E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngec procesi i njohjeve për Kosovën, autoritetet shprehen optimiste



Autoritetet kosovare kishin parashikuar një valë të re njohjesh, pas dhënies se mendimit këshillëdhënës të GJND-së dhe pas mbajtjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku u miratua rezoluta e Serbisë dhe BE-së për Kosovën. Megjithatë nuk rezultoi kështu edhe pse në Mistrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, vazhdojnë të përsërisin se janë duke punuar sa më shumë dhe numri i njohjeve për vendin pritet të rritet. Qerim Qerimi këshilltar në Ministrinë e Jashtme thotë se ministri Hyseni ka marrë premtime nga shumë shtete, që së shpejti do ta njohin pavarësinë e Kosovës. “Nga sinjalet, ose shenjat që kemi, e që mbështeten në mënyrë të konsiderueshme mbi deklaratat e vetë përfaqësuesve të vendeve që nuk e kanë njohur ende, ne presim se do të ketë njohje, por nuk do të mund të themi publikisht dhe jo, e pakta, përpara sesa vendimet të komunikohen nga vetë shtetet që vendosin ta njohin Republikën e Kosovës”, bën të ditur Qerimi. Megjithatë, Qerimi nuk dëshiron të flasë shumë rreth premtimeve që janë dhënë nga vetë ministri i Jashtëm Hyseni se pas mendimit këshillëdhënës të GJND-së, do të rritet numri i njohjeve për Kosovën. Por, ai pohon se ministri ka deklaruar atë çka i është premtuar nga përfaqësuesit e shteteve që nuk e kanë njohur deri tash Kosovën.

Shteti i fundit që e ka njohur pavarësinë e Kosovës është Honduarsi. Presidenti dhe kryeministri i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe Hashim Thaçi, do të udhëtojnë përsëri këtë fundjavë në Nju Jork. Siç bëhet e ditur nga Kabineti i kryeministrit, pritet që në kuadër të aktiviteteve të lobimit për njohjen e pavarësisë së Kosovës, presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi të takohen me shumë përfaqësues ndërkombëtarë, të cilët ndodhen në Nju Jork në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

19 Shtator 2010

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›