E Diel, 1 Nëntor 2026

Nxënësit protestojnë për transferimin e mësueses

Këtë vit mësimor në shkollat e Qarkut të Dibrës ka pasur mjaft lëvizje të mësuesve nga një shkollë në një tjetër. Në shumicë të tyre këto lëvizje janë konsideruar të pamotivuara teknikisht. Kështu, vetëm para pak ditëve, nxënësit e klasës së tretë dhe të katërt të shkollës së mesme të përgjithshme "Pjetër Budi" në Burrel, kanë protestuar para zyrës arsimore për transferimin e mësueses së tyre kujdestare nga kjo shkollë në një tjetër po brenda qytetit, edhe pse vetë mësuesja nuk e ka kundërshtuar një lëvizje të tillë. "Ne duam mësuesen tonë që të kthehet në shkollën tonë", thonë nxënësit e vitit të tretë dhe të katërt të kësaj shkolle. Sipas tyre, nuk ka asnjë arsye që të justifikojë transferimin e mësueses së matematikës, Arjana Rami nga kjo shkollë në një tjetër. "Ajo për ne, thonë nxënësit, është shumë e mirë dhe e përgatitur për lëndën, si edhe mjaft komunikuese me ne nxënësit, ndaj zyra arsimore nuk ka përse ta largojë atë nga kjo shkollë". Ndërkohë, sipas sqarimeve që zyra arsimore ka dhënë për lëvizjen e kësaj mësueseje, merret vesh se ajo është bërë pa ndonjë "prapavijë", siç dhe mund të ketë ndodhur në mjaft raste të tjera. Por, kjo nuk i ka bindur nxënësit, të cilët kërkojnë motivin e vërtetë të lëvizjes së mësueses së tyre. Dyshimet e nxënësve lidhen me faktin se mësuesja e tyre e matematikës, gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, ka qenë e përfshirë, gjë që sipas tyre mund të jetë bërë shkak i transferimit të saj nga kjo shkollë në një tjetër brenda qytetit. Ndërkohë, dega e PS-së Mat, thotë se jo vetëm kjo mësuese, që është anëtare e kryesisë së kësaj partie, por edhe të tjerë mësues e mësuese që kanë qenë anëtarë të komisioneve në këto zgjedhje, janë lëvizur nga një shkollë në tjetrën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›