Zgjedhjet në LDK, Bukoshi: “Synoj riformatimin e partisë, jo thjesht postin”
Kandidati i vetëm deri tani në zgjedhjet për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Bujar Bukoshi, ka deklaruar se kjo parti është katandisur keq. Ai ka thënë se me kandidimin e tij do të provojë që të “rikthejë emrin e dikurshëm” që kishte kjo parti. “Unë nuk kam ndërmend të përplasem me asnjë. Kam vendosur të hyj në këtë garë, në një garë të ndershme dhe duke i respektuar të gjitha rregullat e lojës. Nga kjo garë do të dalë një fitues dhe kushdo që të jetë ai, jam i gatshëm t’ia uroj i pari fitoren dhe të rreshtohem prapa tij”. Sipas Bukoshit, ekziston rreziku që ky proces të shpërdorohet, megjithatë secili duhet të përpiqet që të ruajë ndershmërinë. “Ka rrezik që të shpërdorohet procesi, por të gjitha strukturat e LDK-së e kanë përgjegjësinë që ta mbrojnë kauzën e LDK-së. Por, rreziku i shpërdorimit nuk duhet nënçmuar. Që në fillim kam tërhequr vëmendjen që partia të mos katandiset si mos më keq nga përvojat e mëparshme, por të bëjmë një garë të ndershme dhe demokratike”, ka thënë ndër të tjera ministri aktual i Shëndetësisë, Bukoshi. Ndërsa duke folur për koalicionin aktual qeverisës ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, Bukoshi ka thënë për BBC-në se nëse do t’i fitojë zgjedhjet në parti, do të kërkojë të analizohet se si po funksionon ky koalicion dhe se vendimi për fatin e tij do të jetë në përputhje me ato që ai i quan balanca politike dhe interesa për Kosovën.
Mbështetja
Ukë Rugova, i biri i presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, nuk do të kandidojë për postin e kreut të LDK-së, por kjo nuk e ndalon që të mbështesë kandidatin Bujar Bukoshi. Mbështetjen nga Rugova e kishte paralajmëruar më parë edhe vetë Bukoshi. Pas kthimit nga një vizitë në SHBA, ditë më parë, Bukoshi kishte kritikuar forumet e LDK-së, të cilat ishin rreshtuar përkrah kryetarit aktual Fatmir Sejdiu.
Deklaratat
Pavarësisht se Kryetari “i ngrirë”, Sejdiu, ende nuk e ka të sigurt nëse i lejohet të shpallë kandidaturën për shkak të procesit në Gjykatën Kushtetuese, mbështetësit e tij po kërkojnë edhe një mandat për të, në struktura të partisë. Nënkryetari i parë, Eqrem Kryeziu, i cili është rreshtuar pas Sejdiut, ka deklaruar se rizgjedhja e Sejdiut është e nevojshme për stabilitetin e kësaj partie. Kandidati tjetër i mundshëm për postin e të parit të LDK-së është edhe kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa. Por ky i fundit është cituar ditë më parë të ketë thënë se në qoftë se Sejdiu do të kandidojë për kryetar të LDK-së, atëherë ai nuk do të jetë kandidat kundërshtar, për shkak të miqësisë që kanë. Ndërkohë të tjerë anëtarë të kësaj partie i kanë bërë thirrje Sejdiut që të heqë dorë nga detyra si president, nëse dëshiron që të kandidojë për kreun e LDK-së.
22 Shtator 2010