Kapriçot e motit dhe opozita e mortit
Gjatë javës së parë të përmbytjeve në disa zona të Shkodrës dhe Lezhës, opozita, edhe për shkak se kryetari i saj Edvin Rama vijonte pushimet prej “Sheiku” në hotelet luksoze të Dubait apo Francës, ishte tërësisht indiferente përballë situatës kritike që shkaktuan rreshjet e dëndura që ranë, si kudo në Shqipëri, edhe në këto zona. Ishte indiferente në kuptimin e misionit të saj fisnik që duhet të luajë në situata të tilla dramatike për fatet e qytetarëve shqiptarë dhe jo të misionit komunisto-kobndjellës të tipit “Erion Braçe”. Natyrisht ky lloj opozitarizmi s’ka si mungon asnjëherë në vendin tonë, pasi është përmbajtja reale e veprimtarisë të kësaj force politike; është gjaku dhe truri që e vë në lëvizje një organizëm të tillë partiak, qysh nga koha e “idealeve komuniste e partizane”. Braçet e opozitës Edviniste dolën menjëherë në aksion; një pjesë nga selia e Partisë Socialiste, disa të tjera nga redaksitë e gazetave apo ekranet e televizioneve pro saj dhe filluan kukuvajkizmin e tyre të hapur e të fshehtë për “keqqeverisjen” e kapriçove natyrore, që ata e etiketonin si paaftësi njerëzore. Nëse do të kishte një aparaturë teknike që të deshifronte ndërgjegjjen e tyre mëkatare, me siguri që do kishim parë e dëgjuar monstruozitete të llahtarshme për “çarje digash”, “zhytjen e Shkodrës në 5-6 metra ujë”, “Gërdecin e përmbytjeve”, “dhjetëra kufoma njerëzish që lundronin mbi ujë”, etj. Dhe në këtë rast ishin të justifikuar disi, pasi katastrofa nuk kishte shumë nevojë për katalizatorin e duarëve dhe shpirtit të tyre çnjerëzor, si në ’97-n, fjala vjen, apo tragjedinë e 9 janarit në kohën e pushtetit socialist gjatë viteve ’97-’05 e kështu me radhë. Unë nuk po bëjë Kasandrën në këtë rast; thjeshtë po arsyetoj mbi bazën e qëndrimeve, fakteve dhe fjalëve politike të dala nga goja dhe shpirti katran i disa opozitarëve “trima dhe liridashës”. Në ’97-ën nuk pati fatkeqësi natyrore, si përmbytjet e tanishme në Shkodër e Lezhë, për shembull, por pati viktima të shumëta; u bë një gjakderdhje njerëzore dhe shkatërrim i paparë i pasurisë private e publike, vetëm sepse opozita e asaj kohe; pra Partia Socialiste kërkonte të vinte në pushtet me rrugë revolucionare, siç kishin ardhur në ’44-ën në krye të vendit etërit e tyre biologjikë dhe politikë, duke lëshuar po të njëjtin kushtrim si në kohën e luftës: “o djem rrëmbeni armët, ja vdekje, ja liri!”. Kur ata arritën të shfrytëzojnë politikisht zemërimin e njerëzve për humbjen e parave në skemat piramidale, s’ka se si të mos e mbajnë një qëndrim të tillë për të shfrytëzuar zemërimin e natyrës që derdh ujë të pamasë mbi digat e hidrocentraleve. Partia Socialiste ka trashëguar nga monizmi jo vetëm selinë e ish Komitetit të PPSH-së Tiranë; jo vetëm djemtë, nipat, të afërmit e byrositëve; jo vetëm strukturat partiake të organizatave bazë të PPSH-së, por mbi të gjitha ka trashëguar shpirtin komunist të ndëshkimeve, torturimeve dhe pushkatimeve me urdhëra politikë. Kjo është arsyeja që kryeprokurores Ina Rama po i kërkohet çdo ditë prej tyre të fillojë procedimin penal ndaj kryeministrit dhe qeveritarë të tjerë. Kanë 3-4 ditë, qysh nga kthimi i Edvin Ramës prej pushimeve të Vitit të Ri jashtë shtetit, që përfaqësuesit politikë dhe mediatikë të Partisë Socialiste po kërkojë hetim apo viktimizim të zyrtarëve të lartë të shtetit; ndoshta nga që qeveria dhe strukturat e tjera të shtetit, të instaluara qysh në minutën e parë të përmbytjeve në Shkodër nuk lejuan viktima në njerëz, duke bërë evakuimin e shpejtë të tyre. Kjo detyrë u realizua me sukses, megjithë përpjekjet e dëshpëruara të disa opozitarëve dhe mediave pro tyre që në forma të ndryshme kërkonin të pengonin lëvizjen e njerëzve nga zonat e përmbytura, me shpresën e zezë se mund të kishte viktima, që ata pastaj ta kishin të lehtë të kërkonin largimin dhe ndëshkimin e qeverisë “Berisha 2”, të cilën e kanë halë në sy.Socialistët shqiptarë bëjnë pjesë në atë kategori politikanësh që e kërkojnë suksesin e tyre tek fatkeqsitë e të tjerëve. Kjo është filozofia e “progresit” të tyre “fanarndriçues”. Ata nuk dinë të bashkëpunojnë institucionalisht me kundërshtarët e tyre politik për çështje me interes kombëtar, sikundër ndodh në të gjithë botën e qytetëruar, por luajnë gjithnjë rolin e “gjuetisë së shtrigave”. Vazhdimisht synojnë pushtet absolut ose opozitë absolute, megjithëse opozitarizmin e konsiderojnë “fatkeqësi kombëtare”, përderisa ardhjen në krye të vendit të demokratëve e kanë propoganduar dhe anatemuar si të tillë. Kjo ishte arsyeja që për 8 vite rresht në pushtet instaluan “de facto” shtetin monist, duke patur shumicën absolute në Parlament, Komisionin Qëndror Zgjedhor, Gjykatën Kushtetuese, Kontrollin e Lartë të Shtetit, Prokurorinë e Përgjithëshme, organet e tjera të drejtësisë e kontrollit e kështu me radhë, ndaj “vetë shkruanin e vetë vulosnin” kudo. Kështu që demokracinë e kërkojnë vetëm për të realizuar si të drejtat ashtu dhe të padrejtat e tyre por kurrë për të realizuar detyrat kushtetuese që kanë ndaj popullit dhe atdheut të tyre. Në këto kushte kanë shpikur termin “popull i majtë”, megjithëse shpesh mund ta çojnë mish për top vegjëlinë e kuqe, mjafton të funksionojë dhe mbijetojë “blloku” real dhe virtual, si në monizëm ashtu dhe në demokraci. Gjithnjë veprojnë si hileqarë, burracakë e kameleonë të vërtetë. Iu kundërvihen me gjithë forcën e mundësitë përpjekjeve madhore që bëjnë kundërshtarët e tyre politikë në qeverisje për integrimin e vendit, rritjen e mirëqënies qytetare, zbutjen e pasojave negative të fatkeqësive natyrore; dhe kur shohin që janë të pafuqishëm për të ndalur apo ndryshuar rrjedhën e gjërave, fillojnë e ndryshojnë sjellje për të ndryshuar opinionin e njerëzve për ta; duke u hequr si patriotë të mëdhenjë, shkencëtar të famshëm, njerëz me eksperincë të veçantë apo zemër të madhe etj. Këtë pafytyrësi treguan edhe për situatën e vështirë të këtyre ditëve në zonën e Shkodrës, si rezultat i përmbytjeve të shkaktuara nga shirat e shumtë të këtyre ditëve dhe kushtet e tjera të një moti të paqëndrueshëm. Kush i ka të hapur veshët prej tamponëve ideologjikë të Partisë Socialiste mund të dëgjoj fare qartë se ç’thuhet sot për pasojat e kapriçove të motit në Amerikë, Europë e kudo në botë, që kanë investuar prej më shumë se 200 vitesh për të përballuar fatkeqësi të tilla natyrore. Por më të papërgjegjshëm se disa politikanë të majtë janë disa gazetarë që u bëjnë temena atyre, duke mbelljë panik dhe gjurmuar vetëm aspektet më të zeza të kësaj situate. Me kujtohet dikush prej tyre ditën që ndodhi ngjarja e Gërdecit, i cili raportonte dhe reflektonte kënaqsi në fytyrë që numri i të vdekurve në këtë ngjarje i kalonte të 500-600 vetët, ndërkohë që shifrat zyrtare flisnin vetëm për rreth 25 viktima. “Vëllai” i këtij gazetari ishte këto ditë në një emision televiziv për përmbytjet në Shkodër dhe fliste po me të njëjtin pasion e tendencë negative, duke përmendur në një moment frazën “etërit tanë që ju i përçmoni”, për të nënkuptuar kështu meritat e tyre qeverisëse në të shkuarën moniste. Faktikisht e kundërta është e vërtetë. Shteti dhe qeveria e sotme ndodhen shpesh në vështirësi rrugëzgjidhjesh për shkak të litarit që kanë lënë jashtë etërit e politikanëve dhe gazetarëve të kuq e thuthuq njëkohësisht. Përqëndrimi i të gjithë veprave energjitike në lumin Drin dhe mosmarrja e masave të sigurisë për t’u bërë ballë kapriçove të motit është padiskutim përgjegjësi e trashëguar nga etërit e “dyfekëve lidhur me gjalmë” dhe “lapsave kopjativë”. Shkencëtarët apo më mirë të themi specialistët shqiptarë të kësaj fushe thonë se llogaritë janë të tilla që tragjeditë e mëdha mund të ndodhin njëherë në 10 mijë vjetë, që në një intervistë të dikujt prej tyre konsiderohej, si një kokër fasule e zezë në një thes të mbushur plotë me fasale të bardha. Por kjo kokërr fasuleje mund të gjendet pas 10 mijë vitesh, siç mund të shkojë dora e Perëndisë ta gjejë qysh këtë vit, vitin tjetër apo pas 3 vitesh e kështu me radhë. Mirë masa për të përballuar një prurje uji me volum 9 mijë m3 në sekondë nuk u morën prej këtyre etërve, po për 3-4 mijë m3 pse nuk u morën, derisa u përmbytëm me 2 mijë m3 ujë në sekondë?! Mirë që një gjë të tillë nuk e bënë etërit, po bijtë e tyre për 8 vjetë në pushtet pse nuk e çuan pak më tej “Dritën e Partisë”, për të parë mbushjen e grykderdhjes së Bunës, mungesën e argjinaturave përgjatë shtratderdhjes së Drinit, etj? Pse një HEC që e filluan qysh në ’98-ën në Kalivaç mbi lumin Vjosë nuk arritën që të vënë qoftë edhe një tullë për ndërtimin e tij, për ta shpërndarë disi ngarkesën e prodhimit energjitik përtej Drinit? Natyrisht nuk kish si të bënin punë të tilla në një qeverisje të zhytur në korrupsion, nepotizëm, izolim dhe prapambetje. Qeveria e Partisë Demokratike, qysh me të ardhur në pushtet në ‘05-n filloi gradualisht, që paralelisht me zgjidhjen e krizës energjitike, të investojë për argjinatura e vepra të reja energjitike mbi lumenjtë Devoll e Vjosë, por prapambetja dhe mangësitë në këtë drejtim janë të tilla që s’mund të eleminoheshin për 4 vjetë. Por pa u zgjatur më shumë në këto histori që mund të jenë objekt i një shkrimi të veçantë mund të themi që opozita edviniste nuk ka të drejtë morale të kërkojë llogari, jo vetëm për shkak të sjelljes e qëndrimit të vet anormal por edhe të mungesës së investimeve të socialistëve në vitet ’98-’05 apo dhe trashgimisë puniste të etërve të tyre. Dhe nëse nuk dinë të mbyllin gojën si njerëz normalë, të paktën të mos e hapin atë si anormalë e sharlatanë duke ndjellë mort e mortje çdo ditë dhe për çdokënd përtej “Bllokut”....