Bashkimi Evropian akordon ndihmë të posaçme për përmbytjet në veri-perëndim të Shqipërisë

Brukseli i bën thirrje vendeve anëtare që të asistojnë në ndihma për zonat e përmbytura në ShqipëriBashkimi Evropian është treguar i gatshëm për të asistuar me ndihma ndaj Shqipërisë, në minimizimin e dëmeve të shkaktuara në veri të vendit si pasojë e përmbytjeve të mëdha disa ditore. Brukseli i ka premtuar autoriteteve shqiptare ndërhyrje të menjëhershme, duke kontribuar fillimisht me ndihma në materiale, ekspertizë dhe më vonë edhe në financiare, nëse situata do të vijojë të përkeqësohet, çka mund të çojë në dëme kolosale, përjashto ato njerëzore të cilat nuk kanë as 1% mundësi për të ndodhur. Në vendin tonë mbërritën gjatë fundjavës ndihmat e para nga vendet e Bashkimit Evropian, të cilat iu përgjigjën thirrjes së qeverisë shqiptare për situatën emergjente në veri të vendit, kryesisht në dy qarqe, Shkodër dhe Lezhë. BE ka shprehur një angazhim të plotë solidariteti për të asistuar në zonat e përmbytura prej 10 ditësh. Tashmë kanë mbërritur ndihmat e para në gjeneratorë, anije shpëtimi dhe helikopterë emergjencash. Gjatë një konference për shtyp në mesditë, zëdhënësja e BE, Barbara Helfferich ka deklaruar, se Bashkimi Europian ka vënë në dispozicion që prej ditës së enjte mekanizmin civil evropian që koordinon ndihmën jo vetëm për vendet anëtare po edhe të treta, që ndodhen në situatë të vështirë.“Ky mekanizëm i mbrojtjes civile është vënë në lëvizje shumë shpejt për të ndihmuar Shqipërinë kundër efekteve të përmbytjeve të mijëra banesave dhe hektarëve në veri të Shqipërisë. Kushtet e asistencës janë pranuar nga vende anëtare si Sllovenia dhe Austria, që ka dhënë kontributin e tyre me gjeneratorë dhe grupe elektrogjene, që duhet të arrijnë sot në Shqipëri. Greqia ka propozuar ndihmën e saj me 29 zjarrfikës, që janë tashmë në Shqipëri, ku po ashtu janë dërguar edhe makina, varka me motor, pompa dhe grupet elektrogjene. Italia dhe Franca kanë parashikuar që të dërgojnë pompa dhe ilaçe. Ne falenderojmë vendet anëtare që janë treguar të gatshme për këtë ndihmë”, është shprehur zëdhënësja Helfferich, duke thënë se kontribute të tjera janë të mirëpritura. Në përfundim, BE u bën me dije vendeve anëtare se pas ditëve të tëra shirash dhe shkrirjes së dëborës në veri të Shqipërisë, është krijuar një situatë emergjente përmbytjesh, ndërkohë që 2000 objekte janë përmbytur dhe mbi 4000 njerëz janë evakuuar nga zonat e prekura....