E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkimi Evropian, hetim për Enciklopedinë

 

Debatet për Enciklopedinë Maqedonase, nuk do të mbeten thjesht në rang rajonal. Zhurma ka arritur në Bruksel, në zyrat e Bashkimit Evropian, ku janë kërkuar shpjegime të mëtejshme mbi këtë çështje. Madje nuk përjashtohet mundësia që Brukseli të reagojë ditëve të ardhshme, para publikimit të raportit të KE-së. Këtë lajm e bëjnë të ditur burime diplomatike nga Brukseli, cituar nga agjencia maqedonase e lajmeve në shqip "Ina". Sipas këtij burimi, mësohet se Bashkimi Evropian kërkon informacione shtesë për përmbajtjen e enciklopedisë maqedonase, ku fyhet historia e shqiptarëve, duke i përshkruar ata si "njerëz mali" dhe ardhacakë në Maqedoni.

Partitë shqiptare në Maqedoni presin reagime për këtë çështje nga Brukseli zyrtar, duke vlerësuar se enciklopedia maqedonase është goditje e rëndë mbi karakterin multietnik të shtetit. Media bën të ditur se Brukseli po analizon përmbajtjen e enciklopedisë, e cila ka nxitur reagime të fuqishme tek opinioni shqiptar. Prej ditës së botimit të kësaj enciklopedie, nuk kanë reshtur deklaratat, madje dhe protestat në Maqedoni, Kosovë e Shqipëri. Enciklopedia maqedonase u promovua të enjten e kaluar në kryeqytetin e vendit, Shkup. Veç fakteve për shqiptarët, ku përshkruhen si njerëz mali dhe ku sugjerohet se është ushtruar dhunë dhe janë dëbuar maqedonasit nga shqiptarët në shekullin XVI, kur kanë filluar të popullojnë trevat e Maqedonisë, për UÇK-në thotë se është stërvitur nga ushtarë të njësiteve speciale britanike SAS dhe oficerë të ushtrisë amerikane. Ambasadat në Shkup të këtyre dy vendeve reaguan ashpër ndaj pohimeve të tilla.
Kjo enciklopedi e përshkruan Ali Ahmetin, ish-liderin e UÇK-së, tashmë kryetar të BDI-së, si të akuzuar për krime lufte, ndërkohë që nuk ka një padi të tillë. Enciklopedia nuk tregon identitetin shqiptar të Nënës Terezës, ndërsa ka fakte të shtrembëruara edhe për Skënderbeun. Xhevat Ademi, një ndër drejtuesit e BDI-së, paralajmëroi se Bashkimi Demokratik për Integrim do të ngrejë padi ndaj Akademisë së Shkencave në Maqedoni për fyerje të dinjitetit të shqiptarëve. Me gjithë reagimet e akademikëve, historianëve, por edhe shoqërisë civile, pala maqedonase, duket se nuk do t'i shkojë deri në fund projektit të vet. Akademiku maqedonas Bllazhe Ristovski, redaktori kryesor i botimit të enciklopedisë, është shprehur se nuk do ta tërheqin nga qarkullimi enciklopedinë, përkundër reagimeve të ashpra nga faktori shqiptarë dhe ai ndërkombëtar. Kjo deklaratë ka nxitur edhe më tej reagimet e shqiptarëve, të cilët dje dolën në një protestë përpara godinës së Akademisë së Shkencave të Maqedonisë. Të organizuar nga Lëvizja qytetare "Zgjohu", ata kërkojnë të ndërmerren hapa për të ndaluar botimin nga qarkullimi. Ata thanë se nëse nuk përmbushen kërkesat e tyre, për tërheqjen dhe përmirësimin e enciklopedisë, do të padisin institucionet në gjykatë, por dhe do të protestojnë në mënyra të ndryshme. Përfaqësues i lëvizjes "Zgjohu", Ardian Limani, tha duke lexuar kërkesat e përbashkëta se Enciklopedia "cënon karakterin kushtetues multietnik të vendit, nxit urrejtje ndër etnike, falsifikon historinë e popullit shqiptar, përvetëson figura më të ndritura si Nëna Terezë, fyen rëndë ndjenjat e çdo shqiptari". Madje kanë reaguar edhe akademikët e vërtetë maqedonas, të cilët nuk bien dakord me tezat e "kolegëve" të tyre të Akademisë. Profesori universitar Vllado Popovski, doktor i shkencave të Historisë, autor i disa botimeve shkencore, historike, dhe jurist i njohur, në një intervistë për BBC-në, thotë se Akademia e Shkencave duhet të tërheqë Enciklopedinë. Nëse Akademia nuk e bën këtë gjë, atëherë ajo duhet të izolohet, thotë z. Popovski. Z. Popovski kundërshton si tendencioze edhe pjesët e enciklopedisë ku thuhet se shqiptarët me dhunë kanë ardhur në Maqedoni në shekullin e 16. "Shqiptarët kanë të drejtë të kërkojnë të quhen ashtu siç i quan gjithë bota, pavarësisht se si e quajnë vetveten. Këtu shkenca maqedonase nuk ka nevojë të nxjerrë ndonjë të ashtuquajtur të vërtetë, dhe të shikojë në drejtime të tjera. Maqedonia është shtet fqinj me shqiptarët është një shtet tjetër dhe duhet të shohë standardin e përgjithshëm dhe botëror se si quhet shteti apo dhe populli", - është shprehur ai.

Maqedonët, të paqartë prejardhjen
Reagimeve të shumta në Kosovë ndaj enciklopedisë maqedonase, dje i është bashkuar edhe kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, si edhe disa nga anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës. Kryeparlamentari Krasniqi thotë se shtrembërimi i fakteve historike vjen edhe si rrjedhojë e një identiteti jo të definuar të kombit të sotëm maqedonas. "Maqedonët ende nuk kanë arritur ta krijojnë identitetin e tyre kombëtar. Ata ende nuk e dinë se a janë maqedonë të krijuar me dekretin e Titos, nuk e dinë a janë maqedonë që thirren në paraardhësin e tyre, në Mbretin Samuel, i cili ishte mbret bullgar, e në anën tjetër ata shpeshherë pretendojnë të jenë edhe pasardhës të Aleksandrit të Maqedonisë, Lekës së Madh, që ishte me origjinë ilire", - u shpreh ai. Një komb që nuk e ka të identifikuar identitetin e tij kombëtar, kërkon që të mohojë identitetin e gjithë të tjerëve. Por, konsiderojmë se identiteti i shqiptarëve tanimë është i përmbyllur dhe i konsoliduar më së miri në Ballkan", thekson Krasniqi.

Popovski: Emri shqiptar në shek. II
Profesori Vllado Popovski, doktor i shkencave të Historisë, shprehet kundër punës së kolegëve të vet maqedonas. "Të dhënat për emrin "Shqiptar" janë që në shekullin e dytë para epokës tonë, më vonë ndeshen edhe në mesjetë, në shekullin e 11-të dhe 12-të si "Arbanon", "Arbanas" dhe deri më sot. Gjithë bota, në të gjitha botimet, dokumente dhe literaturë, vendin e quajnë "Albania" dhe njerëzit "Albanezë". Për shembull edhe grekët e quajnë ndryshe veten dhe ndryshe i thërret bota. "Elenë" dhe "Grekë". Në Enciklopedi, besoj se grekët janë cilësuar siç njihen në gjithë botën; kjo do të thotë se nuk janë përdorur standarde të njëjta kur janë përshkruar shqiptarët", ka thënë ai për BBC-në.

Gashi: Si shkrimet serbe

Ibrahim Gashi, deputet dhe anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, thotë se Akademia e Shkencave e Maqedonisë nuk ka dashur ta pranojë faktin se kombi i sotëm maqedonas është komb politik, i krijuar në ish-Jugosllavinë e pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo enciklopedi, sipas Gashit, u ngjan shumë shkrimeve pseudo-historike të akademikëve serbë, që përpiqeshin të njollosin historinë e shqiptarëve si popull autokton në Ballkan. Andaj, sipas tij, përmbajtja e kësaj enciklopedie nxit dyshime se është diktuar nga nevojat e politikës ditore të këtij vendi. "Maqedonia ka problemet aktuale lidhur me emërtimin dhe natyrisht, në këtë situatë të pavolitshme që gjenden institucionet e Maqedonisë, në vend që të krijojnë një pajtueshmëri me fqinjët në përgjithësi për problemet që kanë me identitetin dhe emrin e tyre, ata po krijojnë armiq të rinj".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›