LDK: Vendimi i Sejdiut për dorëheqjen, akt moral
Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës e çmon si akt të lartë moral dorëheqjen e Presidentit Sejdiu nga pozita e Presidentit të Republikës së Kosovës. Sipas Kryesisë së LDK-së, dorëheqja e Presidentit Sejdiu është një akt i sakrificës së tij për interesat madhore të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj, përkrahjen e të cilëve ai e pati gjithmonë. Kryesia e LDK-së vlerësoi se Presidenti Sejdiu, gjatë kohës së udhëheqjes se vendit, ka punuar me urtësi, dije dhe përkushtim të jashtëzakonshëm. Megjithëse Presidenti Sejdiu ka marrë vetëm një njoftim nga Gjykata Kushtetuese, dhe jo aktgjykimin e saj, siç do të duhej, ai ka dhënë dorëheqje duke dëshmuar edhe një herë dhe shumë fuqishëm devotshmërinë e tij të madhe për shtetin tonë dhe të ardhmen e tij euroatlantike, thuhet në deklaratën e Kryesisë së LDK-së.
28 Shtator 2010