E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Pushimi zyrtar” bojkoton mbledhjen e Këshillit Bashkiak

 

VLORE - Dështon mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak të Vlorës, ndërsa nuk munguan as replikat ndërmjet të majtëve, të cilët përbëjnë shumicën në këtë këshill dhe të djathtëve. Mbledhja reflektoi qëndrimet e ndryshme ndërmjet dy grupeve të mëdha, përfshi këtu edhe atë të LSI, duke ndikuar kështu shtyrjen e saj për një datë tjetër. Kërkesa ka ardhur nga përfaqësues të grupit të Partisë Demokratike dhe atyre të PDI-së, të cilët nuk e kanë parë të arsyeshme zhvillimin e saj në një ditë që ishte pushim i zyrtarizuar. Me anë të një kërkese e cila u lexua nga kryetari i Këshillit Bashkiak Arben Sinani, ata shprehnin rezervat në lidhje me lajmërimet apo edhe mbledhjen e komisioneve, të cilat nuk ishin bërë të rregullta. Duke mos i vlerësuar si urgjente pikat që do të trajtoheshin në mbledhjen e djeshme, ata kërkuan shtyrjen e mbledhjes për një datë tjetër. I pari që kundërshtoi këtë qëndrim ishte kryebashkiaku Shpëtim Gjika. Ai i quajti të pabaza argumentet e sjella, duke shprehur keqardhjen që ato bëheshin prezente vetëm ditën kur filloi mbledhja. Sipas tij, kjo mbledhje kishte kapërcyer afatet dhe ishte e njoftuar edhe data e miratuar. Gjika e cilësoi këtë një qëndrim të pastër politik, për të krijuar pengesa për mosfunksionimin e këshillit.                                        q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›