E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkimi Europian, grup ekspertësh për përmbytjet në Shqipëri

Bashkimi Europian i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Shqipërisë për të dërguar një grup ekspertësh në vend, në lidhje me situatën e fundit të përmbytjeve. Ambasada Gjermane ka njoftuar dje se Bashkimi Europian do të dërgojë një grup ekspertësh në ndihmë të qeverisë shqiptare për të përballuar me sukses situatën e përmbytjeve në veri të vendit. Ky vendim i BE-së është marrë pas kërkesës për ndihmë të qeverisë shqiptare. “Për shkak të përmbytjeve të rënda në veri të vendit, më 7 janar 2010 Shqipëria bëri kërkesë për ndihmë ndërkombëtare. Në përgjigje të kësaj kërkese, këto ditë, BE do të dërgojë në Shqipëri një grup ekspertësh. Pjesë e këtij grupi është dhe një ekspert gjerman nga Organizata për Asistencë Teknike. Autoritetet gjermane janë në kontakt të ngushtë me qeverinë shqiptare dhe institucionet ndërkombëtare që koordinojnë asistencën dhe mbështetjen për Shqipërinë”, - shkruhet në njoftimin për shtyp të ambasadës gjermane. Vetëm një ditë më parë në Shqipëri mbërriti këshilltari për digat i kryeministrit italian, Silvio Berluskoni. Krye-eksperti italian zhvilloi disa takime të nivelit të lartë me kryeministrin Berisha, me ministrinë e Jashtëm Ilir Meta, me ministrin e Energjisë Dritan Prifti nga të cilët mori informacion për situatën e përmbytjeve dhe masat e marra deri tani nga autoritetet shqiptare. Eksperti italian e cilësoi situatën të kapërcyeshme ndërsa sugjeroi evakuim të banorëve të zonat që paraqesin rrezik.

9 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›