Fierza shtohet me 21 cm, Prifti: “Situata normalizohet pas 10 ditësh”
Ervin KOÇI
Niveli i Fierzës është rritur dje dhe me rreth 21 cm, gjë e cila është deklaruar prej ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti. Gjatë daljes së përditshme para medieve, ku ka informuar mbi situatën e përmbytjeve, ministri Prifti ka thënë se situata është drejt normalizimit dhe gjendja po mbahet nën kontroll. Sipas tij, “niveli në liqenin e Fierzës është rritur me 21 cm, ndërsa në dy hidrocentralet e tjera niveli është ulur”. Megjithatë vazhdoi Prifti, nuk parashikohet një përkeqësim i situatës. “Edhe pse sot pasdite dhe gjatë mbrëmjes parashikohen reshje, ato nuk do të ndikojnë fuqishëm në kaskadën e Drinit, pasi shumica e borës ka shkrirë”, - ka deklaruar ministri Prifti. Ai tha se, sipas parashikimeve situata në kaskadën e Drinit pritet të normalizohet brenda 10 ditëve. “Në bazohemi në të dhënat e Shërbimit Meteorologjik të Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa qeveria italiane do vendosë në dispozicion satelitin e saj për të parashikuar prurjet e ardhshme të Drinit. Do të nisë puna prej shoqërisë italiane ENEL të studimeve hidrike, për të parë nivelin e dëborës, prurjet e Drinit për 15 ditët e ardhshme. Mendoj që në një hark kohor prej 1 jave apo 10 ditësh situata do normalizohet në Kaskadën e Drinit”,- u shpreh ministri Prifti.
Situata
Sipas ministrit të Energjetikës, Dritan Prifti, bora e rënë në male ka shkrirë dhe nuk pritet të ketë prurje të larta në hidrocentrale. Shkarkimet nga të tre HEC-et vazhdojnë, por pavarësisht kësaj situate niveli i Fierzës vijon të mbetet në kuotën e 292.5 metrave, me tendencë rritëse 2 cm në orë. Ndërkohë që ngrohja e temperaturave ka bërë që të ulet prodhimi i energjisë elektrike. Eksporti mbetet në kufijtë maksimalë, mbi 10 milionë kë/orë. Nisur nga situata e krijuar të hënën do të mbërrijnë në Shqipëri ekspertë italianë të digave për të menaxhuar më mirë kaskadën e Drinit. Sipas Priftit, grupi i ekspertëve do të asistojë me aparatura më të specializuara, për një mirë menaxhim, të paktën derisa të kalojë gjendja e emergjencës. Por është ende herët për të llogaritur efektin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet në Shkodër e Lezhë, megjithatë paratë që do të mblidhen nga shitja e energjisë elektrike do të kalojnë për dëmshpërblimin e banorëve të përmbytur. Sipas ministrit nga eksporti i energjisë KESH siguron në ditë një shumë e cila arrin deri në 1 milion e gjysmë euro.
Prurjet
Ministri Prifti njoftoi se, Fierza ka arritur në nivelin e 292.5 metrave, ndërsa gjatë 24 orëve të fundit është shënuar rritje në 21 cm; në Koman regjistrohet niveli 172.9 metra, 90 cm më i ulët se dje, ndërsa Vau i Dejës regjistron thellësinë 74.85 metra, 20 cm më pak se disa orë më parë. Ministri theksoi se, shkarkimet nga tre hidrocentralet do të vazhdojnë. KESH-i ka bërë të ditur mëngjesin e djeshëm të dhënat e prurjeve në kaskadat e hidrocentraleve. Sipas tyre, konfirmohet që në Fierzë aktualisht prurjet janë 1200 m3/sek, ndërsa në Koman arrijnë në kuotën e 530 m3/sek dhe në Vaun e Dejës 280 m3/sek. Këto shifra, të krahasuara me ato të një ditë më parë, rezultojnë më të ulëta. Kështu, një dy ditë më parë Fierza kapte një nivel prurjesh deri 1600 m3/sek, ndërsa Komani deri 600 dhe Vau i Dejës, 300 m3/sek.
Shkurt///////////////////////
Meta takon ambasadorin e KE-së, Lohan dhe atë të Spanjës, Montobio
Zëvenëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, priti dje ambasadorin e Spanjës, Manuel Montobio dhe Kreun e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ambasadorin Helmut Lohan. Në qendër të takimit ishin bisedimet lidhur me prioritetet e Presidencës spanjolle të Bashkimit Evropian gjatë 6 mujorit të parë të 2010. Në këtë kontekst, Ambasadorët Montobio dhe Lohan e informuan Metën edhe mbi ndryshimet e reja strukturore të Bashkimit Evropian pas hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës si dhe për vendosjen e kanaleve të komunikimit gjatë periudhës transitore të Presidencës spanjolle. Meta i siguroi Ambasadorët për një bashkëpunim të hapur, të ngushtë dhe konstruktiv nga ana e Qeverisë shqiptare duke theksuar se gjatë muajve të ardhshëm, Qeveria do të vazhdojë të ndjekë me prioritet tre sfidat imediate të integrimit të vendit që janë plotësimi në kohë i Pyetësorit të KE, mbyllja e etapave të fundit për liberalizimin e vizave dhe zbatimi i rekomandimeve të Progres Raportit të fundit të Bashkimit Evropian.
Ambasadorët Montobio dhe Lohan, e siguruan Metën për mbështetjen e plotë të Unionit në realizimin e këtyre objektivave madhore për Shqipërinë.
Qeverisë Italiane po ndjek me vëmendje situatën e përmbytjeve në Shqipëri
Qeveria italiane po ndjek me vëmendje situatën e emergjencës të krijuar në Shqipëri për shkak të përmbytjeve. Lajmi u dha dje në edicionin e lajmeve “TG1”, si dhe në deklaratën në faqen zyrtare të internetit të Qeverisë italiane sipas të cilës: “Presidenti i Këshillit të Ministrave, Silvio Brluskoni, po ndjek me vëmendje zhvillimet e emergjencës së përmbytjeve në Shqipëri dhe në mënyrë të veçantë rrezikun në zonat në jug të Shkodrës në të cilën banojnë qindra mijëra vetë. Qeveria italiane ka dërguar në Shqipëri Komisarin e Jashtëzakonshëm për Emergjencat e Ddigave, Prof. Roberto Guerco, i cili në një takim me Kryeministrin Berisha, Zv. Kryeministrin Meta dhe ekspertë të tjerë shqiptarë kanë hartuar strategjinë e ndërhyrjes. Presideti Berluskoni, i cili ka marrë nga autoritetet shqiptare falenderimet më të thella, ka konfirmuar gatishmërinë e Qeverisë italiane për të dhënë ndihma për popullsinë e prekur nga moti i keq”.
9 Janar 2010