E Diel, 1 Nëntor 2026

Mali i Zi, sukses në "Skampa"

Nis suksesshëm Festivali i dhjetë Teatror i Elbasanit. Trupa nga Mali i Zi ka çelur këtë edicion të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Elbasan me veprën "Medea" të Euripidit. Trupa malazeze, e drejtuar nga regjisori Slobodan Milatoviç, ka bërë për vete publikun elbasanas, ndërsa është vlerësuar tepër edhe prej kritikës. Milatoviç është shprehur se kjo pjesë antike është sjellë në këtë shekull të ri dhe në një interpretim e konceptim po aq të ri. Gjatë punës së tij regjisoriale, Milatoviç ka thënë se ka pasur parasysh që fabula familjare e pjesës mbetet si një lloj dukurie në familjen ballkanase ku mentalitetet dhe kontradiktat sjellin risi të përbashkëta të popullit ballkanik. Në një prezantim të shkurtër para kritikëve të artit dhe mediave, artistët malazezë janë vlerësuar maksimalisht në Elbasan. Gjatë natës së parë të festivalit është shtruar edhe problemi i mungesës së fletëvolanteve për të zbutur barrierat e gjuhës. Gjatë natës së parë të festivalit ka rënë në sy edhe mungesa e përfaqësuesve nga Ministria e Kulturës. "Unë nuk e kuptoj këtë indiferencë", është shprehur Artisti i Popullit, Luftar Paja, i cili ka vlerësuar organizatorët dhe vlerat që përcjell festivali teatror në fjalë.

Shfaqja italo-zvicerane, "Pse-Pse?", me regji të Peter Brok, është anuluar për mungesë fondesh nga ana e organizatorëve. Ndërsa trupa e Maqedonisë është paraqitur të shtunën me pjesën "Gjithandej", të regjisorit Dejan Projkofski. Natën e parë të festivalit kritikët janë shfaqur disi pesimistë për mungesën e shikuesve të përzgjedhur në sallë. Nga ana e tij, regjisori i festivalit, Adonis Filipi, ka shpjeguar se kushtet atmosferike kishin "izoluar" trupat teatrore me shfaqjet në sallë, pasi konceptimi i një pjesë shfaqjesh ishte parashikuar në mjedise të hapura dhe vende me vlera turistike dhe arkeologjike të qytetit të Elbasanit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›