“Bashkimet pa fryt të bllokatorëve, jo alternativa për shqiptarët”

Vlorë, PD çel zyrat në Orikum - Patozi dhe Kollozi takime me banorët
Partia Demokratike ka çelur dje zyrat e fushatës së pritshme elektorale në Bashkinë e Orikumit, 20 km në jug të Vlorës, ku u zhvillua edhe një takim me anëtarë e simpatizantë të kësaj force politike.
Nënkryetari i PDSH-së dhe kryetar i grupit të saj parlamentar, Astrit Patozi, kërkoi angazhim maksimal nga të pranishmit, duke theksuar se Orikumi përbën një model të qeverisjes së djathtë, ku investimet i kanë ndryshuar fytyrën kësaj zone.
Duke iu referuar kampit opozitar, Patozi theksoi se, “ata janë të dëshpëruar dhe se me teorinë e tyre të shpifjeve dhe bllokimit edhe pse i tentuan të gjitha, nga tentativa për të bllokuar KQZ-në e deri tek bashkimet pa fryt, nuk do të mund të jenë alternativa që do të zgjedhin shqiptarët. Kjo, sepse, Partia Demokratike, në këto 8 vjet qeverisje i ka ndryshuar fytyrën të gjithë vendit”, nënvizoi ai.
Duke folur për projektin e qeverisjes për katër vitet e ardhshme, Patozi theksoi se, do të shtrohet çdo aks rrugor, do të zgjidhen të gjitha çështjet e përditshmërisë së qytetarëve shqiptarë, por mbi të gjitha, do të garantohet integrimi i vendit në Bashkimin Evropian. “Ne do të arrijmë fitore dinjitoze e të merituar në zgjedhjet e 23 qershorit”, tha kryetari i degës së PD-së në Vlorë, Ardian Kollozi, duke shprehur bindjen se banorët e Orikumit do të jenë kontribuues të fitores.
Të pranishmit kanë shprehur gatishmërinë për të qenë pjesë integrale e fitores së PD-së në 23 qershor, e cila sipas tyre, do të sigurojë vazhdimësinë e përfundimit të projektit tashmë të nisur nga mazhoranca, “Shqipëria vend i zhvilluar”.