E Diel, 1 Nëntor 2026

Rregullorja e regjistrit të kredive, BSH ndryshon rregullat në favor të kredimarrësit

Kredimarrësi ka të drejtë t’i kërkojë bankës ruajtje të të dhënave personale

Ervin KOÇI

Të gjithë individët dhe subjektet që kanë aplikuar ose do të aplikojnë për marrjen e një kredie bankare, tashmë janë të ndërgjegjshëm për funksionimin e një regjistri që skedon të dhënat e tyre personale. Ky regjistër kohët e fundit ka pësuar disa ndryshime të reja, të cilat Banka e Shqipërisë i ka përshtatur në një rregullore shtesë për funksionimin e regjistrit të kredive. Përmirësimi i këtij kuadri ligjor ka për qëllim edhe dhënien e disa përparësive klientëve kredimarrës porsa i përket mënyrës së ruajtjes së të dhënave personale që ata japin që në fillim kur aplikojnë në një bankë të nivelit të dytë për marrjen e kredisë. Një prej ndryshimeve parashikon që raportuesit e të dhënave, bazuar në vlerësimin e tyre dhe në rregullat e brendshme, mund të kërkojnë informacion edhe për personat për të cilët çmojnë se janë persona të lidhur me subjektin e interesuar që aplikon për të marrë kredi. Ndryshimet do të hyjnë në fuqi 15 ditë pasi të jenë botuar në Fletoren Zyrtare. Një tjetër rregull është dhe ai i faturimit, që kryhet mbi bazën e numrit të kërkimeve të suksesshme të muajit, sipas dëftesave të debitit dhe të tarifës së miratuar nga BSH-ja për çdo kërkesë të kryer nga raportuesi i të dhënave. Gjithashtu, një prej ndryshimeve ka të bëjë me dhënien e pëlqimit nga ana e klientit për bankën që kërkon të marrë të dhëna për kreditë e tij të mëparshme. “Kërkesa e kredimarrësit do të konsiderohet e pranuar nga BSH-ja, kur kërkuesi ka dorëzuar kërkesën, mandatpagesën e tarifës dhe dokumentet e tjera shoqëruese të nevojshme për shqyrtimin e kërkesës”, - thekson rregullorja. Kur kredimarrësi nuk është dakord me të dhënat që përmban raporti i kredimarrësit, ka të drejtë ti drejtohet BSH-së, për të kërkuar verifikimin apo rishikimin e të dhënave që ekzistojnë për të në Regjistrin e Kredive.

Kërkesa

Çdo person, rreth të cilit mbahet informacion dhe të dhëna në Regjistrin e Kredive, ka të drejtë që përkundrejt një pagese të arsyeshme, të informohet në rrugë zyrtare në lidhje me këtë informacion. Ai mjafton ti drejtohet Regjistrit të Kredive me një kërkesë me shkrim dhe brenda 10 ditësh nga depozitimi i kërkesës, personi do të pajiset me një kopje të informacionit të kërkuar. Me anën e të dhënave që janë hedhur në Regjistrin e Kredive bëhet i mundur vlerësimi i detajuar i ekspozimit të bankave dhe i subjekteve kredimarrëse ndaj financimit sipas monedhave, vlerësimi i detajuar i llojit të kolateraleve dhe të garancive të përdorura, si dhe evidentimi i lidhjeve që ekzistojnë midis subjekteve të ndryshme kredimarrëse.

Përfitimet e bankave

Regjistri i Kredive vë në dispozicion të pjesëmarrësve të sistemit të tij (regjistrit), informacionin e nevojshëm për të gjykuar drejt dhe shpejt mbi aftësitë shlyerës të aplikuesit për kredi. Kjo ndihmon në reduktimin e kohës së nevojshme që bankave u nevojitet për marrjen e vendimit për dhënien e kredive dhe ndikon në rritjen e cilësisë së kredisë. Gjithashtu, kredidhënësit përfitojnë nga ulja e kostove të kredive dhe si rezultat, kanë në dispozicion më shumë fonde të vlefshme për kredi. Raporti personal i kreditit është një pasqyrë e “shëndetit financiar” të individëve dhe bizneseve. Nëse Regjistri i Kredive reflekton një historik pozitiv krediti të një klienti (domethënë nëse kredimarrësi ka qenë i rregullt në shlyerjen e kredive të mëparshme), kur ai kërkon kredi nga burimi i tij financiar, përfiton shërbime më të shpejta dhe me interesa më të ulëta.

BOX////////////////////////
Nevoja për para, qeveria rrit interesin e bonove të thesarit

Interesi i bonove të thesarit ka filluar të rritet sërish drejt niveleve më të larta duke arritur në ankandin e fundit rekordin 9.28 për qind. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar interesat e bonove me afat njëvjeçar janë rritur me më shumë se 1.1 për qind. Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se muajt e fundit ka një rritje konstante të interesave të bonove. Sipas të dhënave, në prill interesi i bonove njëvjeçare rreth 9.13 për qind, në maj arriti 9.17 për qind, ndërsa në qershor 9.24 për qind. Ekspertët thonë se shtrenjtimi i bonove po vjen për shkak të ngërçit në tregun financiar, por edhe si pasojë e kërkesës së lartë të qeverisë për borxh, e cila gjendet në nevojë për para si pasojë e rënies së të ardhurave në buxhet, por edhe rritjes së shpenzimeve. Sipas BSH-së, vetëm në 15 ditët e para të këtij muaji qeveria ka marrë rreth 53 miliardë lekë borxh përmes bonove ose gati 10 miliardë më shumë se gjysma e parë e korrikut të vitit 2008.

18 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›