E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkim Shehu, i dyti në "Ballkanika"

Në Shkup të Maqedonisë u shpall dje shkrimtari fitues i edicionit të sivjetshëm të konkursit letrar, "Ballkanika 2008". Vladislav Bajaç, me romanin "Hamami ballkanik", është renditur më i miri mes autorëve të vendeve të ndryshme ballkanike, të cilët kanë konkurruar për çmimin letrar. Në vend të dytë është përzgjedhur autori që ka përfaqësuar Shqipërinë, Bashkim Shehu. Ai është renditur pas autorit serb me romanin "Angelus Novus". Ky roman është botuar në vitin 2006, ndërsa është pritur me interes nga lexuesi shqiptar. Kritika dhe shtypi e kanë vlerësuar si një nga veprat që ngjalli interes dhe diskutime në rrethe intelektuale. "Angelus Novus" është në proces botimi në Amerikë dhe në Francë. Fituesi, shkrimtari serb Vladislav Bajaç, autor i romanit më të mirë për Ballkanin, është vlerësuar me Diplomën e Nderit, një distinktiv me simbolin e "Ballkanikës", si dhe një çmim në vlerë monetare i cili shkon nga 5 deri në 10 mijë euro. Pas fitores në "Ballkanika", "Hamami Ballkanik" do të shohë dritën e botimit në të gjitha vendet pjesëmarrëse në konkurs, si një kusht i aktivitetit. Bajaç është një nga autorët e rrëfenjave, përrallave dhe romaneve të Serbisë bashkëkohore. Ai është një nga autorët më të përkthyer serbë në nivel ndërkombëtar. Vladislav Bajaç shkruan edhe poezi, përveç tregimeve e romaneve. Në këtë gjini ai është vlerësuar me dy çmime në Japoni, në konkursin ndërkombëtar "The International Itoen Haiku Poetry Contest". Poezitë, romanet dhe tregimet e tij janë përkthyer e botuar në revista dhe antologji të ndryshme në disa gjuhë të huaja. Libra të tij janë publikuar në Francë, Maqedoni, Bullgari dhe Rusi. Mënyra se si ai shkruan të vendos në një botë ëndrrash, jo shumë e lehtë për t‘u kuptuar. E megjithatë të gjitha ëndrrat kanë një burim prej nga vijnë, që është prezente në mendje dhe në zemrën e ëndërrimtarit në momentin që ndez motorin e ëndrrave. Edhe pse ato shpesh na kthejnë në fëmijëri ose na paraqesin skenarë të së ardhmes, gjithnjë provokohen nga diçka që i përket së tashmes. Megjithatë, ëndrrat sipas Bojaç mbeten një portë e vërtetë, e cila u çel rrugë botëve të reja që njeriu do të mund t‘i kuptojë vetëm nëse di të ruajë habinë dhe mrekullinë në zemrën e tij. shpesh në ato që shkruan Vladislav Bajaç ndërton një busull të vërtetë për t‘u orientuar në botën fantastike dhe onirike. Rrëfimet e tij janë shumë më të thjeshta se edhe vetë përrallat, duke përfunduar gati gjithmonë me një moral. Bajaç shpesh nëpërmjet letërsisë së tij na ofron një mundësi, një dritare ndryshe, prej së cilës lexuesi mund të njohë realitetin. Vladislav Bajaç ka lindur në vitin 1954 në Beograd, vend ku vazhdon të jetojë. Ai është shkrimtar dhe botues, ndërsa ka zhvilluar edhe aktivitetin si gazetar. Bajaç ka përkthyer prej gjuhës angleze tekste të ndryshme letrare. Vladislav Bajaç është autor i dy librave me poezi, dy librave me tregime dhe pesë romaneve. Aktualisht ai punon në shtëpinë botuese "Geopoetika", në Beograd.

Në edicionin e sivjetshëm të "Ballkanika 2008", mori pjesë Bullgaria me Alek Popov, autor i romanit "Kutia e zezë"; Greqia me Takis Theodoropoulos, i cili ka sjellë në konkurrim "Trillimi i Venerës së Milos"; Maqedonia është paraqitur me autoren Iljana Dirjani dhe romanin e saj "Botë të fshehta". Aura Christi ka përfaqësuar Rumaninë me romanin "Vendi i paprekshëm", ndërsa Turqia është përfaqësuar me shkrimtarin Tasim Uzjel dhe romanin e tij, "Gradiaçiela".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›