shprehur se, "shërbimi i borxhit publik për vitin 2010 përbën një sfidë, ndaj jemi përgatitur që në pranverë Shqipëria të dalë në tregun ndërkombëtar për të financuar nevojat e vendit për para me një kosto shumë më të mirë". Ministri shtoi se, për të dalë nga kjo situatë qeveria do të zbatojë një strategji të re duke kërkuar ndihmën e institucioneve ndërkombëtare për financimin e projekteve të mëdha publike.
Turizmi
Suficiti në shërbime turistike, i cili më parë ka qenë një nga zërat më të rëndësishëm të të ardhurave, nuk ndihmoi shumë në këtë drejtim. Sipas BSH-së, numri i të huajve që erdhën në Shqipëri këtë vit pësoi një rritje të konsiderueshme. Turistët shpenzuan më shumë para gjatë ditëve që kaluan në vendin tonë, por kohëzgjatja e qëndrimit të tyre u ul ndjeshëm. “Tremujori i tretë regjistroi një rritje të konsiderueshme të numrit të udhëtarëve jorezidentë që kanë vizituar Shqipërinë dhe rritje të shpenzimeve mesatare ditore, ndërkohë që koeficienti i ditë-qëndrimit vlerësohet në rënie ndaj një viti më parë”, thotë BSH. Shumica dërrmuese e turistëve ishin nga Kosova, për shkak të lehtësisë së krijuar nga rruga Durrës-Kukës.
Ky lajm është publikuar: 07/01/2010