SHBA mbron fuqishëm në GJND pavarësinë e Kosovës
Procesi në Hagë për pavarësinë e Kosovës, vë përballë SHBA me RusinëPërfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Harold Koh i bëri thirrje Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të mbështesë deklaratën e pavarësisë të Kosovës nga Serbia. Ai ka kërkuar që të lihet e qetë pavarësia e Kosovës, sepse ajo është vullnet i popullit dhe faktor stabiliteti në Ballkan. Edhe ditën e djeshme ka vazhduar seanca dëgjimore e radhës në këtë gjykatë për procesin e ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës. Në një fjalim që ishte mbrojtja më e
fuqishme e pavarësisë së Kosovës në Hagë, Harold Koh, fillimisht, ka shtruar pyetjen nëse shpallja e pavarësisë së Kosovës është në harmoni me të drejtën ndërkombëtare dhe menjëherë është përgjigjur me këto fjalë. "Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ajo është në harmoni me të drejtën ndërkombëtare, sepse nuk përmban asgjë në kundërshtim me këtë të drejtë. E drejta ndërkombëtare nuk rregullon çështjet e deklaratave të pavarësisë, ndërsa pavarësia e Kosovës është kaptina e fundit në procesin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, ka thënë Harold Koh, duke shtuar se nuk ka inkonsistencë ndërmjet shpalljes paqësore të pavarësisë së Kosovës, të së drejtës ndërkombëtare dhe Rezolutës 1244. Në vazhdim, Harold Koh u është drejtuar gjykatësve të GJND-së, duke u thënë se ata kanë dëgjuar për mizoritë ndaj shqiptarëve të Kosovës, për 1 milion kosovarë të dëbuar me dhunë dhe për fushatën e pastrimit etnik, për të shtuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka qenë zhvillim spontan, porse asaj i ka paraprirë një proces politik. Shpallja e pavarësisë së Kosovës është artikulim i vullnetit të popullit, që as mund të autorizohet dhe as ndalohet, ka thënë Harold Koh. Ai ka shtuar se Serbia shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka cenuar as parimin e integritetit territorial, sepse ky parim rregullon vetëm raportet ndërshtetërore. Në këtë drejtim ai i është referuar Rambujesë dhe vullnetit të popullit duke shtuar se dokumentet e këtij tubimi nuk prejudikojnë dhe as përjashtojnë asnjë epilog të statusit politik të Kosovës. Nëse Rezoluta 1244 përmban dispozitën për integritetin territorial të Serbisë, pse atëherë për shumë kohë Beogradi është ankuar se ajo ia hap rrugën pavarësimit të Kosovës?, ka pyetur Harold Koh, për të shtuar se Rezoluta 1244 thirret në integritetin territorial të Jugosllavisë, por Jugosllavia më nuk ekziston. Ndër të tjera i ka theksuar se Rezoluta 1244 i referohet integritetit territorial vetëm si fazë kalimtare, ndërsa mbështetësit e Serbisë nuk kanë arritur të gjejnë asnjë rresht në rezolutë që të mund të thonë se Kosova, duke e shpallur pavarësinë, e ka shkelur atë. Shtetet e Bashkuara janë njëri prej 63 vendeve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, së bashku me 22 vende të Bashkimit Europian. Spanja: Nuk është në harmoni me të drejtën ndërkombëtareGjykata e OKB-së vazhdon debatet për të përcaktuar ligjshmërinë ose jo të deklaratës së pavarësisë, e cila kundërshtohet me forcë nga Beogradi dhe aleatja e tij tradicionale, Rusia. Përfaqësuesja e Spanjës u angazhua për respektimin e parimit të integritetit territorial dhe sovranitetit të shteteve dhe respektimin e Rezolutës 1244 KS i OKB. Sipas saj, Rezoluta 1244 parashikon autonominë e Kosovës brenda Jugosllavisë, ndërkohë që plani i Ahtisarit nuk është miratuar nga KS i OKB-së dhe nuk mund të shërbejë si bazë për zgjidhjen e statusit. Deklarata e pavarësisë nuk është në harmoni me të drejtën ndërkombëtare", theksoi përfaqësuesja e Spanjës duke shtuar se zgjidhja mund të arrihet vetëm me negociata dhe me marrëveshjen e të dy palëve.Rusia: Kosovarët nuk kanë të drejtën e vetëvendosjesAmbasadori i Rusisë në Holandë, Kiril Govergian tha se kosovarët nuk kanë të drejtën e vetëvendosjes, sepse këtë nuk e parashikon asnjë dokument ndërkombëtar, as Komisioni i Badenterit, as KS i OKB-së, as Marrëveshja e Rambjujesë apo Rezoluta 1244. Përfaqësuesi rus pohon se statusi mund të zgjidhet vetëm me marrëveshje dhe negociata. Fakti që negociatat kanë dështuar nuk do të thotë se duhet të ndërpriten, theksoi ai duke shtuar se plani i Ahtisarit nuk mund të jetë bazë për zgjidhjen e statusit.