E Diel, 1 Nëntor 2026

Studim, shikimi i tepërt i televizorit mund të çojë deri në vdekje

SIDNEI- Personat të cilët qëndrojnë përpara ekranit të vogël të televizorit më tepër se katër orë në ditë e shkurtojnë jetëgjatësinë e tyre në krahasim me ata që arrijnë ta kufizojnë ndjekjen e programeve televizive, mësohet sot nga një studim australian. "Në krahasim me personat që shikojnë televizor më pak se dy orë në ditë, ata që qëndrojnë përpara ekranit më tepër se katër orë në ditë kanë 46 për qind më tepër mundësi për të vdekur nga patologji të ndryshme", i deklaroi AFP-së David Dunstan, shkencëtar në Institutin e diabetit dhe të sëmundjeve të zemrës në Melburn. "Kështu, tek këta të fundit rritet në 80 për qind rreziku për t'u prekur nga sëmundje kardio-vaskulare", bëri të ditur njëri prej autorëve të këtij studimi të publikuar në gazetën e American Heart Association. E dëmshme për shëndetin nuk janë vetë programet, por fakti i qëndrimit për një kohë të gjatë ulur, duke çaktivizuar muskujt dhe duke e penguar trupin të asimilojë në mënyrë korrekte sheqer dhe yndyrna, tregojnë shkencëtarët. Këto konkluzione dalin nga një studim që zgjati gjashtë vjet, lidhur me ndjekjen e emisioneve televizive nga 8 800 australianë. Ndërkohë që australianët shikojnë mesatarisht tri orë në ditë televizor, shkencëtari theksoi se qëndrimi ulur në mënyrë të zgjatur është i rrezikshëm për shëndetin. (d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›