“Programi i qeverisë mbështetet te hapja e vendeve të punës”
Arben Imami, në takime me të rinjtë e Librazhdit dhe Gjergjanit, flet për arsimin
Ministri Arben Imami zhvilloi një sërë takimesh me të rinjtë e Librazhdit dhe Gjergjanit në qarkun Elbasanit. Imami u shpreh se në këto 8 vite qeveria, i ka kushtuar një vëmendje të veçantë rinisë sidomos në fushën e shkollimit e të arsimimit sepse faqja e infrastrukturës së arsimit, ka ndryshuar rrënjësisht në Shqipëri. “Janë ndërtuar dhe rindërtuar mbi 1300 shkolla anembanë vendit, por kemi akoma sfida përpara dhe modeli ynë i qeverisjes në këto 8 vjet ka qenë të punojmë, të bashkëpunojmë që ta çojmë Partinë Demokratike, qeverisjen e saj në një mandat të ri të gjithë së bashku”, deklaroi Imami.
Më pas ai theksoi se qeveria ka nisur një program të shkollave profesionale dhe universitare me qëllim të përgatisë profesionistë të zotë për tregun e punës.
“Ne kemi nisur një program të shkollave profesionale, të shkollave të mesme profesionale dhe tani do të vijojmë për ato të larta, jo universitare profesionale. Keni parë kur Edi Rama ka deklaruar se djem dhe vajza me fakultet e master punojnë kamerierë?! Ky nuk është sistemi që jep aq të drejta studimi sa janë edhe vendet e punës në administratë shtetërore, ky është treg i lirë, ne kemi si detyrë si qeveri t’iu japim shanse që të shkolloheni sa më mirë, në tregun e punës kush është më i zoti do të ecë përpara. Ne do të bëjmë që shkollat e larta, jo universitare të japin profesione dhe të rrisin garancinë për ju, që nesër kur të dilni në tregun e punës duke pasur një profesion të mund të gjeni një vend pune. Në fakt i gjithë programi i qeverisë sonë për mandatin e ardhshëm është i mbështetur tek ideja e zgjerimit të vendeve të punës”, theksoi ai.
“Të mos harrojmë, shtoi ndër të tjera Imami se, për të rinjtë, liberalizimi i vizave ka qenë një ngjarje e madhe që i jep mundësi rinisë jo vetëm të afrohet me tregun europian të punës por edhe të afrohet me shkollat dhe universitetet më të mira. Sigurisht gjatë rrugës sonë qeverisëse theksoi ai, ne kemi hasur pengesa të shumta siç ishte politika e bllokimit sepse partia socialiste e ka bllokuar në mënyrë të qëllimshme integrimin e vendit pasi në momentin që do të merrnim statusin e vendit kandidat mundësia për tu arsimuar jashtë është edhe më e madhe e kjo duke nisur që nga taksat në Universitetet ndërkombëtare të cilat janë shumë më të vogla se sa kur nuk je anëtar apo vend kandidat i Bashkimit Europian. Nëse sot do të ishim anëtarë të BE do të kishim një fond 22 euro për banorë dhe në qoftë se do t’i llogarisim për 3 milionë banorë që ka Shqipëria janë 66 milionë për 4 vite janë 266 milionë euro të mundshme që do kishin sjellë më shumë investime në arsim, në kapitalin njerëzor, në trajnime, në rrugë etj”.
Pas pak javësh cilësoi Imami, do të fillojnë punimet në Kaskadën e Devollit, do të fillojë TAP-i, do të vijojë rruga Tiranë-Elbasan e cila pa dyshim që për Librazhdin është e jashtëzakonshme. “Kjo rrugë do jetë rruga më e mirë në Shqipëri e me parametrat më të mirë. Një rrugë e cila do t’ju jap mundësinë që për një orë të jeni në Tiranë e do të afrojë një treg shumë të madh pune. Brenda pak ditësh do të fillojë edhe ndërtimi i rrugës Qukës-Qafë Plloç që do të shtojë fluksin e transportit në këtë zonë. Ky model që ofron opozita përfundoi Imami, është modeli i bllokimit, i gënjeshtrës, irreal, i pavërtetë, modeli që nuk interesohet për njerëzit sepse nuk i dhëmb e nuk punon për njerëzit. Ndërkohë kemi një model tjetër, i cili është i qëndrueshëm, modeli i Partisë Demokratike, modeli i kryeministrit Berisha që jep siguri, stabilitet, të ardhme, zhvillim. Ta kthejmë Shqipërinë në 4 vitet e ardhshme në një vend të zhvilluar duke mbyllur të gjithë infrastrukturën e Shqipërisë. Të rrisim vendet e punës për një jetë më të mirë për shqiptarët duke ecur përpara së bashku për ta ndryshuar Shqipërinë edhe më shumë, sepse ne dhe vetëm ne mund ta bëjmë ndryshimin. Ky ndryshim ka nisur dhe duhet të ecë përpara. Përpara!”, përfundoi Imami.