E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli: Hetim prokurorit të Kurbinit

 

Trazhgim Sokolaj

Këshilli i prokurorisë shtyu dje përsëri vendimmarrjen lidhur me procedimin disiplinor të Prokurorit të Kurbinit, Tom Deda. Kësaj here shkak nuk ka qenë mosparaqitja e prokurorit në Këshill, siç ndodhi në mbledhjen e kaluar, por vendimi për të verifikuar disa nga pretendimet e Tom Dedës, për parregullsi në kontrollin e ushtruar ndaj tij. Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme, thanë se Këshilli ka marrë dijeni lidhur me ankesat e prokurorit në fjalë për parregullsi procedurale në kontrollin e ushtruar ndaj tij. "Këshilli mori dijeni për disa pretendime të prokurorit, Tom Deda, të cilët u kërkuan të verifikohen nga Drejtoria e Inspektimit në mënyrë që raporti të bëhet pjesë e procesit për masë disiplinore që ka filluar në Këshill", thanë burimet nga mbledhja e djeshme. Sipas tyre, Këshilli ka vendosur që të shtyjë më tej mbledhjen për në datë 24 korrik 2009, kur pritet të merret një raport i qartë lidhur me pretendimet e prokurorit. Pak ditë më parë, Këshilli i Prokurorisë shtyu mbledhjen e radhës, pasi sipas burimeve nga ky institucion, prokurori i Kurbinit Tom Deda, ndaj të cilit ka nisur proces disiplinor, nuk u paraqit në mbledhje për të bërë kundërshtimet e tij lidhur me përfundimet dhe "akuzat" që i janë bërë nga Drejtoria e Inspektimit. Pak ditë më parë, pas akuzave nga Këshilli se nuk ishte paraqitur në mbledhje, Prokurori i Kurbinit, Tom Deda, reagoi publikisht lidhur me procedimin disiplinor të nisur nga Këshilli i Prokurorisë. Këshilli e kishte akuzuar prokurorin Deda se për tri herë me radhë nuk ishte paraqitur në mbledhje, edhe pse një oficer i Prokurorisë së Përgjithshme e kishte lajmëruar në banesë. Më tej në versionin e Këshillit, thuhet se prokurori është gjetur me dosje që kanë marrë pafajësi, me procedime të mbyllura ose të pezulluara, për një kontroll të kryer me urdhër të Kryeprokurores Ina Rama. Por në reagimin e tij, Prokurori Tom Deda, i hedh poshtë akuzat, duke thënë se mbi të gjitha, procesi disiplinor ndaj tij është i paligjshëm. Ai ka thënë se nuk ka refuzuar të shkojë në Këshill, porse nuk ka marrë asnjë thirrje për ta bërë këtë. Prokurori Deda ka akuzuar se procedimi ndaj tij në Këshill është formal, pasi ai ka dy muaj që është pezulluar nga detyra, madje i kanë prerë edhe rrogën kur pretendohet se nuk është marrë vendim ende në lidhje me procedimin ndaj tij. Prokurori Deda, duke e konsideruar gjithë procesin tendencioz, ka thënë se në akt-kontroll janë përfshirë procedime penale, të cilat janë kontrolluar më parë nga i njëjti kontrollues dhe që nuk rezultonin me shkelje. Në reagimin e tij, prokurori i Kurbinit thekson më tej se edhe kontrolli i ushtruar ka qenë jashtë afateve të normuara në urdhrin përkatës të Prokurorit të Përgjithshëm.

Kontrolli në Prokurorinë e Kurbinit

Prokuroria e Përgjithshme thotë se duke iu referuar të dhënave të analizës së punës dhe ankesave nga qytetarët, ka urdhëruar në fund të vitit të kaluar një kontroll të përgjithshëm në Prokurorinë e Kurbinit. Një nga prokurorët që pretendohet se u gjet me shkelje ka qenë edhe Tom Deda, i pezulluar aktualisht nga detyra, por pa vendim nga Këshilli i Prokurorisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›