Bashkim Zeneli: Gabimet e Ramës që sollën humbjen e PS-së në zgjedhje
Aristir Lumezi
Bashkim Zeneli, në një intervistë ekskluzive për “Panorama”, analizon me qetësinë dhe objektivitetin e një diplomati, por dhe shqetësimin e një prej ish-drejtuesve të lartë të PS-së, humbjen e kësaj partie në zgjedhjet e 28 qershorit. Zoti Zeneli, ju keni qenë një nga figurat kryesore të PS-së që në themelimin e saj, me disa detyra të rëndësishme e deri në ’97-ën kur ju kaluat në shërbimin diplomatik. Ju keni folur edhe para zgjedhjeve për disa problematika brenda të majtës, si jeni ndjerë pas rezultatit të 28 qershorit?
Natyrisht më ka ardhur keq për humbjen e PS-së, e kam dashur fitoren e saj me në krye Edi Ramën. Tashmë gjërat kanë përfunduar, por nuk duhen marrë si fatalitet, megjithëse mendoj se duhet pritur dhe certifikimi zyrtar i rezultatit. Njëra nga partitë do të fitojë, por ndjej keqardhje që PS-ja me gabimet, me të metat dhe meritat e saj gjatë katër viteve nuk arriti të dalë fituese e tyre. PS-ja ka kapacitete që t’i fitonte këto zgjedhje, por ka dhe gjithashtu fuqinë për ta rimarrë veten.
Pas këtij rezultati, cilat ishin disa nga shkaqet që çuan në këtë rezultat dhe cila duhet të jetë e nesërmja e kësaj force politike?
Natyrisht humbja është humbje, ajo duhet të pranohet dhe është momenti që PS-ja dhe në mënyrë të veçantë, udhëheqja e saj bashkë me kryetarin, që kanë përgjegjësi për këtë humbje, duhet të kalojnë në analiza të sinqerta dhe me gjakftohtësi, të rishohin hapat e bërë gjatë këtyre katër viteve, për raportet e krijuara me elektoratin, me aleatët, për tezat e artikuluara për të treguar dinjitet dhe personalitet në opozitën që pritet të bëjë në katërvjeçarin e ardhshëm. Qëllimi është që gabimet e bëra në këto katër vjet dhe veçanërisht gjatë fushatës të mos përsëriten. Mendoj se nuk duhet të hidhen teza nga drejtues kryesorë të PS-së jo vetëm për mosnjohje zgjedhjesh dhe mospjesëmarrje të PS-së në Parlament, por nga kjo humbje duhet të dalin mësimet e duhura. Janë dhënë mesazhe para dhe pas zgjedhjeve për qëndrimin që duhet të ketë PS-ja, por këto mesazhe nuk janë marrë seriozisht nga drejtuesit e saj. Mendoj se PS-ja duhet të reflektojë me shumë kujdes dhe të mos vazhdohet me filozofi të tilla të disa drejtuesve që “jemi ne pa jeni ju”.
A mendoni se ka dështuar me këto zgjedhje politika e re e Edi Ramës dhe ajo filozofi që mohonte çdo arritje gjatë këtyre 18 viteve?
Politika shqiptare ka nevojë për një frymë të re bashkëpunimi dhe mirëkuptimi, por kam përshtypjen që teza e politikës së re nuk u arrit të zbërthehej si duhet; elektorati nuk u arrit të bindej nga kjo filozofi, të dinin në radhë të parë socialistët se çfarë kërkonte dhe ku do shkonte kjo politikë e re. Apo aq më tepër është e gabuar, teza e mohimit të historisë së këtyre 18 vjetëve. Reforma janë bërë gjatë këtyre viteve, Shqipëria ka ecur përpara, është pranuar në NATO, ka marrë rrugën drejt BE-së, ndërkohë që natyrisht është përgjegjësi e klasës politike shqiptare ky tranzicion i zgjatur, i mundimshëm dhe shpeshherë me një imazh problematik. Në këto arritje dhe probleme ka pasur dhe ka meritën edhe përgjegjësinë e saj edhe PS-ja, e cila gjatë tetë viteve qeverisje solli një filozofi të re të funksionimit dhe respektimit të shtetit ligjor. Unë nuk mund ta konceptoj qëndrimin e ish-ministrave socialistë që shoqëronin në turet e tij Edi Ramën në Shqipëri, duke mos mbrojtur këto arritje të qeverisë socialiste para këtyre tezave. Mesa duket kjo ka të bëjë dhe me karakteret, apo dhe me sigurimin e një vendi të sigurt në listën e deputetëve.
Mendoni se turet e vazhdueshme të kryetarit socialist në Shqipëri patën sukses në shpalosjen e programit të PS-së dhe alternativës së saj qeverisëse?
Në këto katër vjet turet e Ramës nuk kanë pasur asnjë të keqe, nga ana e kontaktit njerëzor me elektoratin. Më duket se gjuha e përdorur me bazën ka qenë nihiliste, por dhe premtimi ka qenë shumë flu, global dhe i përgjithshëm. Më shumë është përqendruar në një fushatë evidentuese. Ka munguar zbërthimi dhe detajimi i alternativës qeverisëse socialiste. Premtimet për urat, shkollat apo qendrat shëndetësore janë premtime që i bën çdo deputet i zonës. Deklaratat që bëheshin në këto ture të linin përshtypjen se në tokë kishin zbritur disa njerëz që vinin nga planetë të tjerë, për gjëra dhe çështje që dihen nga të gjithë. Programi i PS-së në një mënyrë ose një tjetër për fushat më kryesore, duhej zbërthyer me kohë që njerëzit të dinin çfarë presin nga PS-ja. Në këtë drejtim, turet nuk kanë dhënë rezultatin që pritej dhe që duhej të konkretizohej në rezultat zgjedhor, pra të ishin bërë të besueshme për elektoratin, por edhe më gjerë.
Disa muaj para zgjedhjeve, ju përmes një interviste televizive jeni shprehur për domosdoshmërinë e kandidimit të kryetarit socialist në krye të listës së deputetëve. Mungesa e tij në këtë listë sa ka ndikuar negativisht në rezultatin e zgjedhjeve?
Unë mendoj se edhe kjo ka pasur peshën e vet nga pikëpamja psikologjike dhe funksionale. Nuk them se Rama nuk drejtoi fushatën në gjithë Shqipërinë. Më vjen mirë që ia kam thënë kohë më parë domosdoshmërinë e angazhimit të tij në listën e kandidatëve të PS-së. Natyrisht ai kishte një kontratë me qytetarët e Tiranës, që e zgjodhi për herë të tretë, por kishte një kontratë më të madhe me elektoratin e majtë për të marrë përsipër qeverisjen e vendit. Kjo s’duhet të ndodhte, aq më tepër që fushata e Berishës u mbështet shumë në moskandidimin e Ramës. Mendoj se edhe ky element ka ndikuar negativisht në këtë rezultat.
Koalicioni i djathtë doli fitues. Cilat ishin defektet që u vunë re në koalicionin e majtë?
Unë mendoj se koalicionet, jo vetëm në të majtë, por dhe të djathtë, përgjithësisht kanë qenë formale. Nëse e djathta diti të grumbullojë mjaft parti nën një koalicion, e majta nuk arriti ta bëjë këtë. Ajo ka pasur probleme në koalicionin e saj. Unë kam kontaktuar me drejtues të partive të majta, që ankoheshin për një koalicion formal, ku kishte kohë që nuk komunikohej mes partive të koalicionit, pa folur për platforma apo programe të përbashkëta. Në radhë të parë, PS-ja duhet të kishte koalicion me anëtarësinë e vet, me strukturat e saj, pasi mendoj se ka pasur mjaft probleme në funksionimin e PS-së. Filozofia e përjashtimit të mjaft deputetëve apo drejtuesve të PS-së, në qendër apo në bazë, mosangazhimi i tyre në strukturat e PS-së, por dhe në fushatë, duke i konsideruar “xhaketa të vjetra”, kur ky mentalitet është ulur këmbëkryq në kryesinë e PS-së. Në të kundërt do të thosha që koalicioni i djathtë, që pas 2005 diti të jetë më përfshirës, afroi edhe njerëz që dikur kanë qenë kundërshtarë të Berishës, ndërsa PS-ja jo vetëm nuk asimiloi alternativat e ndryshme brenda saj, por u përpoq të “zbulojë” “armiq” nga jashtë dhe brenda saj. Nga shumë drejtues të PS-së ka një arrogancë dhe shpërfillje, ka një mendjemadhësi provinciale ndaj njerëzve me kontribute në PS, apo dhe me mendime ndryshe.
Shumë kohë para zgjedhjeve, ju keni hedhur tezën e nevojës së domosdoshme të bashkëpunimit të PS-së me LSI-në, ndërkohë që keni mbështetur edhe deklaratën e Ilir Metës se do të bashkëpunonte me PS-në pas zgjedhjeve, ndërsa ka pasur një injorim të këtij bashkëpunimi nga ana e selisë rozë. Pse ka ardhur sipas jush ky refuzim për bashkëpunim?
Unë kam qenë i bindur dhe nuk i heq asgjë asaj që kam thënë, se duhej gjetur rruga efikase e bashkëpunimit të PS-së me LSI-në, madje edhe më mirë se në zgjedhjet vendore të 2007-ës. Kam përshëndetur publikisht deklaratën e Metës në mars 2009 për gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar me PS në rast fitoreje. Ai ishte një mesazh për elektoratin e majtë për një bashkim pas zgjedhjeve, për një maksimalizim të votave të majta drejt koalicioneve të dy partive. Por kishte dhe vlerë, sepse në një farë mënyre ulte grykat e pushkëve dhe të topave ndaj njëri-tjetrit në prag të fushatës elektorale. Më ka ardhur keq që drejtues të PS-së kanë dhënë përgjigje kategorike dhe fyese ndaj LSI-së. Unë mendoj se Meta nuk duhej trajtuar në atë mënyrë, por të uleshin shpatat, të gjendej gjuha e mirëkuptimit. Jo vetëm kjo ftesë duhej përshëndetur, por duhej të ishin nisur elementët e bashkëpunimit mes tyre.
Kemi të deklaruar një bashkëqeverisje PD-LSI. Nga ana e PS-së ky bashkëpunim i LSI-së cilësohet si tradhti ndaj të majtës. Ju si diplomat që keni parë nga afër kompromise mes kampeve kundërshtare si e gjykoni një vendim të tillë të LSI-së në këtë situatë politike?
Unë nuk dua të shoh si tradhti të Metës bashkëpunimin me Berishën. Nuk e besoj se ka pasur një marrëveshje paraprake mes tyre. Dua të shikoj edhe krahun tjetër. Berisha ka deklaruar pak ditë më parë se do të bënte koalicion edhe me PS-në nëse do ta detyronin kushtet. Tani jemi para një fakti të kryer. Kjo nuk duhet parë si tradhti partiake apo kombëtare. Përvoja e mjaft vendeve të zhvilluara ka treguar se në momente të caktuara politike ka pasur dhe ka një bashkëqeverisje mes të majtës dhe të djathtës, pa thënë Gjermaninë që është në koalicionin e tretë bashkëqeverisës pas luftës. Dua të besoj këtë pranim të ftesës nga ana e Metës si një filozofi përgjegjësie për momentin. Kjo do t’i shërbejë ruajtjes së zhvillimit të vendit dhe hapjes rrugë të proceseve integruese, të cilat do të frenoheshin apo vonoheshin nëse do kishim qeveri teknike dhe zgjedhje të përsëritura. Padyshim që zoti Meta dhe LSI kanë marrë një risk përsipër me këtë vendim. Nuk dihet se sa afatgjatë do të jetë ky koalicion, por unë do të doja të shihja fundin e këtij mandati bashkë me produktet e tij. Nuk është ndonjë hata një bashkëqeverisje e tillë, natyrisht ka nevojë për rritje besueshmërie. Shumë lehtë mund të kishim pasur dhe një bashkëqeverisje PD-PS në të njëjtat kushte. Për mua ky është një kompromis që duhet parë dhe tek imazhi që do të japin për vendin. Ndikim pozitiv mendoj se do të ketë dhe funksionimi i administratës shtetërore, ku do të shmangen sa të mundeshin dhe tifozët partiakë. Ky model mund të jetë dhe nisja e një eksperience bashkëqeverisjeje mes të majtës dhe të djathtës, pasi sistemi zgjedhor që kemi aktualisht nuk lejon partitë e mëdha të kenë diferenca të mëdha në mandate, për t’i lejuar ato të qeverisin të vetme.
Përbërja e listave të kandidatëve sa ndikoi në këtë rezultat?
Përfaqësimi i PS-së në Parlament me këto lista ka pjesën e saj në rezultat. Ka pasur shumë figura dhe personalitete me reputacion, por ka dhe prurje të reja në këto lista. Unë mendoj se edhe pse elektorati do votonte për partitë, ai do kërkonte të shihte në këto lista emra me peshë, me një histori brenda PS-së, por dhe emra të rinj e të spikatur, të provuar për pjekuri politike dhe profesionale. Ka pasur probleme dhe këto kanë luajtur rolin e tyre. Ka figura që figuronin në listë vetëm pse kishin mbaruar një master apo doktoraturë jashtë shtetit. Sot ka mjaft të rinj me tituj shkencorë në Shqipëri dhe jashtë saj, por mendoj se ata duhet të aktivizohen dhe të kalojnë përvojën partiake dhe administrative. Listës së PS-së nuk i kanë munguar këtë radhë dhe figura të dyshimta, me një të kaluar mjaft të dyshimtë dhe këto nuk mund t’ia imponosh elektoratit për t’i marrë votën. Po ashtu në lista ka pasur dhe figura që kanë kohë që nuk i kemi dëgjuar asnjëherë të flasin në Parlament apo të jenë aktivë në jetën partiake, politike apo publike. Ky është një raport i partisë me elektoratin, i cili nuk duhet zhgënjyer. Mendoj se edhe mënyra se si u hartuan listat, përfaqësonin filozofinë e lidershipit të PS-së.
Gjatë këtyre katër viteve ka pasur një frymë përjashtimi në PS që çoi deri dhe në krijimin e një partie të re, siç është PSV ‘91. Ndërkohë që dhe ish-kryetari socialist, Fatos Nano, është konsideruar si njeriu që është jashtë projektit të zotit Rama. Sa dëmtoi dhe ky qëndrim përjashtues në rezultatin zgjedhor?
Është shqetësuese fryma përjashtuese që ka ekzistuar në PS gjatë këtyre katër viteve dhe mendoj se lideri historik i PS-së, Fatos Nano, nuk mund dhe nuk duhej trajtuar në atë mënyrë nga udhëheqja e PS-së. E them këtë, sepse ai ka kontribute të jashtëzakonshme në atë parti, është themeluesi i saj, duke çuar atë në fitore përveç 2005 kur dha dhe dorëheqjen. Elektorati i majtë, por edhe më gjerë ka pritur një qëndrim ndryshe të udhëheqjes së PS-së ndaj Fatos Nanos, dhe në një farë mënyre ai u zhgënjye, jo thjesht sepse nuk u përfshi Nano në listën e deputetëve, por shumë më gjerë. Fryma përjashtuese e udhëheqjes së PS-së ka pasur një peshë të rëndë në humbjen e saj elektorale, dhe këtu nuk ka përgjegjësi vetëm Rama, por edhe ata drejtues servilë, të paaftë, konformistë dhe që vazhdojnë “t’i luajnë syrin vetes” se janë ata partia. Të tilla figura drejtuese kishin “kurajon” të ngrinin probleme vetëm nëpër tavolina kafenesh dhe në parti heshtnin. Rama nuk arriti të kuptojë se ky takëm po e dëmtonte edhe më shumë me “mbështetjen” e verbër dhe servile.
Pas mësimit të rezultatit të zgjedhjeve, është hapur një debat nëse kryetari socialist, në bazë dhe të statutit duhet të japë ose jo dorëheqjen nga drejtimi i PS-së. Cili është mendimi juaj rreth kësaj çështjeje?
Unë mendoj se hapi i parë është pranimi i humbjes, është analiza që duhet bërë në PS dhe natyrisht si në çdo parti evropiane, përgjegjësinë kryesore për një humbje e mban kryetari i saj. Është partia pastaj që gjykon vazhdimin e drejtimit të partisë prej atij apo largimin e tij nga drejtimi i saj. Lufta për të marrë drejtimin e PS-së është një e drejtë e çdo anëtari të partisë, por mendoj se më parë duhet bërë analiza në forumet e partisë mbi përgjegjësitë politike të këtij rezultati.