E Diel, 1 Nëntor 2026

Tafaj:Studentët fitues në Vlorë do ulen në auditorë

 

“Studentët fitues në Universitetin e Vlorës do të ulen në auditorë”, këtë deklaratë bëri dje ministri i Arsimit Myqerem Tafaj. Ai u shpreh i bindur se urdhri që ka dërguar do të zbatohet. Në të kundërt ngërçi i krijuar do të zgjidhet me propozimin për shkarkimin e rektorit Tanush Shaska. “Studentët janë regjistruar. Pra, është kryer regjistrimi paraprak. Ata trajtohen si gjithë të tjerët që janë regjistuar për regjistrimin përfundimtar. Jam i sigurt që Universiteti i Vlorës do t’i regjistrojë. Rektori do t’i pranojë në auditor”, tha Tafaj gjatë  vizitës në shkollën e mesme profesionale të Kamzës, në të cilën është hapur për herë të parë një cikël që do të mësojë nxënës rreth shërbimeve sociale për të moshuar. Konflikti mes kandidatëve për studentë dhe rektorit të Universitetit të Vlorës nisi pas vendimit të këtij të fundit për të mos pranuar regjistrimin e studentëve me mesatare nën 6. Kjo edhe pse ata janë shpallur fitues në një degë të caktuar. Në krah të studentëve doli edhe Ministria e Arsimit, por as urdhri i kreut të saj Myqerem Tafaj për regjistrimin e 400 maturanteve fitues nuk u mor parasysh nga rektori. Sërish studentët e rinj kanë mbetur jashtë dyerve të tij. Rektori Tanush Shaska i vendosur i ka shkuar deri në fund urdhrit që nuk do të pranoje asnjë fitues me mesataren nën gjashtë. Një betejë deklaratash dhe urdhrash ka filluar mes dy institucioneve, ndërkohë që 400 fituesit presin një zgjidhje. Ndërkaq, gjatë vizitës së djeshme në shkollën profesionale të Kamzës Ministri Tafaj  ka premtuar se shume shpejt do te ngrihet nje nga qendrat me te medha arsimore profesionale. Bëhet fjalë për një godinë e re për shkollën profesionale, një investim prej 5 milionë euro që do të realizohet për 3 vitet e ardhshme. Ministri premtoi investime të tjera në arsimin profesional. “Unë mund t’ju them që kjo është një sfidë e madhe për ne, por me një mbështetje të madhe nga partnerët e huaj, ne kemi mundësi të bëjmë shumë më tepër se deri tani. Aktualisht, 22% e nxënësve që përfundojnë arsimin e detyruar vijojnë shkollën e mesme profesionale. Ne synojmë që ta rrisim këtë shifër me 10% më shumë”, tha Tafaj. I pranishëm në takim ishte edhe ambasadori Borchardt, i cili theksoi se në këtë shoqëri globale që po jetojmë,  nevojiten gjithmonë e më tepër të rinj dhe profesionistë, të cilët arrijnë të realizojnë këtë profesion.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›