E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fshati i rrethuar nga uji, varrimi bëhet me varka

Shkodër / Obot
 
 

 
Arkivoli me trupin e 48-vjeçares që humbi jetën në një aksident automobilistik është transportuar me varka për në fshatin Mushan, ku dhe u varros me nderime nga familja
 
 
SHKODëR - Të varrosesh me varkë nuk është më një fat i destinuar vetëm për banorët e Venecias. Situata e krijuar nga përmbytjet në veri të vendit kanë shkaktuar probleme edhe në përcjelljen për në banesën e fundit të Albina Gocajt nga fshati Obot i Shkodrës, e cila pardje humbi jetën tragjikisht në një aksident automobilistik. Mjerimi dhe udhëtimi me varkë shoqëruan ditët e fundit të jetës nënën e dy fëmijëve dhe po e shoqërojnë edhe orët e fundit mbi tokë.
Arkivoli me trupin e të ndierës u vendos mbi varkë dhe bëri rrugëtimin e fundit për në fshatin Mushan, aty ku dhe do të varroset. Për familjarët dhimbja nuk ka fund. Ka vdekur e zonja e shtëpisë - hall i madh, por një tjetër hall është edhe varrosja. Fshati Obot ku ndodhet shtëpia e viktimës është i përmbytur prej më shumë se një jave. I shoqi i saj, Pjetri, ndërsa është traumatizuar nga humbja e papritur e gruas, vë duart mbi kokë, ngre kokën lart dhe kërkon ndihmë nga Zoti në qiell dhe nga njerëzit në tokë. “Po ku ta varrosi, shpinë e kam në ujë?! O Zot, ça t’kam ba?”, - bërtet herë pas here me zë të fuqishëm burri, Pjetri. Njerëz të shumtë i afrohen, mundohen ta qetësojnë, por a mund të qetësohet ai mes kësaj gjëme?
Aksidenti
Oboti është një nga zonat më të dëmtuara nga përmbytja e madhe e këtyre ditëve. Banorët e këtij fshati u evakuuan që para një jave nga banesat e tyre. Mes tyre edhe familja Gocaj. Që prej 6 ditësh Albina Gocaj nuk e kishte parë të shoqin që kishte qëndruar në fshat mes ujërave dhe ishte kujdesur për shtëpinë e mbushur me ujë dhe bagëtinë. Mëngjesin e pardjeshëm, 48-vjeçarja është nisur nga fshati i Paqes (rrëzë malit të Taraboshit) ku ishte strehuar, për të shkuar te bashkëshorti i saj në Obot. Donte të takonte të shoqin dhe të shikonte se çfarë ishte bërë me shtëpinë dhe atë pak mall që kishin sipër shpirtit. Por nuk ka mundur të shikojë për të fundit herë as babanë e fëmijëve të saj dhe as shtëpinë. Ajo ka vdekur në aksident. Ngjarja ndodhi rreth orës 08:45, në aksin rrugor Shkodër-Muriqan, në afërsi të fshatit Zus të komunës Rrethina.
Sipas burimeve policore, në vendin e quajtur “Gurorja” janë përplasur furgoni me targa SH 9253 C dhe furgoni me targa SH 2669 D. Mësohet se njëri po shkonte në drejtim të qytetit dhe tjetri në drejtim të Muriqanit. Si pasojë e përplasjes së fortë ka mbetur e vdekur në vend Albina Gocaj, ndërsa janë plagosur rëndë edhe dy kushërinjtë: V. Gocaj dhe V. Verri, përkatësisht 58 vjeç dhe 54 vjeç. 48-vjeçarja dhe dy të plagosurit janë dërguar në spitalin rajonal të Shkodrës. Mjekët kanë konfirmuar vdekjen e nënës së dy fëmijëve, ndërsa u kanë dhënë ndihmën e parë mjekësore dy të plagosurve. Menjëherë forcat e policisë kanë nisur punën për të zbardhur shkaqet e aksidentit. Grupi i ekspertëve ka grumbulluar provat materiale, ndërkohë që është bërë dhe shoqërimi në ambientet e Komisariatit të Shkodrës i dy drejtuesve të furgonëve. Ende nuk është bërë asnjë deklaratë mbi shkaqet e këtij aksidenti. Rruga nacionale Shkodër-Muriqan, që lidh qytetin e Shkodrës dhe gjithë Shqipërinë me pikën e kalimit kufitar me Malin e Zi, është një rrugë shumë e ngushtë për një aks të tillë, ku lëvizjet e shumta të mjeteve janë një dukuri e përhershme. Shumë herë është kërkuar që të bëhet zgjerimi i rrugës, pasi ka pasur edhe raste të tjera aksidentesh.
 
 
 
Durrës
 
Bashkia ndan ndihma për gjashtë
familjet e përmbytura nga Shkodra
 
DURRëS - Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, është takuar me banorët e ardhur në Durrës nga zonat e përmbytura dhe u ka shpërndarë atyre ndihma në ushqime, veshmbathje dhe medikamente mjekësore. Janë 6 familje që kanë ardhur nga disa zona të përmbytura që janë strehuar në hotel “Diplomat” në plazhin e Durrësit. Pikërisht në këtë hotel ka shkuar edhe kryebashkiaku Dako, i cili pasi u ka shpërndarë banorëve ndihmat, u ka shprehur atyre edhe mbështetjen maksimale të Bashkisë së Durrësit, si dhe u ka premtuar se do të jetë pranë tyre në këto ditë të vështira: “Bashkia jonë është solidarizuar plotësisht me familjet e zonave të përmbytura. Të gjithë punonjësit e bashkisë sonë kanë kontribuar dhe paratë do të shkojnë në ndihmë të zonave të përmbytura e po kështu është edhe një fond që do t’u japë bashkia nga fondet e veta në ndihmë të tyre”. Ndihma konkrete e Bashkisë së Durrësit është rreth 3 milionë lekë të rinj, që do të shkojnë në ndihmë të familjeve të zonave të përmbytura. Po kështu, përveç kësaj ndihme në ushqime e veshmbathje, bashkia ka miratuar edhe fondin prej 3.5 milionë lekësh që është bllokuar nga Ministria e Financave para vitit të ri, me të cilin bashkia kishte menduar të jepte nga gjysmë page shpërblim për punonjësit e vet. Kryetari i bashkisë, Vangjush Dako, ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar fëmijët që të vazhdojnë mësimet në shkollat e Durrësit për sa kohë që do të jenë në këtë qytet, në mënyrë që të mos krijojnë boshllëqe në mësimarrje. Po kështu, kryebashkiaku Dako i ka dhënë porosi administratës së tij, që në ditët në vazhdim të plotësojnë çdo nevojë të këtyre familjeve në veshmbathje, ushqime dhe medikamente.
Aleks Kalemasi
 
 
 
Elbasan
 
Komuna Bradashesh, 15 mijë euro dhe
10 tonë ushqime për përmbytjet në veri
 
ELBASAN - Qarku i Elbasanit është solidarizuar si asnjëherë për të ardhur në ndihmë të banorëve të zonave të përmbytura në veri të vendit. Rasti më i veçantë është ai i komunës Bradashesh. Këshilli i kësaj komune ka miratuar në unanimitet një shumë prej 10 mijë eurosh në ndihmë të zonave të përmbytura. Por nuk mbaron me kaq. Nismës i janë bashkuar edhe nëpunës të administratës, arsimtarë, biznesmenë, banorë të zonës etj. Prej tyre pritet të mblidhen 5 milionë lekë të vjetra. E njëjta komunë do të dërgojë në Shkodër dhe Lezhë 10 tonë ushqime e veshmbathje. Kryetari i komunës Bradashesh, Sabri Sallaku, shprehet se këshilltarët votuan në unanimitet këtë vendim pa dallime partiake. Kësaj shume do t’i shtohen edhe kontributet e vetë këshilltarëve dhe administratës, si dhe gjithë aktorëve që veprojnë në territorin e kësaj komune. Institucione, ndërmarrje dhe drejtori të ndryshme në Prefekturën e Elbasanit janë solidarizuar për ndihmë. Qendra spitalore, drejtoria arsimore, prefektura, këshilli i qarkut, shoqata dhe organizma të ndryshëm kanë konfirmuar për kontributet që do të japin.
M. Kalaja   
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›