Bashkimi Europian do të kryesojë bisedimet Kosovë-Serbi
Ulrike Lunacek, deputete e të gjelbërve në Parlamentin Europian, anëtare e Komisionit për politikën e jashtme, shprehet se do të jetë pikërisht BE-ja që do të kryesojë bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit. Në një intervistë për Dojçe Velen, Lunacek sqaroi se këto bisedime janë pjesë e rezolutës së aprovuar nga OKB-ja, e cila parasheh zhvillimin e dialogut midis dy shteteve të pavarura. Sipas saj, ndërmjetësimin e BE-së e ka propozuar e ngarkuara e BE-së për politikën e Jashtme, Kethrin Ashton dhe me këtë rast, Parlamenti Europian përkrah plotësisht zhvillimin e këtyre bisedimeve për përmirësimin e marrëdhënieve midis dy shteteve në fushat e doganave, të bashkëpunimit ekonomik, për çështjet ekologjike si uji. Në lidhje me përcaktimin e detajeve se ku apo kur do të zhvillohen këto bisedime, apo nëse do të caktohet një ndërmjetësues me këtë rast, deputetja Lunacek sqaron: “Për këto çështje është duke u diskutuar. Mendoj se do të kalojë edhe ca kohë përpara se ta dimë se kush do ta marrë përsipër këtë rol, kush do ta hedhë hapin e parë për të ftuar palët, por e sigurt është që BE-ja do ta bëjë këtë. E dyta, rëndësi të madhe ka se është krejtësisht e qartë se nuk do të kemi të bëjmë me bisedime për statusin e Kosovës dhe ndarjen e mundshme. Dhe e treta është se ministrat e Jashtëm vendosën që së shpejti të ketë një përgjigje për kërkesën serbe për t’u bërë kandidat pranimi në BE”. Ndërsa në lidhje me Kosovan, Lunacek shprehet se fillimisht bëhet fjalë për çështjen e liberalizimit të vizave, një çëshje që Parlamenti Europian e kërkon prej kohësh. “Komisioni duhet të përpilojë një road-map dhe ta prezantojë, në mënyrë që autoritetet kosovare të plotësojnë kërkesat e duhura. Nga vende të caktuara të BE-së ka përgjigje pozitive, nga Komisioni po ashtu, si dhe nga Komisari Fühle. Kjo është ajo që kërkoj dhe unë në raportin për Parlamentin Europian”, tha deputetja Lunacek. Një tjetër çështje për të cilën ka folur anëtarja e Komisionit të BE-së ka qenë edhe dilema nëse këtë herë do të përfundojnë me sukses bisedimet mes palëve. “Nga fakti që u arrit ndryshimi i rezolutës është bërë e qartë se Serbia nuk kërkon më bisedime për statusin dhe nuk kërkon më ndarjen e Kosovës. Kështu është hapur rruga për përmirësimin e marrëdhënieve. Faktikisht ekzistojnë probleme në marrëdhëniet ekonomike, për shembull Serbia bllokon pjesëmarrjen e Kosovës në CEFTA. Unë shoh një gatishmëri të Serbisë të bëjë këtë hap dhe të mos dalë gjithnjë me çështjen e statusit. Një hap pragmatik i Presidentit Tadiç, hap që unë e përshëndes” u shpreh Lunaçek. Ndërkohë ministrat e jashtëm të BE-së i kanë premtuar Serbisë një “shpërblim” lidhur me hapin për ndryshimin e rezolutës. Kështu bëhet fjalë për anëtarësimin sa më të shpejtë të Beogradit në Union. Ministrat u takuan në Bruksel për të përgatitur samitin e kryetarëve të shteteve dhe qeverive që mbahet të enjten. Ata me këtë rast diskutuan edhe çështjen e Turqisë, qëndrimin serb ndaj Kosovës etj.
15 Shtator 2010