Bashkimi Evropian, shtyn shqyrtimin e kërkesës për Maqedoninë
Bashkimi Evropian e ka shtyrë sot vendimin për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Maqedoninë, pasi Greqia fqinje e ka kundërshtuar fillimin e negociatave. Në një dokument, për të cilin janë pajtuar Ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së, thuhet se Brukseli do ta shqyrtojë këtë çështje përsëri gjatë presidencës së Spanjës, që fillon më 1 janar 2010. Maqedonia shpresonte se liderët e BE-së do ta përcaktonin datën për fillimin e bisedimeve në samitin e kësaj jave,
pasi Komisioni Evropian e mbështeti këtë lëvizje në muajin tetor. Por, Greqia e kundërshton pranimin e Maqedonisë në BE, për shkak të kontestit për emër. Ndërkaq, Shkupi zyrtar është indinjuar thellë nga vendimi i Këshillit ministror, sipas të cilit caktimi i datës për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në BE do të shqyrtohet nga presidenca e radhës e BE-së. Vendimi i Këshillit të ministrave të BE-s për pezullimin e caktimit të datës për fillimin e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë në BE është pritur me indinjatë të thellë nga autoritetet zyrtare të Maqedonisë. Shefi i diplomacisë maqedonase Antonio Milloshovski e ka vlerësuar këtë vendim si veprim që dëmton imazhin e BE-së, pasi ka lejuar që Greqia të bllokojë procesin e integrimit të Maqedonisë për një kontest dypalësh rreth çështjes së emrit. Rezultati në Bruksel mund të definohet si hipokrizi e re greke, sepse vendi i cili gjoja angazhohet që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të inkuadrohen në Bashkimin Evropian, faktikisht bllokon këtë proces, është shprehur ministri i Punëve të Jashtme, Antonio Milloshoski. Shefi i diplomacisë maqedonase e ka vlerësuar këtë vendim si veprim që dëmton imazhin e BE-së, ku sipas tij, bllokimi nga ana greke nuk do të pengojë Shkupin që të vazhdojë edhe më tej të përfaqësojë dhe mbrojë normat kushtetuese dhe identitetin nacional. Ai falënderoi kryesimin suedez dhe numër të madh të vendeve anëtare, të cilat mbështetën Maqedoninë që t'i caktohet afati kohor, në të cilin do të vendoset për marrjen e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. Kjo tregon se të gjitha vendet e tjera anëtare e çmojnë përparimin tonë dhe ky do të jetë motivi ynë për të vazhduar me reformat dhe t'ia dalim të gjejmë mënyrën si t'i realizojmë ambiciet tona në rrugë legjitime dhe reale. Pengesa nga Athina zyrtare lidhur me fillimin e merituar të bisedimeve nuk do t'i kontribuojë përmirësimit të atmosferës në bisedimet dypalëshe, që kemi për kontestin qe Greqia ka me emrin tonë kushtetues, vlerëson Milloshovski.