E Diel, 1 Nëntor 2026

Tërmeti, Bajram nëpër çadra

 

BULQIZE/ HASAN PASHA

Natën e Fiter Bajramit banorët e zonave të prekura nga tërmeti i 6 shtatorit e kanë kaluar në çadra dhe mjedise të tjera të përshtatura, por jo në shtëpitë e tyre.
 Kjo natë e bekuar për besimtarët myslimanë të Gjoricës e Shupenzës kaloi si mos më keq. Të gjithë arritën të sigurojnë ushqime, të paktën për fëmijët, për t’ua lehtësuar atyre dhimbjen e mungesës së një shtëpie normale. Majë malit ndodhet fshati Kovashicë. Një rrugë mjaft e dëmtuar të çon në qendër të fshatit. Sa herë banorët shohin një makinë a një njeri që nuk është banor i Kovashicës mblidhen së bashku dhe pyesin: “E keni marrë vesh gja, do të na ndihmojnë për të ndërtuar shtëpitë apo jo”. Kur mësojnë se vizitorët janë gazetarë ata thonë se “deri tani vetëm media ka qenë pranë banorëve të zonave të dëmtuara, ndërkohë strukturat e shtetit nuk e kanë luajtur rolin e tyre sa duhet”. Kryetari i këtij fshati, Medi Xheka, rrëfen gjendjen e fshatit dhe tregon se si banorët e kaluan festën e Fiter Bajramit.
Cila është gjendja aktuale e banorëve të këtij fshati?
Aktualisht në fshatin Kovashicë janë dëmtuar 70 shtëpi, janë të pabanueshme. Disa janë rrënuar krejt, ndërsa të tjera kërkojnë riparime të shumta për t’u kthyer njerëzit në to. Kanë kaluar më shumë se 15 ditë dhe ndihma e shtetit për banorët e fshatit tonë është zero. Shumica kanë adaptuar kasolle, plastmasë dhe pak familje kanë siguruar çadra. Për 400 banorët e Kovashicës kanë munguar ndihmat në ushqime dhe veshmbathje.
A janë vlerësuar dëmet e shkaktuara?
Kanë ardhur grupet e vlerësimit të dëmeve. Unë i kam shoqëruar ato në çdo lagje e shtëpi. Kam parë se ata kryejnë matje, mbajnë shënime, por në asnjë rast nuk thonë sa është vlera e dëmit të shkaktuar. Ne jemi të shqetësuar se në të shumtën e rasteve thuhet, si nga drejtuesit e komunës, po ashtu nga ekspertët e vlerësimit të dëmeve, se “shtëpitë e dëmtuara kanë qenë të vjetra dhe me qerpiç”. Kjo do të thotë se nuk do të kemi një gjykim real për dëmin e shkaktuar, pasi ende pa dalë vlera e dëmtimeve, ka paragjykime e “vlerësime” në hava.
Ku e kaluat Fiter Bajramin, si u ndjetë?
Natën e shënuar të Fiter Bajramit gati i gjithë fshati e kaloi në çadra, plastmasë dhe mjedise të adaptuara. Unë jam rreth të 60-ve dhe kurrë nuk ka ndodhur që një festë fetare apo tjetër lloj, ta kalojmë në këtë mënyrë. Ne e kemi traditë dhe vizitojmë njëri-tjetrin. Kemi uruar të afërmit në çadra, rrugë, kasolle. Askush nuk guxon të hyjë në shtëpi, pasi vetëm një tërmet i lehtë mund t’i rrafshojë shtëpitë tona. Kjo nuk ishte festë për ne. Jemi detyruar të blejmë diçka në treg vetëm që fëmijët të mos ndjehen keq.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›