E Diel, 1 Nëntor 2026

Sting: Këtë natë kam ëndërruar Pavarotin

Duetet, darkat në Londër dhe ajo natë ku "Big Luçiano" i këndoi përmes telefonit "Panis angelicus". Në prag të koncertit që do të zhvillohet në Jordani në nder të këngëtarit, ish-solisti i "Police" tregon të fshehtat e raportit special me tenorin e madh

"Miqësia me Luçianon ka lindur në telefon, në fillim të viteve ‘90. Ishte një bashkëbisedim i paharrueshëm. Sa herë që e kujtoj më vjen për të qeshur. Mendoj se ka ardhur momenti të tregoj gjithçka". Këto janë fjalët e ish-liderit të grupit "Police", i cili e mbylli përfundimisht kapitullin me grupin gushtin e vitit të kaluar, në një koncert madhështor në Nju Jork. Tani Sting është një njeri i lirë, të paktën nga ana artistike. Kohët e fundit, këngëtari anglez po përgatitet për koncertin, i cili do të zhvillohet në Jordani në datat 11 dhe 12 tetor, në nder të Pavarotit (ditën ku këngëtari do të kishte mbushur 73 vjeç).

Le t‘i rikthehemi dhe një herë telefonatës: ishit ju ai që i telefonuat?

Jo, Luçiano kishte nevojë të bisedonim, por nuk po arrinte të më gjente. Kështu provoi me numrin e shtëpisë sime në Londër. Unë po darkoja me disa miq. Sapo ra zilja e telefonit, ngrita receptorin dhe menjëherë dëgjova këto fjalë: "Përshëndetje Sting, jam Luçiano dhe dëshiroja të të pyesja nëse e njeh një këngë të titulluar ‘Panis angelicus‘. Nuk dija se si të përgjigjesha, sepse nuk e kisha dëgjuar kurrë më parë këtë këngë. Druhesha se mos kisha bërë figurë të keqe, por ai as që e vrau mendjen dhe më tha: ‘Të siguroj se është shumë e thjeshtë, nëse dëshiron po ta këndoj‘". Dhe kështu filloi të këndonte me të gjithë zërin që kishte. Isha kaq i tronditur, saqë e vura telefonin me zë të lartë që ta dëgjonin edhe miqtë e mi. Këndoi për disa minuta. Ne kishim shtangur të gjithë. Pas asaj që kishte ndodhur, të gjithëve na ishte prerë oreksi.

Pas asaj telefonate, pranuat të bënit duet me Luçianon?

Nuk më ka lënë ndonjë mundësi zgjedhjeje. Atë mbrëmje e mbylli telefonin duke më thënë: "Tani që e dëgjove këngën, besoj se do ta këndosh me mua". Unë vazhdoja të kisha shumë dyshime, por ai e kishte vendosur. Pas disa ditësh u shfaq në shtëpinë time në Londër. Gruaja ime mbeti e impresionuar. Pasi u përshëndetëm, shkuam në studion time për të regjistruar "Panis angelicus". Nuk e kisha imagjinuar ndonjëherë se do të kisha privilegjin të këndoja përkrah tenorit më të madh të të gjitha kohërave. Unë kam filluar të luaj muzikë që në kohërat ‘punk‘, kur këngëtarët shfaqeshin në skenë me flokë të lyera me ngjyrë të verdhë dhe portokalli.

Cili është kujtimi juaj i fundit në lidhje me Pavarotin?

Të them të drejtën, imazhi i fundit që më është ngulitur në kokë lidhet me një ëndërr. E kam ëndërruar Luçianon dhe ishte shumë ndryshe. Në ëndërr ai ishte rikthyer në jetë mes miqve dhe unë isha shumë i mallëngjyer, sepse po i tregoja që do të organizonim një koncert të madh në kujtim të tij. A e merrni me mend përgjigjen e tij? Ja se çfarë më tha: "Kjo që po bën nuk ka kuptim, sepse unë nuk jam larguar kurrë nga kjo botë". Pas kësaj u zgjova menjëherë me ndjesinë se kisha bërë një gafë të madhe. Vetëm pas disa minutash e kuptova se ishte vetëm një ëndërr.

Përtej talentit artistik, si ishte Pavaroti nga ana njerëzore?

Ishte fantastik, një njeri i jashtëzakonshëm, si nga ana artistike dhe ajo njerëzore.

Kur keni kënduar përkrah tij, jeni nderë ndonjëherë jo në lartësinë e duhur përballë tij?

Sado bukur të këndosh, përkrah një tenori të madh është e pamundur të mos jesh në lartësinë e tij. Ai ishte i madh, sepse arrinte të mbulonte edhe gabimet e mia të vogla, pa më bërë të ndihesha keq.

Pas u takuat disa herë, u bëtë miq të vërtetë?

Ishte krijuar një lidhje shumë e fortë mes bashkëshortes sime, Trudy dhe Nicoleta Mantovani. Luçiano dhe bashkëshortja e tij na kanë ndihmuar shumë në organizimin e koncerteve, ndërsa ne i kemi mbështetur me gjithë forcën tonë për spektaklin "Pavarotti & Friends".

Çfarë mendonte për ju si këngëtar Pavaroti? I ka komentuar ndonjëherë disqet tuaja?

Jo nuk ka bërë kurrë asnjë koment dhe unë nuk kam guxuar kurrë t‘i bëj një pyetje të tillë. Për zërin tim kishte opinion të mirë. Thoshte shpesh se kam zë interesant dhe se me punë mund të arrija shumë. Në fakt, përmirësimet që kam pasur kohët e fundit, u detyrohen provave që kam bërë me të në studion e tij. Kur punon me profesionistë, vetëm perfeksionohesh. Në spektaklin që do të organizohet kam vendosur t‘i kushtoj një nga këngët e mia më prekëse: "Fields of gold".

Ju kujtohet hera e fundit që keni biseduar?

Natyrisht, një javë para se të largohej për në botën tjetër. Kisha pothuajse një vit pa e parë, por komunikonim vazhdimisht. Biseduam për disa minuta në telefon dhe të dy e dinim se çfarë do të ndodhte, se tashmë kishte ardhur fundi.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›