E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA: Impiante bërthamore në luftën ndaj ndryshimit të klimës

UASHINGTON - Administrata Obama po përpiqet të ndihmojë industrinë bërthamore në ndërtimin e një impianti bërthamor energjie për herë të parë pas shumë kohësh, që mund të kontribuojë në diversifikimin e furnizimeve amerikane me energji dhe ne të njëjtën kohë të kontribuojë në luftën kundër ndryshimeve klimatike, njoftoi sot Shtëpia e Bardhë. Carol Browner, këshilltarja më e lartë e presidentit Barack Obama për energjinë dhe klimën, deklaroi gjithashtu se SHBA-ja ishte e kënaqur me arritjet e bisedimeve të samitit të Kopenhagës mbi klimën dhe do të bashkëpunojë me partnerët ndërkombëtar për një traktat me bazë ligjore për minimizimin e emetimeve të gazeve karbonike në të ardhmen. "Nuk kemi ndërtuar një impiant bërthamor në këtë vend për një kohë të gjatë, por po përpiqemi të bashkëpunojmë me industrinë për ta realizuar këtë në një të ardhme jo të largët", deklaroi Browner në faqen e internetit të Shtëpisë së Bardhë. "Kemi bashkëpunuar me industrinë bërthamore për të kuptuar saktësisht nevojat e saj", shtohej në deklaratë. Kongresi ka miratuar në vitin 2005 një fond prej 18.5 miliardë dollarësh për garanci të huave bërthamore, me shpresën për rigjallërim të burimeve energjetike pa emetime karbonike.(atsh/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›