E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha u përgjigjet akuzave të Ramës: “Kjo është një fatkeqësi natyrore”

Eljona Ballhysa
Kryeministri Berisha u është përgjigjur dje akuzave të kryesocialistit Rama, sipas të cilit, situata ka precipituar në përmbytje masive për shkak të keqmenaxhimit nga autoritetet qeveritare. Nga ana e tij, kryeministri Berisha ka përjashtuar gabimin njerëzor në këtë situatë duke ia ngarkuar të gjithë peshën e fajit natyrës. “Kjo është një fatkeqësi natyrore”, - është shprehur kreu i qeverisë dje nga qyteti i Shkodrës, ku përveçse takoi banorë të ndryshëm dhe vizitoi zonat e përmbytura, drejtoi dhe mbledhjen e Komitetit Ndërministror për Emergjencat Civile. Gjatë fjalës së tij Berisha i bëri thirrje Ramës të vizitojë zonat e përmbytura, ndërsa shtoi se ata persona që përhapin panik te qytetarët do të marrin ndëshkimin e merituar.
Përgjigjja
I pyetur për akuzat e opozitës për keqmenaxhim të situatës, Berisha tha se kjo është një fatkeqësi natyrore. “Shpresoj që edhe kryetari i opozitës të vijë këtu, t’i vizitojë këto zona dhe të konstatojë se njerëzit këtu kanë bërë përpjekjet më serioze për t’u përballur me sa më eficiencë dhe për të përballuar sa më me dinjitet dhe kosto më të ulët një situatë fatkeqësie natyrore, sepse kjo është një situatë fatkeqësie natyrore, është një forcë madhore, e cila do të dominohet”, - është shprehur Berisha duke përjashtuar në çdo moment gabimin e autoriteteve përgjegjëse. Madje kreu i qeverisë ka vlerësuar maksimalisht punën e bërë nga autoritetet qeveritare dhe ato të pushtetit lokal për menaxhimin me efektivitet të kësaj situate të vështirë duke mos lejuar humbjen e asnjë jete njerëzore.
Masat
Gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencës, Berisha sugjeroi autoritetet qeveritare e vendore, Komitetin e Prefekturës që të kenë prioritet të punës së tyre evakuimin e plotë të zonave që paraqesin rrezik. Ai kërkoi rikthimin në funksion të rrugës së Dajçit, pasi sipas tij kjo do të ndihmonte procesin e evakuimit. “Ka rëndësi shumë të madhe në qoftë se arrijmë ta rikthejmë edhe njëherë në funksionim rrugën e Dajçit dhe zvogëlimi i shkarkimit që u bë sot është bërë me këtë qëllim. Por, nga ana tjetër, edhe ju, së bashku me ekspertë të ujërave, duhet të shqyrtoni nëse ka ndonjë mundësi që të mund ta mbrojmë më mirë këtë rrugë. Ajo rrugë është shumë e rëndësishme. Kemi në dispozicion varka dhe mund të marrim edhe të tjera, por nuk duhet të harrojmë se ndryshimi mes varkës e makinës është shumë i madh, si në manovrim, në shpejtësinë e punës e në të gjitha aspektet”, - është shprehur Berisha. Një tjetër kërkesë e tij ka qenë dhënia e ndihmave ushqimore familjeve që kanë strehuar banorë në nevojë në këtë situatë emergjence. “Kemi edhe një problem të dytë. Ne vërtetë kemi hapur dhe vënë në dispozicion kapacitete të mëdha për t’i pritur banorët e evakuuar, por bujaria shqiptare, bujaria shkodrane, është e tillë që ka bërë që këta njerëz, ata i kanë strehuar në shtëpitë e tyre. Autoritetet e Rezervave të Shtetit dhe të ndihmës duhet të identifikojnë këto familje që kanë strehuar njerëz dhe të shpërndajnë për ta ushqime, me shumë mirënjohje, për gjestin e tyre. Ne duhet të dërgojmë me shpejtësi në çdo familje pritëse ushqime, veshje e çfarë ata kanë nevojë”, - është shprehur Berisha.
Ai gjithashtu ka kërkuar nga Komiteti që të shqyrtohet mundësia e gërryerjes së grykëderdhjes së Bunës në mënyrë që të zbrazen sa më shumë ujëra dhe të ulet niveli i përmbytjes. “Është shumë e rëndësishme dhe ne duhet të shohim mundësinë e një ndërhyrjeje në lumin Bunë. Ndaj duhet të bëhen studime dhe të përcaktohet thellësia, për të parë nëse vërtet ka probleme diznivelesh në thellësi dhe në qoftë se faktohet se ka derdhje diku, për shkak të grumbullimeve të prurjeve, atëherë ne do të përgatitemi të ndërhyjmë, sepse kjo do të na lehtësojë edhe evakuimin e këtyre miliona metrave kub ujë që janë në këto 10 mijë ha të përmbytur”, - është shprehur Berisha.
Situata
Berisha e ka cilësuar situatë në kontroll të plotë të qeverisë. Ai bëri me dije se shkarkimet e kaskadave do të vazhdojnë deri sa të ketë ulje të nivelit të prurjeve ujore. “Gjithçka në kaskadë është në kontroll të plotë dhe funksionon pa asnjë lloj defekti. Gjithçka në kaskadë funksionon sipas përcaktimeve të projekteve. Gjithë manovrimi, gjithë menaxhimi po bëhet në përputhje të plotë me rregullat e funksionimit të kaskadës dhe në interes gjithëkombëtar. Komani ka zbritur në nivelin 172 metra dhe do të zbresë edhe më shumë, ndoshta do të zbresë në 170 metra. Ndaj nuk ka asnjë rrezik për qytetin. Rreziku është zero. Jemi të detyruar të shkarkojmë, por, me gjithë shkarkimet që bëjmë, ne ruajmë digat. Sot ka një avancim të ujërave në Bushat e në Trush. Prandaj u bëj thirrje të gjithë banorëve të evakuohen dhe i garantoj ata se do të kenë kujdes të plotë, do të kenë kompensimin e plotë për dëmet e shkaktuara nga kjo përmbytje”, - është shprehur Berisha.

ISKSH urdhëron 24 orë shërbim shëndetësor për zonat e përmbytura

Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ka urdhëruar personelin mjekësor të punojnë 24 orë pa ndërprerje për t’u ardhur në ndihmë banorëve të zonave të përmbytura në qarkun e Shkodrës. Një grup pune ka vizituar dje 3 komunat e përmbytura në zonën e Shkodrës: atë të Dajçit, Anës së Malit dhe Gurit të Zi, për të parë nga afër gjendjen dhe nevojat për medikamente në këto zona. Sipas drejtorit të Mjekut në ISKSH, Gazmend Koduzi, i cili ndodhet në terren, është vendosur shërbim i pandërprerë në këto komuna me anë të një grafiku të përcaktuar nga ISKSH-ja në bashkëpunim me qendrat shëndetësore të 4 fshatrave të këtyre komunave. Për të mbuluar shërbimin 24 orë janë caktuar edhe mjekë të zonave përreth për të qenë të pranishëm në këto qendra shëndetësore në rast nevoje të banorëve të këtyre zonave. Përsa u takon medikamenteve, sipas ISKSH-së, qendrat shëndetësore janë të pajisura me të gjithë setin e medikamenteve të emergjencës, i nevojshëm në këto raste. Gatishmëria e mjekëve është maksimale edhe për pacientët e sëmurë kronikë për të cilët nuk është ndërprerë në asnjë moment mjekimi i përditshëm. Në fshatin Obot të komunës Anë e Malit, mjeku Ilir Laçej ka shpërndarë vetë ilaçet me rimbursim te banorët e përmbytur, duke i arritur ata në shtëpitë e tyre me varkë. Edhe spitalet janë në gatishmëri të plotë për situatën e krijuar nga reshjet e shumta të ditëve të fundit. ISKSH thotë se do të vijojë të ketë gatishmërinë maksimale, duke dhënë shërbim të pandërprerë për këta banorë.

UT nis mbledhjen e fondeve në ndihmë të banorëve në zonat e përmbytura

Në shenjë solidariteti ndaj të prekurve të fatkeqësisë në zonat e përmbytura në Veri të vendit, rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, ka nisur organizimin e mbledhjes së fondeve për të ndihmuar të gjithë banorët e prekur. Rektori Kule u bëri thirrje dje të gjithë të punësuarve dhe studentëve të universitetit që të ndihmojnë me aq sa të munden të prekurit e kësaj fatkeqësie. Prej ditës së parë të nënshkrimit të urdhrit nga rektori për ngritjen e këtyre grupeve të punës është vërejtur interes si nga stafi i universitetit edhe nga studentët, të cilët kanë dhënë kontributet e tyre për të ndihmuar banorët e qarqeve Lezhë dhe Shkodër. Mekanizmi, i cili ka filluar të funksionojë që prej ditës së djeshme, do të ketë rezultatet e para monetare në fillim të javës së ardhshme. Në të gjitha fakultetet e Universitetit të Tiranës janë ngritur grupe pune për mbledhjen e fondeve të ndihmës nga stafi pedagogjik, stafi jopedagogjik dhe studentët. Me përfundimin e mbledhjes së fondeve, e gjithë shuma e grumbulluar do të hidhet në llogaritë bankare të hapura nga Këshilli i Ministrave në bankat e nivelit të dytë.

9 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›